Megjithëse spoti i Luana Vjollcës për programin e saj të ri nuk rrëfente asgjë më shumë veç ditës në të cilën do të transmetohej në ekran, surprizat janë ruajtur deri në ditët e fundit. Luana, megjithëse shfaqet vetëm në klipin që prezanton programin, në të vërtetë nuk do të jetë vetëm në moderim. Siç ka mësuar revista Who, bashkë me të në drejtimin e “Kush luan në Top Channel”, do të jetë edhe Edi Manushi.
Sapo i është larguar nga “Procesi sportiv” Marina Vjollca, me të cilën Manushi prezantoi për disa vite, tani është radha e Luanës të përshtatet me të. Ose Edi të përshtatet me Luanën.
Show i së shtunës pritet të sjellë një format të ri argëtues, i cili do t’i “testojë” personazhet e njohur në një profil të ri, duke i bërë ata protagonistë të lojërave të ndryshme, të cilat nxjerrin në pah aftësinë për t’u përgjigjur shpejt dhe saktë. Autorësia e “Kush luan” i është besuar moderatorit të njohur radioteleviziv, Blendi Salaj.