Nga Hamza HATIKA
Sueton Zhugri, ka lindur në Tiranë në 29.11.1971 nga një familje dibrane qytetare.
Dashuria për të shkruar poezitë e para atij i ka ardhur rreth moshës 12 vjeçare, por më intensivisht në vitet e gjimnazit ku edhe formimi i tij vjen në ngritje pa kthim drejt formimit si intelektual, aty edhe do të spikaste pena e tij për poezinë, ndonëse ato nuk bëhen asnjëherë publike.
Shkollën e mesme e kryen pranë gjimnazit, “Petro Nini Luarasi” dhe gjithashtu i kompleton studimet e larta në degën Matematikë në Tiranë.
Pas mbarimit të studimeve si e gjithë rinia e post ‘90-ës ai nis një perkurs të gjatë mërgimi në Itali, ku edhe qëndron për 4-vjet duke kryer profesione të ndryshme për mbijetesë.
Stabilizohet në një moment të dytë në Finlandë, ku edhe jeton aktualisht me familjen e tij.
Pas një viti e gjysmë në Finlandë, Suetoni, fillon punë si ndihmës edukator kopshti për 10 muaj, e më vonë gjeti edhe një punë si mësues italishteje për një firmë private.
Një nga klientët e tij do ishte edhe aktori i njohur i teatrit si edhe interpretues madje edhe në disa filma të njohur apo edhe seriale televizive, Tapani Kalliomäki.
Falë këtij bashkëpunim i suksesshëm do ti hapte shpirtin dhe do ti çonte oksigjen muzës së tij të arkivuar ndër vite, atë të poezisë, prozës dhe madje edhe mjaft tregimeve të shumta.
Tashmë, Suetoni prej vitesh është i punësuar në një firmë transporti ku është edhe një ndër aksionerët e vegjël të saj, por gjatë punës ai mediton dhe dëgjon kolosët e letërsisë duke marrë frymëzimin e nevojshëm për të shkruar në mbrëmje vonë.
Rreth vitit 2013 ku malli për gjuhën, vendlindjen dhe fëmijët që i sheh tek rriten, ai do të rigjejë burimin e duhur për t’ju rikthyer fuqishëm muzës së tij, pasionin e vjetër, (por të paharruar asnjëherë, poezisë, tregimeve, etj. )
Me një konstancë të admirueshme, në një periudhë tre vjeçare ai shkruan rreth 500 poezi, proza e tregime ku mjaft prej tyre kanë komentuesit në grupet intelektuale të zgjedhura në rrjetet sociale.
Gjithashtu nuk mungojnë edhe forma në prozë, disa tregime, dhe kohët e fundit tentativat në këtë drejtim janë bërë më të shpeshta e të suksesshme për ti përmbledhur ato në një botim cilësor, ku redaktimi, korrektimi e përzgjedhja e tyre do të mbetet misioni i fundit dhe i vetëm për të vendosur perlat e dekadave në botim e yij të parë.
Por nuk mundet që puna e tij të flinte në sirtarët dhe rrjetet sociale ku edhe shumë prej tyre vidhen nga të veckëlit që duan të bëhen të mëdhenj mbi kurrizin e të pasionuarve të sinqertë ndaj artit…
Dy prej poezive të Suetonit, botohen italisht në Antologjinë e Dangerous Methods.
Gjithashtu ai fillon punë me një projekt me mjekun neurolog Valter Zanardi, (il neurologo mite) i cili prej vitesh interpreton vepra letrare të njohura dhe të autorëve të rinj premtues.
Realizohen disa video me poezi dhe tregime të përkthyera në italisht, si: ”Poemë mbi lulet e mollës” “Gjithë fajin e ka hëna”, “Mish e shpirt, “Mbi hijet”, poezi, si dhe “Arma” dhe “Ëndërr e fundit” me tregime.
Në veprat e Suetonit, si në poezi, por edhe në prozë, haset shpesh një atmosferë onirike, ku me vështirësi dallohet ëndrra nga zhgjëndrra, si dhe metafora origjinale, unike, që i japin formë dhe nuancë stilit të tij.
Në poezitë e tij i veçantë është fakti se ato duken sikur i përkasin dikujt tjetër e njëkohësisht të gjithëve ne që gjejmë aty vetvëten mes vargjeve të tij plot pathos dhe mall për vendlindjen.
Një mesazh universal, i personalizuar ku lexuesit anonim i krijohet përshtypja se e ka mbërthyer thelbin e rishtaz e rihumb, ndonëse shpesh i drejtohet personalisht, fakt ky që e bën të ndihet drejtpërdrejt i përfshirë mes lirikës së penës së tij në fluturimin pa kthim drejt gërmave për të gjetur fjalët, e më pas vargjet dhe poezitë kanë mbushur arkivën e tij…
Megjithatë, vepra vë më shumë në lëvizje intuitën sesa kuptimin racional duke lënë gjithnjë një hije dyshimi.
