Quantcast
Channel: Kulturë – Tirana Observer
Viewing all articles
Browse latest Browse all 1468

Shkas nga vëllimi “Unë quhem Dje” i Petraq Ristos

$
0
0

Nga Vaid Hyzoti

Në biseda me krijues në rrjetet sociale, në komente e vlerësime për letërsinë e sotme, kemi përmendur gjithnjë e më shumë Petraq Riston. Ndonëse në këto marramendje botimesh që ka përfshirë “masen”, ku gjithë populli shkruan, vargëzon e bejtezon, madje shpenzon për botime më shumë se për ushqim e veshmbathje, bën promovime pompoze përcjellë (sigurisht me pagesë) edhe nga shtypi, Petraq Risto me librat e tij ka krijuar një personalitet të spikatur, merret si shembull në mes të krijuesve të vërtetë, por çuditërisht ende “harrohet” për t’u nominuar, apo për t’i akorduar ndonjë çmim. Sepse ai është “anarkist”, nuk di të jetë një urë lëkundëse apo e hepuar, nuk di të “përshtatet” me klanet letrare të jurive dhe “të mëdhenjve”, që, siç shkruan në një poezi të hershme kanë “spaleta akulli” dhe kur të dalë dielli, kur të kthjellohet vështrimi, “gradat” e pseudokrijuesve dhe klaneve do të shkrihen dhe ata s’do të jenë as “ushtarë këmbësorie” në armatën letrare.

Nga agjencia e madhe “Amazon” në SHBA para pak kohësh u botua vëllimi “Unë quhem Dje”, që u shtohet librave të publikuar në Francë, Rumani, Meksikë. Edhe pse tashmë në Shqipëri thuajse është bërë e modës, që ndarjen e grurit nga egjra po e përcakton botimi jashtë (mbase ngaqë po besohet se botimet e shtëpive botuese shqiptare bëhen nga niveli i pagesës së autorëve, të cilët “blejnë” edhe vlerësimet), përsëri Ristos ende nuk i japin atë që meriton. Dua të shtoj se “liderët” klanorë të letrave shqipe kanë një lloj xhelozie dhe e “dënojnë” me heshtje një zë të veçantë të poezisë shqipe. Natyrisht disa studiues e kritikë janë ndalur në krijimtarinë poetike të Petraq Ristos, por këto nuk kanë ndikuar te katedrat universitare, te hartuesit e teksteve dhe antologjive, te juritë e konkurseve,  etj.

13059884_10209154885208431_806839008_n

“Unë quhem Dje” është një botim dinjitoz, i një niveli të lartë, ku Risto vjen me një portret të spikatur, me një lëvizje të fuqishme për të shpënë në një stad të ri arritjet e vëllimit “Lojë shahu në shekullin e XXI” (2004), që ishte dhe është një ndër shkallët kulmore të poezisë sonë postmoderne. Libri ka 24 cikle dhe poema. Puna përzgjedhëse ka qenë tepër e hollë. Ndonëse poezia e Ristos ka gjoks me frymëmarrje të fuqishme, ka hapësirë të gjerë me vargje të gjata, ajo nuk e humb aspak lirizmin dhe nuk rrëshqet në prozaizëm, falë mjeshtërisë dhe fjalës plot afsh, ritmit të brendshëm, muzikës për të shprehur dhe të pathënën; ajo bie në sy për refrenet e spikatura si nënvizuese të idesë poetike, për tablotë e shumta dhe inskenimet e imazheve plot jetë. Ndaj nuk ndodh që të kemi përsëritje të poezive brenda të njëjtit cikël, sepse Risto është mjeshtër i ndërtimit dhe zhvendosjes së tablove. “Mbretërit peshojnë pak: pa kurorë e pa skeptër… i varrosim.” Ose “Deti nuk hutohet nga anijet/Po nga shtegtimi i dallëndysheve…”. Apo “Të rrish vetëm do të thotë të trazosh urët e një zjarri të padukshëm”.

E ky kolor i ndërtuar me të zakonshmet, me një dritë ireale që buron sëbrendshmi, të shoqëron në të gjitha poezitë e këtij vëllimi. Autori nuk bie në konceptimet e rëndomta dhe këndvështrimet e konsumuara; vjen me tablo të reja, me ngjyra të papara, me një poezi ekzotike të veshur me fjalët e së përditshmes. Ndërron vendin e tablove, kompozon me shije duke na dhënë emocion dhe ide universale.

LEVIZJA është bërthamë zjarri në çdo poezi të Petraq Ristos. Ata që e njohin poetin, e përcaktojnë “të llastiktë”; ai hepohet, gjuan, ikën, zmadhohet. Petraqi është tërë energji, sanguin i lindur. Brenda pak çastesh e gjen në disa vende. Çuditërisht me këto tipare “personale” më vjen dhe poezia e tij. Ka një lëvizje e një hapësirë të madhe në kohë. Quhet “Dje”, por “lëviz” tek e Sotmja dhe e Nesërmja, ikën në Ferr e Parajsë. “Parajsorët zbresin në purgator … me ashensor Loti”.

