Quantcast
Channel: Kulturë – Tirana Observer
Viewing all articles
Browse latest Browse all 1468

Arratisja e Luftar Pajës: Ika nga brekët e Shukriut dhe nga pordhët e Saliut…

$
0
0

Artisti i shquar i humorit, Luftar Paja nuk është këto ditë në Tiranë. Prej disa ditësh ai ndodhet në Orikum të Vlorës, në vendin ku atij i pëlqen të kalojë muajt e verës.

Mirëpo, ndryshe nga herët e tjera, këtë vit Luftari është “arratisur” nga Tirana më herët, papritmas dhe me një ngut të paparë. Kur Luftari është në Tiranë unë takohem thuajse çdo ditë me të dhe ndajmë hallet dhe shqetësimet e kohës që jetojmë.

Në fakt, rrahim ujë në havan, sepse askush nuk i dëgjon dhe nuk shqetësohet nga këto kontestimet tona. Mirëpo, pak ditë që mungoi Luftari dhe unë e shokët e tjerë e ndjemë mungesën e tij.

Dhe i telefonova menjëherë tepër i shqetësuar. Ja biseda autentike që bëra me Luftarin dhe që po e botojmë në vijim:

– Alo! Luftar! Ku je? Na ke bërë merak të gjithëve?

– Po ku të jem, o Xhevdet? Këtu në Orikum jam. Erdhi behari…

– E di, o Luftar që nuk të ndahet xhani nga Orikumi e nga Vlora. Po sivjet ke ikur si më shpejt nga herët e tjera… Si është puna? Pate ndonjë hall?

– Ta them unë, po më përpara më thuaj ti si po vete reforma në drejtësi? Do ia vënë vulën këtë behar apo jo?

– Aq shumë merak e ke Luftar? Hap televizorin e lexo gazetat të marrësh vesh se çfarë bëhet. Sidoqoftë me sa duken bathët janë larg pashkët…

– Jo, nuk shikoj televizor. Edhe gazetat me raste i lexoj, kur më thonë miqtë për ndonjë gjë interesante. Kam rënë rehat këtu… Domethënë prapë s’kemi gjë në torbë hë për hë e do na duhet të presim edhe kushedi sa kohë. Prapë do shikojmë ëndrra me sy hapur… Kur isha aty në Tiranë pashë një ëndërr që nuk di si ta shpjegoj. Në gjumë m’u bë sikur ishte gati për t’u votuar reforma, salla e parlamentit e mbushur plot e përplot, deputetët ishin të qeshur pasi më në fund ishte arritur konsensusi. Ne të gjithë i kishim sytë e zemrën në atë sallë dhe na ishte bërë zemra mal nga ajo dashuri dhe mirësi që rrezatonin fytyrat e deputetëve. Kur sa hapi gojën kryetari për të filluar votimi, u ngrit Saliu me një palë brekë në dorë dhe u bë shamata e madhe. Saliu u nxeh e tha: Nuk jemi dakord… Dhe duke tundur brekët doli nga salla. Pas tij fësht ia mbathën të gjithë deputetët e PD-së që nga Jozefina, Edi Paloka, Kastriot Islami, Flamur Noka, Arben Ristani… Nuk e di pse nuk më zuri syri Eduard Halimin… Mbase do ta kisha parë edhe atë, po aty më doli gjumi dhe ëndrra u prish.

Ore, mos po bën ndonjë gomarllëk e m’i nxjerr në gazetë këto muhabetet që bëjmë…

– Në asnjë mënyrë! Do them vetëm ndonjë gjë nga këto muhabetet e tua se kam vënë re që të pëlqejnë lexuesit…

– Mirë, po me një kusht: Mos më përziej me politikën. Aman! Më ka ardhur në majë të hundës…

– Po kush të tha se do të pyesja për politikën?

– Jo e thashë kot me që erdhi llafi. Dhe sidomos mos më pyet për Saliun… Aman, të keqen…

– Meazallah! Absolutisht jo. Vetëm po të pyes prapë: më thuaj pse ike nga Tirana më herët se vitet e tjera?

– Ta them troç: M’u mërzit Tirana. Dhe e di pse m’u mërzit: Nga brekët e Shukriut dhe pordhët e Saliut. Hapja televizorin në shtëpi dhe nuk e kuptoja nga vinte një erë e keqe. Dilja në rrugë, sa takoja një mik, pyetja e parë që më bënte: E pe atë kryetarin e Dibrës me brekë? Shkoja në kafene: I njëjti avaz: Brekët e Shukriut e dënglat e Saliut. Besoje apo jo, po këto ma bënë të pamundur qëndrimin e mëtejshëm në Tiranë, deri nga vjeshta, sa të jenë harruar këto gjëra të neveritshme. Ja, për këtë ia mbatha të mbledh mendjen e të qetësoj shpirtin.

