Dashuria e shqiptarëve për Shtetet e Bashkuara e tejkalon masën.
Pas bustit të ish-Presidentit Xhorxh Bush në Fushë-Krujë, tani do të kemi edhe bust tjetër, atë të Hillari Klinton
Këshilli Bashkiak i Sarandës miratoi sot vendosjen e një busti të ish-Sekretares amerikane të Shtetit, Hillari Klinton në Bulevardin qendror të qytetit.
Vendimi u mor pas propozimit të kryetares së Bashkisë së Sarandës Floriana Koka ,në nderim të mbështetjes së saj për shqiptarët. Busti është vepër e skulptorit Idriz Balani.
Këshilltarët bashkiakë të qytetit në skajin më jugor shqiptar vlerësuan kontributin e Hillari Klinton për çështjen shqiptare dhe miratuan propozimin.
Në Shqipëri dhe Kosovë janë vendosur vitet e fundit buste të figurave të njohura amerikane.
Krahas bustit të ish-Presidentit Uillson në Tiranë dhe bustit të ish-Presidentit Bill Klinton në Prishtinë, një bust edhe ish-Presidentit Xhorxh Bush është ngritur në Fushë-Krujë në nderim të vizitës së tij në këtë qytezë të vogël.
Ndërkohë në Fier është vendosur një bust i diplomatit Ricard Hollbruk.