Kurse në prozë pa humbur stilin e tij aludues ai është më i drejtpërdrejtë.
Rrugëtimi mbi 20-vjeçar larg atdheut për të mbijetuar ndershëm për profesorin e matematikës dhe emigrantin e palodhur po vjen ora e shumëpritur, rikthimi në vitet e arta të rinisë, por me muzën e lëshuar lehtas mbi dëborën e bardhë të Finlandës ku ai edhe ka ndërtuar folenë e dashur të trashëgimisë.
1-Dëgjomë
Si t’a them sa më thjeshtë,
dëgjomë
më dhemb shpirti pa ty,
më dhemb..
Lëngon çdo pore
çdo qelizë,
ose më mirë
ndjej mungesën e lëngesës brenda tyre.
Në trup,
në tru…
edhe në ferr,
do më dhembë shpirti pa ty…
Jam me një tjetër por s’është e njëjta gjë,
këtu është si në llaç,
pas pak ngrin,
të dal sa më shpejt
ose do rrjedhin të bardhat mureve.
Gjithë ky krem mbi trup për të të çngjitur nga unë.
buzë që më kafshojnë,
por të tuat nuk i çngjis dot
se më puthin zemrën…
Ç’është ky makth,
lesh i zi,
klithma pulëbardhash
dhe e bardha llaçi mureve të trurit.
Jam si peshk, i gjithi gojë,
dridhem
në krahët e një tjetre.
Pa ty në vete nuk jam…
por kam kohë,
shumë kohë,
kam gjithë jetën time,
për të të mos kujtuar.
2- Mbi hijet
Hija jote është sensuale,
sa ti,
dhe ndoshta më e mirë.
Më lër të bëj dashuri me të një herë të vetme,
t’ia ledhatoj format e buta,
errësirat e errta,
ta pyes
sa i mungojnë sytë e tu, sytë e mi…
Do më thuash që kam qenë një kafshë,
që mbeta një kafshë,
që s’kam ngopje në pangopjen time,
për të tradhëtuar tradhëtinë.
Do të më thuash jam një polaroid ndjenje,
një retush kallp,
një ripërtypje,
do të më thuash asgjë s’më mjafton,
që jam një instinkt i largët gjallese,
një përsëritje spermatozoidësh,
do më thuash…
Por unë i tillë jam në pangopjen
time për ty,
të dua të tërën, të tërën…
çdo frymëmarrje, çdo psherëtimë
çdo gjest, çdo mimikë,
çdo dridhje, çdo ëndërr,
çdo qelizë,
çdo imazh qelize tënden,
përfshi
edhe ato tē hijes tënde
me gjithsej…10.7.2014
3-Akustikë
Vetmia u zhvesh lakuriq
Unë dhe ti e prekëm. Na preku. Format perfekte, skulpturë antike. Me duar, këmbë dhe heshtje.
Nuk dimë nëse matanë lëkurës e ka një zemër, por ndiejmë se qelizat e saj janë arkëmorte në miniaturë.
U puthëm, na puthi, një valle trupash treshe.
E putha, të puthi, më puthe. Një këngë gjuhësh treshe.
Lëkurë e kadifenjtë,
e ka një shpirt dhe ajo.
E piu me fund gotën e saj.
Si dhe ne kërkoi të harrojë, të humbasë.
E ka vallë përtej atyre syve një kujtesë? Kujtesën ku tretet mishi
I MALLIT?
Ç’emër të bukur që ka!
Unë dhe ti u fërkuam.
Na fërkoi dhe ajo.
Seksi u bë i egër.
Ajo edhe më.
Rënkonin trupat, shpirtrat tanë
Ajo edhe më…
Ishte hera e parë.
Ishte hera e fundit.
Është ndoshta çdo herë.
4-Të qenit një krimb
Ajo ishte mrekullisht e bukur
por vinte erë të rëndë.
Një trup i hajthëm, i lakuar formash perfekte
me një profum kaq të tromaksur,
si një dhomë që hapet pasi ka qenë e mbyllur me muaj.
Trupi i saj sikur mbarte mbi lëkurë diçka të vdekur.
Nga larg shikimi i saj të nguroste hijeshie,
por kur pranë afrohej kishte diçka prej kufome që të merrte frymën.
Dikur u kryqëzuam dhe padashur e preka prapa.
Sytë e saj u rrotulluan e ndjeva kutërbimin e saj që më vështronte plot përbuzje…
Ndërkohë që organet e mia të brendshme nxitonin vyshkjen,
duke u larguar mendoja i ndërkryer:
sa do të doja të kisha patur
aparatin e nuhatjes të një krimbi.
