Anna ka filluar të kuptojë emocionin e artistëve, emocionin që të dhurojnë duartrokitjet e publikut dhe jo më nga skena e shkollës dhe aktivitetet e saj, por tashmë nga skena e madhe e Pallatit të Kongreseve. Mbrëmjen finale të Këngës Magjike, së bashku me Arditin, ajo këndoi këngën e parë të saj me të atin. “Për ty” ishte një këngë e krijuar dhe dedikuar asaj. Jo më kot, Arditi priti këtë moment pas shumë viteve mungesë dhe motivin e gjeti pikërisht tek e vogla e tij.
Por Anna kaq deshi. Sonte, në festën e mbledhur në “E diela shqiptare”, Arditi zbuloi edhe çfarë i tha e bija pas këngës: “Babi, pasi të këndojmë këngën, ku do ulem?” “Ti do ikësh, se aty mund të hapet ndonjë muhabet…” – ia ktheu Arditi duke e shprehur hapur “frikën” që e vogla të mos ndikohej nga ajo çfarë mund të dëgjonte mes artistëve: “Po e njëjta gjë do jetë, sepse njëlloj do ta shikoj votimin nga televizori” – ia kishte kthyer Anna.
Meqenëse sot producentit iu kërkua që ta këndonte edhe një herë “Për ty” me Annën, e ftoi vogëlushen e tij në skenë, por këtë herë e vendosi në tryezë mes artistëve. Në fund të fundit, ajo tashmë është artiste dhe i bën mirë të mësohet edhe me paraskenat.