Në ditën Ndërkombëtare të Përkthimit, Ministria e Kulturës ka publikuar katalogun e bibliografisë së përkthimeve në Shqipëri në vitin 2016.
Numri i titujve të publikuar arrin në 526, por këtu përfshihen edhe botimet me disa vëllime, librat e përkthyer nga shqipja në gjuhë të tjera, si edhe libra të konvertuar në format audio.
Nga një vëzhgim i SCAN, rezulton se pjesa dërrmuese e këtyre botimeve, 217, janë përkthyer nga gjuha angleze, ose rreth 50% e titujve.
Gjuha italiane vjen e dyta në këtë renditje, ndjekur nga ajo frënge me përkatësisht 47 dhe 44 tituj të përkthyer. Një numër të lartë përkthimesh ka dhe nga gjuha gjermane e ajo turke me 26 e 23 tituj.
Ndërkohë, të pranishme në treg, por me një numër të kufizuar botimesh janë gjuha arabe, spanjolle, greke dhe ajo ruse. Ndër librat e përkthyer në shqip, ndonëse me botime sporadike, futen edhe gjuhët portugeze, japoneze, rumune, bullgare, çeke dhe gjuhët nordike.
Nëse do të krahasonim përqindjet që zënë botimet për secilën gjuhë në raport me përqindjet e kuotave në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, rezulton se për gjuhën angleze duhet të kishte një numër më të lartë kuotash, krahasuar me ato aktuale, vetëm 240.
Disi në proporcion janë gjuhët italiane, frënge dhe turke, ndërsa ajo gjermane paraqitet me kuota më të larta, ndoshta prej perspektivës për zhvillim në të ardhmen. Nëse gjuha greke mund të justifikojë 85 kuotat dhe 12 botimet, me nevojat për përkthime të ndryshme dokumentesh, e njëjta gjë nuk mund të thuhet për gjuhën ruse, e cila ka po kaq kuota dhe po kaq libra të botuar.
Të pajustifikuara mund të themi janë edhe kuotat për gjuhën spanjolle (95) për vetëm 14 tituj të botuar. Gjuha e dytë më e folur në botë duket se nuk është në preferencat e lexuesve shqiptarë.
Pavarësisht faktit që nuk ka asnjë kuotë në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja për gjuhën arabe, ajo në vitin 2016 erdhi me 15 botime të përkthyera.
Si vend anëtar i UNESCO-s, prej vitit 1969, Shqipëria kontribuon në Index Translationum me botimet e përkthyera brenda vendit. Në këtë katalog përfshihen botimet nga afro 190 shtete të botës dhe përbën një ndihmesë të madhe për studiues, përkthyes dhe lexues./SCAN