Është e njëjta qyqe në ikje dhe në ardhje, ka të njëjtën fole në dy vendqendrime të skajshme… Këtë ndikim të Lëvizjes dhe përjetimit artistik të saj në poezinë e Ristos nuk e përligjin vetëm disa nga metaforat që citova apo i përmenda në ligjëratë të zhdrejtë, por edhe nga shënimet “jashtëletrare” në fund të poezive ku vendoset data dhe vendkrijimi i poezive: në Biblioteken Kombëtare në Tiranë, në Brooklin, në New Jersey, në kafe në Queens, në Manhattan te libraria Barnes&Noble, në tren, në avion, në park… Autori në lëvizjet e kësaj “vetëlejeje krijuese” që i diktoi koha, nuk u zhyt në pezm, në depresion për vështirësite që solli mosvlerësimi dhe përpjekja për mbijetesë e për t’u gjendur gjithnjë pranë familjes, por përjetoi aktivisht realitetin në Shqipëri dhe në Amerikë… Lëvizjet, udhëtimet natyrisht që zgjuan dhe nxitën më tej instiktin e vjetër të këtij poeti globalist. Temat dhe motivet universale, shqetësimi për trazirat e kohës, përjetimi i krizës globale me ankth dhe klithmë, bëhen brum në magjen e tij poetike. Këto veçanërisht spikasin te poemat, por edhe te ciklet “Jeta është folje”, “Lojë në errësirë”, “Veçmas Shekspirit”, “Lotët” etj.

Në këtë ‘Lëvizje sistemesh’, poezia e tij fitoi më shumë frymëmarrje, më shumë forcë, metafora të papërsëritshme, më shumë emocione. Në një vështrim më të thellë që mund t’u bëhet poezive, patjetër duhet ndalur te përqëndrimi i poetit në lëvizjen e sistemeve shoqërore, në zhgënjimin, revoltën në mbështetje të njeriut të thjeshtë apo denoncimin e luftrave të përgjakshme, në frikën për afrimin e luftrave të reja, e këto përjetime i gjen në poemat e njohura “Lajthitje njujorkeze”, “Zogu përqeshës në Nju Jork”, apo në disa nga ciklet. “Disa varin veten në tavanin e ëndrrës/ Nga që këmbët u lodhën së prekuri dyshemenë e sistemit”. “Shtetet vrapojnë kuturu si gra të veja/ Me kokat e burrave në thes…”.

Në parathënien e librit autori shkruan: “Natyrisht kemi mbetur robër të simboleve, përderisa ende kemi sisteme shoqërore ku ligjin e bën pakica, ku vetëm 88 frymorë kanë gjysmën e pasurisë së globit, a thua se janë drejtpërdrejtë bijë dhe nipër të Adamit dhe Evës (nëse dhe ata kanë ekzistuar realisht e nuk janë thjesht simbole)… Natyrisht kemi mbetur robër të simboleve përderisa gjithë himnet e vendeve e popujve të botës kanë në tekstet e tyre fjalët simbol: luftë, gjak, liri, tradhëti, sulm, hero, bashkim, vdekje e në asnjërin himn nuk e gjen fjalën Dashuri…”. Idenë e fundit e ka shpalosur metaforikisht edhe në poemën e njohur “Lojë shahu me Uitmanin”, botuar në librin “Engjëlli me virus H5N1” (2006)

Poeti “pikturon” jo vetëm me ngjyra të ndezura dhe metafora shndritëse, por edhe me grinë e pikëllimit dhe zhgënjimit. “Manhatan: gravurë gri/Shiu sikur bie nga shiringa vertikale qiellçarësesh: i hollë, i ftohtë ky shi/I lodhur nën këtë qiell nëntori. Shi-ri-nga. Shi”. Ose “Atje në udhëkryq janë mbledhur burrat të ashpër si e djeshmja/…Atje në udhëkryq ku loti ndahet në katër pjesë” (Poema “Lajthitje njujorkeze”)

Autori konsolidon atë nismë të hershme të krijimit të poezive me një zë që të lexohen me dy zëra. Shkruan poeti dhe shton zërin e tij edhe lexuesi, madje ai fton lexuesin që të bashkohet me mikun apo partnerin dhe të lexojnë një poezi me dy zëra. Ai beson te muzike e poezisë së tij dhe kërkon ti ngrejë ato në duet. Jo vetëm në nominim, por të duket se në këtë lloj lëvrimi poetik (krejt origjinal) të jepet përshtypja se po reciton, po mban një fjalë poetike krijuesi e me zërin e tij bashkohet kori i dëgjuesve, duket se kështu “firmohet” krijimi i përbashkët. Bëhen “Dy çmendina”, “Lajthitje (e përbashkët) njujorkeze”, “Zogu përqeshes në New York” e shumë të tjera, për të ardhur te “Papiruset”, në ato poezi aq të koncentruara të mendimit filozofiko-poetik, të endur me metafora e urtësi shndritëse… “…syri i dollarit më sheh vëngër: Mona Lizë konspirative”. “Do të mbyllem brenda një plage pa u kthyer në perlë”.

Lëvizjet, kontakti, një lojë shahu në shahun e përditshëm me njerëzimin, një shqetësim që i thuhet vetëm detit, se është aq i madh sa vetëm di ta mbajë, një përkëdheli për qershitë dhe një meditim per te bukuren, nje mirepritje e ftese per pulebardhat, perbejne ato te paperseritshme e origjinale te Ristos.Le të këndojë fort, le të shqyejë gjoksin poeti me protestuesit e Wall Street-it, le të bredhë me kalin e egër, “Eci rrugëve qyteteve dhe fshatrave/ mbi katër patkoj në formën e prangave…”; le të nxjerrë “në treg” zërin e trishtilit… të gjitha këto më se të zakonshme e të përditshme, por vijnë të plota në forcën poetike dhe idetë që përcjellë Petraq Risto, i harruari i pamerituar i letërsisë postmoderne, megjithëse në vlagën e tij krijuese!


Viewing all articles
Browse latest Browse all 1468


<script src="https://jsc.adskeeper.com/r/s/rssing.com.1596347.js" async> </script>