– Po mirë o Luftar, ç’punë kanë brekët e Shukriut me fjalimet e Saliut?

– O miku im, ti jeton në këtë dynja, apo jo? Po Shukriu, ai fakiri i Dibrës ra viktimë për të justifikuar lojën e Saliut…

Luftar  Paja dhe Pellumb Kulla

Luftar Paja dhe Pellumb Kulla

– Nuk po të kuptoj Luftar. Videoja e kryetarit të bashkisë së Dibrës ishte origjinale. Ç’hyn këtu Saliu?

– Si ore nuk hyn? Akoma nuk e ke kuptuar se këto janë lojërat e Saliut? Se në vend të merreshin me punë të tjera të rëndësishme, u bë një muaj e ca që flitet vetëm për Shukriun. Po aty janë vrarë njerëz në mes të Tiranës dhe nuk u ka hyrë gjemb në këmbë. Aty është bërë kërdia me korrupsion dhe ke dëgjuar të dënohet ndonjëri? Jo. E pra, tani e kuptove ku e kam llafin?

– Jo, ende  nuk e kam kuptuar plotësisht…

– Jazëk të qoftë! Ja po ta them unë! Këto janë skenare që i kurdis vetëm një dorë: dora e Berishës. Pse do thuash ti? Që të mos bëhet reforma në drejtësi. Kjo është e gjitha. Prandaj Saliu shet pordhë tani…

– Më fal Luftar, por në këtë mënyrë të foluri duket se po fyeni një ish-president dhe një ish-kryeministër që e ka dominuar skenën politike të këtij vendi për 25 vjet me radhë…

– Ore ti thuaj çfarë të duash për të. Bëje dhe mbret të planetit Mars po deshe. Por ai është ai që është. Nuk të thashë kot që në fillim që vetëm për Saliun mos më pyet… I kam prerë një herë e mirë urat me Saliun unë… E ftova vjet për kafe, i thashë të linte politikën e ta linte të qetë këtë vend. E këshillova të dilnim e të shëtisnim kalamaqërit, domethënë nipërit e mbesat, po ai nuk më dëgjoi. Unë i dola borxhit. Nashti le ta mbajë! Le të lexojë edhe ato që shkruan Pëllumb Kulla nga Amerika… Le të lexojë edhe vjershat e Arben Dukës… Nejse, kot ta thashë këtë, prandaj të kërkova që në fillim të mos më pyesje për Saliun…

– Nuk të pyeta për Saliun, o burrë i dheut. Desha vetëm një sqarim…

– E, ça sqarimi do?

– Po ja. Saliu foli në Kuvend dhe foli si di ai të flasë, me të shara e të bërtitura. Përmendi edhe Enverin dhe kërkoi dekriminalizimin e Kuvendit… Për atë fjalor u dënua me 10 ditë përjashtim nga seancat e Kuvendit… Dhe u dënua për herë të dytë, pa u bërë një muaj. E keqja se për aq ditë sa është dënuar Saliu, e gjithë PD-ja do rrijë jashtë Kuvendit. A nuk tregon kjo se kush i bllokon reformat?

– (Qesh me të madhe) Paska dalë ajo ëndrra që të tregova. Nuk po shikoj të lëvizë ndonjë gjë. Edhe llafet që u thanë janë pordhë. Mirëpo kemi një llaf ne këtej nga jugu: Nuk tundet haleja nga pordhët. E ça iu prish Saliut pse e dënuan me 10 ditë? Hiç o gjë. Është njëlloj sikur të dënosh mikun tim Hodo Hodajn me 10 ditë të vijë të hajë peshk e të pijë verë e raki me mua këtu te Babalja në Orikum. Po deshi le të vijë edhe me shokë të tjerë. Le të vijë me Rifatin, me Ymerin, me Moikomin. Bashkohu edhe ti me ta po munde… Ore, e kuptoni se ata po tallen me këtë popull?

– Me ne të DITA-s e ke Luftar?

– Jo or jo, nuk e kam me ju të DITA-s. E kam me ata të politikës së madhe. Se ju të DITA-s ua jepni në lule të ballit. Po dëshira ime është që ato që shkruani ju t’i lexojnë politikanët e qeveritarët e t’i bëjnë realitet. Do bëhet realitet apo jo, këtë nuk ua them dot. Se për politikën ka një llaf të rëndë që nuk ma nxë goja ta them…

– Mos deshe të thuash ‘e përdalë’?

– E the ti. Unë nuk thashë gjë…

Intervistoi Xhevdet Shehu – Botuar sot në DITA


Viewing all articles
Browse latest Browse all 1468


<script src="https://jsc.adskeeper.com/r/s/rssing.com.1596347.js" async> </script>