Nga Helidon Tahiraj
Një ditë, gruaja më tha të merrja librat e djalit në librari.
-“Ik o burrë, aman!,- foli, -se kanë dalë të reja. Janë tekste alternative”.
S’e mora vesh ç’ishin këto në fillim, por falë bashkëbisedimit e kuptova.
-“Janë tekste që alternojnë mësimin me qejfin”, -sqaroi ajo.
– “Unë alamet burri të shkoj të marr librat?!” – fola, duke bërë sikur nuk doja të shkoja.
– “Po shko o babi ia priti djali, se atje ka kallaballëk të madh dhe nuk i merr dot mami”.
– “Për ty të keqen babi do shkoj”,- i thashë djalit.
Në fakt do shkoja për vete sigurisht, meqë ato tekste kishin dhe qejfin brenda.
Para se të nisesha për në librari mora Arifin në telefon, shokun tim të armëve dhe e pyeta:
– “Arif, ku ka librari, se s’ kam parë ndonjëherë?”
– “Aty mor burrë ku kemi zënë token për shtëpi për nipin e mbesës tënde ka një librari”- foli Arifi me ton bariu.
– “Lere lere! Alamet vendi i kemi zënë o Arif”- i thashë dhe mbylla telefonin
U nisa për në librari. Ç’ të shikoja aty. Miting i madh. Njerëz që shtyheshin e kapeshin nga ç’të kapnin. Hipur mbi njëri-tjetrin. Shkonte niveli i hipjes, 2 metra mbi nivelin e kokës time. Në xham të librarisë ishte një parullë e madhe ku shkruhej: “Ju lutem telefononi për shkeljet në nr. tonë të tel. të Ministrisë së Arsimit”
Si me kulturë që jam dhe dije të thella shkencore që kam, telefonova.
-“Alooo, jam një qytetar polic. Po marr t’ju lajmëroj për shkeljet që ka këtu në librari”, – kur nga ana tjetër e telefonit një grua mu përgjigj. -“Oooooo shoko, e ke shkel fare me këtë telefonate për shkeljet. Më lër, e mos shkel në rehatinë time se po ha për qejfin tim, bukë, djathë e presh!“ dhe ma mbylli telefonin. Mu duk sikur më mbeti preshi i saj në vesh.
Mu ngritën nervat.- “Hapuni! – i bërtita turmës. -Policia!”
U shpërndanë të gjithë. U afrova gjithë delikatesë te shitësja që dridhej nga emocionet që do më shërbente mua dhe i thashë gjithë mirësjellje:-“Shpeeeejt!Më jep këto libra që janë në listë !”
E pashë që ajo m’i dha me qejf të madh. Kur dola jashtë dyqanit pashë që në vend të listës së librave, i kisha dhënë shitëses listën e grafikut të shërbimit, të neve policëve. Ia hodha shtetit. I mora librat pa para…
U nisa në shtëpi dhe i hodha librat djalit dhe vetë u ula për 8 palë qejfe mbi qilim e po mendoja si ta luftoja krimin. Në fakt kurrë nuk i siguroj vetes 7 palë qejfe, siç bëjnë shumica. Përherë i jap bakshish vetes, kur bëhet fjalë për qejf. Pas pak, më pyet djali:
-“O babi! Këtu thotë që Lufta e Trojës mund të mos ketë ndodhur dhe është vetëm një gënjeshtër e Homerit. Nuk di kujt t’i besoj?! Ka ndodhur a s’ka ndodhur kjo “Lufta e Trojës”?!
– “Ç’është kjo luftë të keqen babi? Ne të repartit tonë, s’kemi bërë asnjë luftë. Vetëm luftojmë me njeri-tjetrin kush do bëjë turnin e tretë, se flemë rehat në punë dhe një herë në vit marrim ndonjëherë ndonjë shtesë rroge.”
– “Po ajo Helena e bukur, o babi, për te cilën u vranë shumë burra”.
– “Nuk e di babi këtë “Luftën e Trojës”, ka ndodhur ,apo s’ka ndodhur, por baba di që për atë Helenen dhe gjithë gratë e bukura, ne meshkujt do lemë përherë leshtë e kokës, madje edhe lëkurën- iu përgjigja djalit. – “Hajt’, mëso tani e më lër të numëroj sa lekë kam nxjerrë dje”.
Po numëroja paratë dhe luaja me rripin e pantallonave, kur prapë ia pret djali.
– “O babi, ke dëgjuar për Çajupin?”
– “Po si jo, o të keqen babi. – Çajupi është mal në Lushnjë. E di mirë babi, se kam ndjekur në bjeshkët e Çajupit një kriminel të rrezikshëm që i vodhi dhinë Arifit. E kemi zënë, e kemi bërë që nuk njohu veten nga dhia. Ia nxorëm brinjët njëlloj si brirët e dhisë”.
– “Po jo o babi, jo!”- bërtiti djali. – “Po them për Çajupin, poetin”.
– “Nuk kemi asnjë polic-poet me emrin Çajup në repartin tonë – ia ktheva djalit duke ngritur edhe supet nga habia. – “Pyet mamin mos ka pasur ndonjë në kooperativë me këtë emër!”.
– “Po jo, o jo!”- ia priti prapë djali. – “Çajupi, poeti, që ka shkruar vargjet ”Dërgomë një gur dërgomë, ta vë jastëk ndënë krye!”.
– “Po pse nuk ia dërguat gurin Çajupit ju o babi, por e latë Çajupin pa gur?!” – shtoi djali.
U shtanga!
-“Si more i ka mbetur guri pa dërguar këtij?!”- bërtita.
– “Për kokën tënde nuk e di, babi. Do ketë qenë posta mbyllur.- Bobo, i paska mbetur guri Çajupit pa dërguar. Po shkoj t’i them Arifit dhe komandantit ,se duhet vënë amaneti në vend”- ulërita.
Djali herë shikonte librin dhe herë mua me çudi.
-“Ikaaaa t’i dërgoj gurin Çajupit!- sokëllita me sa fuqi kisha dhe dola me të shpejtë nga shtëpia….
*Shkëputur nga libri i shkruar pa shkëputje nga puna, “100 vjet. Xurxull, apo esëll?” me autor Helidon Tahiraj