Venera Lumani dhe Lind Islami, kanë pak kohë që kanë hyrë në shtëpinë e tyre të re, por nëse ka një problem për të cilin çifti grindet më shpesh në shtëpi është rrëmuja. Venera, një maniake e rregullit dhe e pastërtisë, ndërsa Lindi krejt e kundërta e saj. Rrobat e tij mund t’i gjesh gjithandej nëpër shtëpi. Por që kjo situatë të ndryshojë, meqë i erdhi rasti, Venera vendosi që t’ia nxjerrë bojën partnerit të saj edhe në publik.
Kështu, meqenëse Lindi ishte sot pjesëmarrës në Këngën Magjike, pak para se të këndojë këngën e tij të re, Arditi i kërkoi që të shkonte në zyrën e tij. Pasi hyri atje, Lindi u përball me një rrëmujë “të frikshme”. Rrobat e tij ishin përhapur gjithandej: ca çorape mbi tryezën e punës, bluza, pantallona, kanotiere vend e pa vend.
Ndërsa Arditi i kërkoi Lindit që t’i paloste një nga një e t’i fuste në valixhe, e pyeti se si reagon Venera sa herë që ai e lë kështu shtëpinë: “Më thotë sa mirë që më le ca punë, se s’kam ca bëj gjithë ditën”, – tha ai i zënë ngushtë. Ndërsa për çorapet, problemi i tij i madh, me të cilin grindet me Venerën, Lindi thotë se i lë gjithmonë në tokë: “Po ku t’i lë tjetër?” – pyet ai i ndier në faj.
Duke pranuar se jo vetëm në shtëpi, por edhe në karakter ndihet pak rrëmujë me raste, Lindi, megjithatë, thotë se, në fakt, vetëm i ka dalë nami i keq. Nuk është gjithmonë kështu…
Të paktën, vajzat janë pak më të qeta tani. Nuk qenka edhe aq djalë për shtëpi.