A jeni përballur me situatën kur rrobat duket se po ju zënë frymën por nuk vendosni dot çfarë duhet të hidhni e çfarë jo? Mos u mërzisni: e gjithë bota ka aktualisht këtë problem: 150 miliardë veshje në vit vishen mesatarisht vetëm shtatë herë para se të hidhen. Duket se kemi mbërritur në pikën e ngopjes, tani mund të mendojmë për ndryshim…
Nga Maxine Bédat
Tri vjet më parë, fabrika e veshjeve Rana Plaza u shemb, duke vrarë më shumë se 1 mijë punonjës dhe duke plagosur mbi 2,500 të tjerë.
Tragjedia – aksidenti më i rëndë në historinë e fabrikave të veshjeve – qe një alarm zgjimi për të gjithë industrinë dhe shkaktoi një lëvizje botërore, Ditën e Revolucionit në Modë, ku ne si qytetarë të botës pyesim se si dhe nga kush janë prodhuar veshjet që ne mbajmë në trup. Është një rast për të krijuar një plan bashkarisht për të ardhmen e një industrie me xhiro 2 trilionë dollarë.
A kemi arritur ‘kulmin me rroba’?
Ndërsa ne mendojmë se si duhet të krijojmë të ardhmen që dëshirojmë të shohim për botën, duhet të ndalojmë një çast për të medituar mbi gjendjen aktuale të industrisë së mallrave të konsumit. Vetëm nëse dimë se ku jemi, mund të dijmë se ku synojmë të shkojmë.
Siç e deklaroi udhëheqësia e IKEA së fundmi, ne sot po përjetojmë një ‘pikë ngopjeje me rrova’. Konsumatorët nuk kanë pasur kurrë më parë kaq shumë rroba me çmime kaq të ulëta. Që të jemi më të saktë, ne kemi blerë 100 për qind më shumë veshje këtë vit nga sa kemi blerë 3 vjet më parë dhe ne i veshim ato që blejmë mesatarisht shtatë herë gjithsej para se t’i hedhim. Në rang botëror, kjo do të thotë se kemi të bëjmë me 150 miliardë veshje të reja të prodhuara në botë çdo vit.
Lindja e modës së fundit
Kjo rritje dramatike e sasisë erdhi për shkak se barrierat e tregtisë u ulën dhe kjo krijoi incentiva financiare për markat që e dërguan prodhimin në vendet me kosto më të ulët pune. Kjo bëri që çmimet e veshjeve të binin dhe konsumatorët të përballonin financiarisht më shumë blerje duke shpenzuar më pak para.
Që të japim disa të dhëna pas kësa, më 1965, kur barrierat e tregtisë qenë në fuqi, 95 për qind e veshjeve që mbanin amerikanët qe prodhuar në SHBA. Edhe në vitin 1990, 50% e veshjeve tona sërish qe prodhim amerikan, ndërsa aktualisht më pak se 2 për qind është e tillë. Ky transferim i prodhimit solli reduktim në masën 80 për qind të vendeve të punës në fabrikat e veshjeve mes viteve 1990 dhe 2011.
Natyrisht, ne nuk kemi nevojë për kaq shumë veshje. Qe pasojë e ngritjes së modës së shpejtë, një model biznesi i mbështetur te fabrikimi i supertendencave dhe veshjeve që nuk jetonin gjatë të cilat bindën konsumatorët që të akumulonin sa më shumë veshje.
Që t’i bënin veshjet mjaftueshëm të lira për këtë lloj modeli përdor dhe hidh, kërkohej njëkohësisht punë e lirë dhe materjale të lira. Por tani po rezulton se të dyja këto inpute të lira kanë ardhur me kosto të stërmëdha të pallogaritura.
Kostoja reale e mallrave të lira të konsumit
Në mënyrë që të marrim çmime më të ulëta, ne kemi përdorur materjale më të lira: poljestër, një pkastikë që prodhohet nga lëndët fosile. Sot poljestra përbën deri në 50 për qind të të gjitha veshjeve. Kjo është problematike për dy arsye kryesore: e para, poljestra nuk është e biodegradueshme, kështu që çdo copë rrobë e tilë që është prodhuar ndonjëherë është ende me ne në një formë a në një tjetër. E dyta, poljestra, krahas të tjerave të familjes së saj të fijeve sintetike, kërkon një sasi të stërmadhe energjie për t’u prodhuar.
Kjo nuk lidhet thjeshtë me atë që po prodhohet për veshjet tona por edhe me atë se ku po prodhohen veshjet tona. Procesi ynë prodhues i cili është intensiv nga konsumi i energjisë, po dërgohet në vendet që kanë energjinë më të pistë të mundshme. Kështu ne jo vetëm që po zhvendosim prodhimin, por ne po zhvendosim dhe zgjerojmë edhe ndotjen.
