Me rastin e Ditës Kombëtare të Shqipërisë dhe pritjes së organizuar nga komuniteti shqiptar me këtë rast në Klubin Diplomatik në Bukuresht, u nderuan miq të mëdhenj të popullit shqiptar, akademiku Grigore Brancus, përkthyesi i mirënjohur dhe shkrimtari Marius Dobrescu dhe ambasadori Gheorghe Micu, të cilëve iu dha një Diplomë Nderi si dhe një Pllakë përvjetori për kontributin e tyre në promovimin e miqësisë dhe lidhjeve shqiptaro-rumune, por edhe në fushën e shkencës e kulturës.
Të nderuarit miq të Shqipërisë morën urimet dhe mirënjohjen nga të gjithë pjesëmarrësit.
Programi i festimit të ditës së flamurit përfshiu valle popullore shqiptare dhe një recital me këngë lirike qytetare shqiptare, të interpretuara profesionalisht nga artistja lirike Florentina Barbu dhe nga kitaristi Daniel Berteşteanu.
Në këtë eveniment festiv morën pjesë Alin-Bogdan Stoica, deputet në Parlamentin e Rumanisë dhe Radu-Cozmin Săvulescu, kryetar i shoqatës ALAR. Morën pjesë, gjithashtu, personalitete të kulturës rumune me origjinë shqiptare, anëtarë të komunitetit shqiptar historik të Rumanisë, si shkrimtari dhe dramaturgu i shquar Vlad Zografi, trashëgimtar i familjes së Dhimitër Zografit, një nga nënshkruesit e dokumentit të pavarësisë, vajza e poetit të shquar me origjinë shqiptare Cezar Ivanescu, shkrimtari me origjinë shqiptare dhe arkeologu i mirënjohur Dr. Liviu Lungu, profesorja universitare me origjinë shqiptare, Daniela Bordea etj.
Ishin të pranishëm edhe studiues e profesorë universitarë si albanologia Catalina Vatasescu, studiuesit Nicolae Saramandu, Manuela Nevaci etj. Aktivitetin e nderuan një numër i madh politikanësh, deputetë të parlamentit të Rumanisë, diplomatë, këshilltarë të Presidentit të Rumanisë, njerëz të kulturës, universitarë, gazetarë, miq e dashamirës të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Kanali kryesor TVR1, përgatiti një emision të posaçëm me rastin e Festës Kombëtare të Shqipërisë.
Është për të ardhur keq se në këtë eveniment, organizuar nga komuniteti shqiptar i Rumanisë, nuk mori pjesë Ilir Tepelena, Ambasadori i Shqipërisë në Rumani. Ky ambasador ka munguar edhe në veprimtari të tjera, me rëndësi të posaçme për kulturën dhe komunitetin shqiptar, siç janë promovimi i librit të poetes së mirënjohur shqiptare Rita Petro, simpoziumi kushtuar 70-vjetorit të vdekjes së Asdrenit, takimet me personalitete rumune, jeta dhe aktiviteti i të cilëve ka qenë ngushtësisht i lidhur me Shqipërinë, gjuhën dhe kulturën shqiptare.
Kushtrim Kastrioti, Bukuresht