Ajo nga ana e saj me siguri mendonte,
se veç aparatit të nuhatjes,
unë duhet të isha vërtet një krimb
5- Shtypshkronjë
Fytyra ime në pasqyrë është një dorëshkrim.
Horizontalja e rrudhave të ballit shqeton muret e viteve
një e çarë në tëmth
njollë boje prej mishi e gjaku të mpiksur
hunda stërkalet e kërrusur si një degë peme e lodhur
Ky është një selfie arkaik
e njoh mirë
në rrudhat e qafës notojnë lumenj vuajtjesh
fëmijëria gjysmë e uritur çapitet mbi gurët e dhunës, krahët e thyer,
vezorja e trurit
gërvimat e dhimbjes së rrahur mbi rrobet e mia të stinëve…
Ti që di t’i lexosh këto dorëshkrime
dhe me grushtin tënd mund të shkruash ndonjë varg më shumë
ose mund të bësh një selfie mediatik për hapje barku të panjohurve,
të shtosh një lugë llumi më shumë
në kënetën e absurdit dhe vanitetit,
eja ulu me mua këmbëkryq
lërmë të të lexoj dorëshkrimet e tua
kaligrafinë e pamëshirshme të moshës dhe rrënimit
vizatimet diellore dhe hënore
bojën e shtypshkronjave të mediokritetit
ndoshta rreshtat na ngatërrohen
në buzë, në trup, në shpirt idetë
na përputhen dhe në fund
bëjnë rimë
6- Të bukur si hëna
Po ju a them,
kam marrë një javë pushim,
pushim nga vetvetja.
Një stinë,
si kllapë,
si kllapi zemre,
një nga ato stinët pa hënë,
pa vetmi,
pa shoqëri,
pa merak,
një përdalje nga të qenurit unë,
ndoshta një hije,
pse jo dikush
krejt tjetër,
ndoshta ti.
Mos mi zgurdullo sytë ashtu,
le ti ndërrojmë lëkurët vetëm për këtë javë.
Unë jam ti
dhe ti bëhesh unë
burrë, grua, e re, i vjetër,
fëmijë,
me, pa rrudha,
me, pa ëndrra.
Lermë të fle në shtratin tënd,
e ti merr timin.
Pretendo që je unë e unë jam ti.
Shoh që sytë
po të dalin orbite,
por mos u frikëso,
merr frymë,
jepi vetes kohë.
Kush do të doje më mirë të ishe,
vetvetja o dikush tjetër,
për një javë,
një jetë reje,
o jetë zogu,
o mendimi që fluturon me të,
o buburreci që kridhet nën tokë,
një jetë balene, delfini,
një uragan javor
mbi nerva të përndrydhura,
një puthje javore siluetash
në bregun e detit.
Një stinë duarsh të pastra
që mbajnë zemra të drobitura dashurie,
apo vuajtje braktisjeje.
Vetja mund të duket
më i mirë se unë,
ose më i keq.
Fatkeq o fatlum qofsh
në metrin e universit jemi,
rruazë pas rruaze
kohë
e mbushur nga asgjëja
e jashtëzakonshme,
… e papërsëritshmja
e të qenit
këta që jemi,
thjesht vetvetja,
të bukur si hëna
pa përjashtim…
7-Gjithë fajin e ka hëna
Më erdhi i ati i Hënës, m’u ul në tavolinë
e u hap si shalqi i kuq.
– Si shumë ma sheh vajzën, më thotë. Çfarë halli ke?
– Unë s’kam asnjë hall, jam i martuar, i thashë,
por sa herë grindem në familje,
hap dritaren,
vajza jote atje lart më sheh,
si sy cikllopi.
Vij vonë prej pune,
ajo po aty.
Herë qeshet,
herë skuqet,
herë nxihet,
herë më qahet mbi supe.
Me thënë e kam fajin unë
që vajza jote ka mbet vetëm.
Unë s’e njoh more zotëri,
Vij i lodhur prej pune, djersët çurkë,
ajo hollohet,
draprohet,
lejkatohet,
më shkel syrin,
zbardhet,
zverdhet,
e ka netë more zotëri, nuk më ndahet.
Unë të them ka ardhur dita ta martosh,
gjeja ndonjë trup qiellor edhe asaj,
e të bjerë rehat gjithë njerëzia.
– Ti je pa turp, më thotë.
Unë e mbuloj me re,
por ti me mendjen tënde të mbrapshtë,
shkon e zbulon,
ja prish mendjen e ma lë vajzën pa gjumë.
E mos ja përmend më emrin nëper poezitë e tua,
vijnë era tradhti prej miliona yjesh larg.
– Ik mor zotëri, më lër rehat se kam hallet e mia.