Për rrjedhojë, 10% e gjurmës karbonike të botës sot vjen nga industria e veshjeve (sa për krahasim, e gjithë industria e aviacionit është përgjegjëse për 2% të gjurmës së karbonit.) Industria e veshjeve është gjithashtu ndotësi i dytë më i madh i burimeve të ujit në botë.
Dhe nuk janë vetëm lëndët e para të lira që ne po përdorim. Gara e industrisë sonë për inpute më të lira ka gjetur punëtorët në anën me të vërtetë më të ulët të spektrit të pagave në vende që kanë shumë pak mbrojtje ligjore apo reale për punëtorët. Ndërsa ne mund të jemi krenarë për rolin që industria jonë mund të luajë në krijimin e vendeve të punës dhe për potencialin që ka për të hequr njerëzit nga kushtet e varfërisë, e vërteta shkatërrimtare është që pagat e ulëta, puna e detyruar dhe kushtet e këqija dhe të rrezikshme të punës, krahas shfrytëzimit të punës së fëmijëve janë tashmë realitet i shtrirë në të gjithë zinxhirin e furnizimit të industrisë së veshjeve.
Siç raportoi UNICEF mbi punën e detyruar, rekrutuesit i bindin prindërit në zonat e varfra rurale të dërgojnë vajzat e tyre në vendet e punës në fabrikë me premtime për punë të mirëpaguar, strehim të mirë, tri vakte të shëndetshme në ditë dhe mundësi për trajnim dhe shkollim. Ata premtojnë një pagesë bonus në fund të një periudhe të caktuar. Në realitet, këto fëmijë punojnë në kushte të tilla që përbëjnë skllavërinë e vërtetë të kohës sonë.
Konsumatorët po i kthejnë kurrizin këtij modeli
Dollapët e konsumatorëve po shpërthejnë, fabrikat tona po ndosin mjedisin dhe punonjësit tanë po abuzohen. Përveç dy apo tri kompanive që po përfitojnë nga ky kaos, është e vështirë të shohësh se kush po fiton nga ky zinxhir i vlerës.
Nëse kërkimet në Google apo librat e shumëshitur të Marie Kondo tregojnë ndonjë gjë, interesi për të ndaluar kaosin në shtëpi është sot shumë i lartë. Konsumatorët janë ngopur. Ndërsa kënaqësia e modës së lirë është nga pikëpamja neurologjike shumë e vërtetë, konsumatorët po përjetojnë njëkohësisht edhe rraskapitje mendore nga akumulimi i gjithë këtyre rrobave të lira.
Konsumatorët duket se tashmë po priren nga rregulli dhe thjeshtësia dhe po duan t’i shpenzojnë paratë e tyre në eksperiencë dhe vlerë dhe jo thjeshtë në sasi.
Sarah Quinlan analiste tregu te MasterCard na tha ne se ajo po vërente një ndryshim të fshehtë, duke sugjeruar se konsumatorët sot janë më pak të shqetësuar për shpenzimin e parave dhe më shumë të shqetësuar për përdorimin e parave për përmirësimin e jetës.
Kjo është një shenjë se ne mund të jemi pranë fundit të rrethit. Bollëku qe kënaqësi për një periudhë kohe por nuk po i plotëson më dëshirat tona.
Po tani?
Pra kjo është panorama ku ne gjendemi sot. Ne kemi një sistem të shkatërruar dhe një konsumator të uritur për ndryshim. Ky skenar thotë se ne kemi gjithashtu një mundësi – një mundësi për të krijuar një të ardhme të ndryshme.
Vajtja atje ku ne duhet të shkojmë kërkon aftësi udhëheqëse dhe novacion nëpër të gjithë ekosistemin e modës: institucionet shumëpalëshe nga OKB te Forumi Ekonomik Botëror duhet të krijojnë lidhjen mes industrisë së veshjeve dhe zhvillimit mjedisor e ekonomik. Kjo kërkon që gazetarët të ekspozojnë ndikimin që ka prodhimi i veshjeve dhe t’i udhëheqin lexuesit drejt zgjidhjeve të mundshme apo t’i ndihmojnë ata të dallojnë gënjeshtrat me reklamat e kompanive për produkte “të gjelbra”, (greenwashing).
Kjo krijon nevojën që markat të zbatojnë praktika të zhvillimit të qendrueshëm nga dizenjimi te prodhimi brenda bizneseve të veta. Kjo kërkon që personat me ndikim, ata që dinë të shkruajnë, të tregojnë bukurinë dhe përfitimet e të jetuarit thjeshtë, t’u tregojnë të tjerëve se thjeshtësia në mendje, trup dhe veshje është fuqia i vërtetë. Dhe kërkon gjithashtu që institucionet arsimore t’i mësojnë gjeneratës tjetër aftërisë e nevojshme për të identifikuar problemet dhe për të gjetur mundësitë për përmirësim.
Duke punuar sëbashku, ne mund të luajmë një rol të rëndësishëm në krijimin dhe frymëzimin e një të ardhmeje të pastër./BIRN