E ardhur nga Hasi në Tiranë, si shumë familje të tjera nga veriu, për Shkurte Gocin ishte e vështirë të integrohej me jetën e kryeqytetit e aq më tepër të gjente një punë. Lagjia e saj e re në ‘Don Bosko’ nuk kishte asnjë ngjashmëri me vendin ku kishte jetuar më parë. Aq më pak fqinjët e saj që pothuaj nuk i shihte as për një përshëndetje, edhe pse jetonin te dera përballë. Ditën kalonin dhe situata mbeti e njëjtë.
Vështirësitë në jetën e saj ia lanë vendin njëra-tjetrës. Ajo humbi bashkëshortin në krye të detyrës si polic, dhe tashmë mbeti e vetme me fëmijët për të rritur e shkolluar. Sigurisht që i duheshin të ardhura dhe një punë stabël, por si t’ia dilte? Nisi të bënte punime dore, në fillim çentro e punë të thjeshta të cilat i shiste tek të njohurit, por kjo nuk mjaftonte. Pa ta ardhura mënjanë, për të hapur një dyqan të rregullt, zonja Shkurte nisi të tregtonte në mënyrë informale. Por si çdo nismë e tillë e paligjshme ajo u zbulua shumë shpejt, dhe dyqani u mbyll.
‘Nuk kisha para të blija kasën, nuk kisha të paguaja taksat, ndaj u detyrova të veproja kështu,’’ tregon ajo për fillimet e veta.
Por nuk hoqi dorë, as nga pasioni i saj për punën e dorës dhe as nga plani për të hapur një biznes të qëndrueshëm. Puna e dorës ka qenë traditë në familjen e Shkurte Gocit për breza me radhë, ndaj dhe kur u njoh me nismën e Bashkisë Tiranë dhe programit të OKB-së ‘Un Woman’ për fuqizimin ekonomik të grave, Shkurtja nuk e mendoi dy herë të aplikonte. Pavarësisht nëse do fitonte apo jo, ky ishte shansi i saj i vetëm për të ecur përpara.
Ajo ishte një ndër 43 gratë që aplikuan për të nisur një biznes ose të për të fuqizuar biznesin e tyre aktual. Idetë e prezantuara nga gratë u shqyrtuan nga një komision ku të pranishëm ishin dhe dy ekspertë të huaj. Seleksionimi i propozimeve e çoi në 24 numrin e ideve më të mira për biznes. Nga 24 plane biznesi, u seleksionuan 18 projekte fituese që përfituan nga 280 mijë deri në 400 mijë lekë të reja. Znjonja Shkurte, ishte një nga 18 fitueset.
Agjencitë Zvicerane dhe gjermane, Swisscontact dhe GIZ, mbeshtetur nga UN Women dhe qeveria suedeze ofruan njohuri dhe trajnime të specializuara për zonjën Shkurte dhe fituesit e tjerë. Aplikantët e përzgjedhur u trajnuan për menaxhim biznesi, përgatitjen e një plan biznesi, njohuri financiare, dhe zhvillimin e strategjive të marketingut apo brandimit.
Pas trajnimit Shkurte Goci arriti që përmes kësaj nisme të formalizojë biznesin e saj, të ketë një kasë fiskale, të sigurojë lëndën e parë dhe të ketë një plan biznesi me perspektivë në të ardhmen. Sot ajo nuk thur vetëm çentro, por stilon dhe qep veshje popullore të të gjitha trevave shqiptare, të cilat preferohen shumë nëpër dasma. ‘’Është bukur kur sheh që njerëzit i janë rikthyer traditës, dhe përdorin veshje të tilla në gëzimet e tyre familjare. Në këtë mënyrë unë mbetem e kënaqur jo vetëm me ecurinë e punës, por edhe me ruajtjen e traditës së këtyre veshjeve të mrekullueshme,’’ thotë zonja Shkurte.
Ajo shpreson që ta zgjerojë klientelën e saj sepse deri më tani nuk ka pasur mundësi promocioni përveç ndonjë panairi, por është e sigurt se klienti që vjen një herë, nuk e harron kurrë dyqanin e saj.
Falë “Fondit të Grave Sipërmarrëse” që u lançua në vitin 2016 nga Bashkia Tiranë sot 18 gra kanë hapur apo zgjeruar biznesin e tyre. UN Women mbështeti Bashkinë për të hartuar një ‘Udhëzues Operacional’ që i ndihmoi për të konkretizuar këtë projekt, metodologjinë, menaxhimin, kriteret, hapat etj.
Qëllimi i kësaj nisme ishte mbështetja e grave në sipërmarrje të vogla duke rritur në këtë mënyrë përfshirjen e tyre në jetën social-ekonomike të vendit, rritjen e punësimit të tyre, por dhe përmirësimin e jetës së tyre familjare. Ndërkohë duke u nxitur nga kjo nismë Bashki të tjera të vendit kanë shprehur interes për të aplikuar këtë program në qytetet e tyre. E.D