E teksa lamë pas një festë, e cila për hir të së vërtetës nuk festohet në masë në Shqipëri, Halloween, kryebashkiaku Erion Veliaj na fton të bëhemi gati për 29 nëntorin, pasi diçka shumë e bukur na pret.
Siç është tashmë një traditë, Nata e Bardhë, festa simbol e kryeqytetit, ka sjellë në Tiranë artistë shumë të njohur dhe të dashur për shqiptarët, dhe nuk kishte si të ndodhte ndryshe edhe këtë vit. Pasi sfiduam temperaturat e ulta nën tingujt e muzikës italiane, Giusy Ferreri, tashmë është radha e muzikës britanike. Më 29 nëntor do të performojë në sheshin “Nënë Tereza” këngëtarja britanike, Emeli Sande e cila do të sjellë për publikun shqiptar disa prej hiteve të saj si “My kind of Love” “Hurts”, “Read all about it”.
Lajmin e ka dhënë vete kreu i Bashkisë Erion Veliaj, nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale. 29 nëntori do të jetë i mbushur me aktivitete të ndryshme, të cilat do të arrijnë kulmin me performancën live të një prej këngëtareve më të mira të momentit, Emeli Sande.