Në albumin e ri të Gentit, për të cilin puna ka nisur prej kohësh, kishte edhe një këngë për Andian, partneren e tij prej më shumë se 6-vjetësh tashmë (në fakt ka disa këngë për Andian ka thënë vetë Genti në një intervistë të para disa muajve për “Pasdite në Top Channel (lexo KËTU)”.

Ashtu si ai, edhe Andia është e pafjalë. U gëzohet sukseseve të Gentit pa zhurmë, sepse e di që i dashuri i saj, pas kësaj merr të tjera përgjegjësi mbi vete dhe, ç’është më e rëndësishmja, tani jo më vetëm për vete dhe për të, por për të gjithë Shqipërinë.

Kështu ndodhi pas “Mall” – kënga që ai krijoi në një moment vetmie, larg saj, kur përpiqej të përfytyronte portretin e saj për të nxjerrë mallin. Pastaj tekstin e hodhi në nota, e këndoi dhe ndjeshmërinë e një të vërtete që u ndodh të gjithëve ia përçoi edhe publikut.

Mbrëmë, ndërsa “Mall” këndohej njëzëri nga i gjithë publiku në sallën e madhe të Pallatit të Kongreseve, aty në mes të të gjithëve ishte edhe Andia, së bashku me miq e të afërm të Gentit. Ende pa u përshëndetur me të, Gentit iu desh të jepte intervistat e para, fotot e para, të përballej me gazetarët në Post Festival dhe pastaj të largohej i lumtur bashkë me kupën.

Andia vazhdonte të priste atje, tashmë me sallën “e boshatisur nga njerëzit, por të mbushur nga emocionet e një fitoreje të merituar”, siç tha Kozeta Kurti në Post Fest. E lumtur, pa dyshim, edhe ajo, si edhe Genti, për këtë fitore të njeriut të saj të zemrës, por ndoshta më shumë e lumtur që kënga është e shkruar enkas për të.

“Mall”, në skenën e Eurovizionit do të buçasë nga zëri i Gentit, por edhe nga pasioni e emocioni me të cilin ai e krijoi këtë këngë. Dhe Andias nuk i mbetet tjetër veçse të jetë krenare për atë që ka në krah. Ndërsa vajzave të tjera, përveçse të shijojnë këngën, edhe ta kenë zili …