Qielli është i të gjithëve,
jo vetëm i vajzës tënde.
Unë s’po them ta mbyllësh me çelës,
por si livadhit ajo yll më yll,
fajin s’ja kam unë.
E ndjeja që po vinte ora e grushteve,
por mbi supe më erdhi një e shkundur e mirë,
e si fërshëllimë treni zëri i gruas,
– Zgjohu, zgjohu!
Dikush të kërkon në telefon,
je vonë për punë…
8- Poeti
Thyhet ajri si qelq kur ai flet.
Heshtja duhet shprehur me fjalë.
Dhe
të gjithë e dimë
një fjalë
ka
Z-a-n-o-r-e,
(domethënë zhurmë)
fjalët nuk janë pëllumba
por gjyle
E pra poezia është kundër peshë
Nuk u bindet ligjeve të botës
vërsulet nga nje dimension i ri
i tjetërsuar
Vjen nga asgjëja
Është asgjëja
dhe ndërkohë
gjithçkaja,
është një lëndë-energji e fshehtë
Dhe poeti është një aviator që s’mund t’i kursejë bombat,
i hedh ato edhe pa folur
qoftë edhe me një vështrim të vetëm.
Heshtja e poetit është vdekje për të
dhe popullin e tij.
Merr për shembull fjalën
hesht(ë)
-je.
Ngule në zemër!
Ky është Poeti!
Pushtuesit heshtojnë të gjithë poetët
para se të zbathin këpucët
dhe t’i afrohen sofrës së grabitur
9-Mish e shpirt
Engjëjt duhet të jenë të papenetrueshëm,
stoikë
Për tu kuptuar :
-ata nuk kanë ngrënë
gjithë jetës së tyre
as edhe një kokërr molle,
nuk kanë pirë as dhe një gllënkë të vetme
uji
Ndoshta as nuk dinë si të hanë, apo pinë
ndoshta nuk kanë fare dhëmbë,
aparat përtypje, zorrë.
Jam i sigurt që as nuk e dinë
si shumohen njerëzit,
si ja hipin njëri-tjetrit
me pak fjalë si kalërohen
drenohen, shkrihen lëkurë më lëkurë
si linden, rriten, vdesin…
Mendojnë ndoshta se njerëzit
si edhe ata
janë formuar
nga pjalmimi i reve prej trupit të Zotit
(por të një cilësie më të dobët,
një lloj sperme qiellore skadente numër dy)
Ndoshta…
ndoshta nuk dinë as të mendojnë
ndoshta as që kanë nevojë të mendojnë,
ndoshta mendimet u vijnë të gatshme,
të ngrohta e të përpunuara
në formë psallmesh të florinjta
Përndryshe…
përndryshe dikur do të kuptonin që janë skllevër
fare pa vullnet, pa qëllim
mbushur me një jetë boshe
të përsëritshme e të përjetshme
që nuk e njohin
mrekullinë,
atë të vërtetën,
mrekullinë e penetrimit
qoftë dhe asaj të trurit
…për edhe një herë të vetme
10-E nesërmja e syve
Po i lutem syve për pak lotë,
sa të njom fytyrën e përtharë.
Më kanë thënë në qiell ekziston një vend,
ku stivosen puthjet, përqafimet, përkëdheljet.
Se unë i mbeta borxh vetes edhe sot.
Ja, nuk të putha sa duhet.
Gjithë kohën i përqafuar me ty,
i harruar në ëndrrat e tua,
i zhytur në profumin e trupit tënd.
U përkëdhelëm me orë, e orë, e orë…
e sytë i pamë edhe jashtë njëri-tjetrit…
por puthjet kurre nuk mjaftojnë…
nuk mjaftojne.
Edhe kësaj here i mbeta vetes borxh.
Mallin që i vishet si një pallto e flaktë zemrës time,
koha
ja thërrmoi pak nga pak,
si bukë ëngjëjsh
zogjve të dhimbjes.
Gjithmonë e përgjithmonë
nuk ngopem dot me ty.
Huá! Huá!
Vetes dhe qiellit,
dhe nje zot e di,
sytë e mi më kanë borxh lotët…
tani që ti je
kaq larg
11- Akuarel
Merr një laps dhe vizatoje ankthin tënd
Leshra të zinj e të heshtur dhe rëra e shkretëtirës
duar të gjata pambarim
gishtërinj përlyer në ngërçin e dritës
asnjë loti nuk i gjendet burimi
asnjë puthjeje lindja
cicërimat e shiut mbi fytyra të thara
e verdhta e limontë e mëngjeseve
shtrati që zgjohet plot gërvima
dhimbja e paduruar e mesit që ngulet në tru
Ibriku me ujë të përvëluar që fishkëllen si tren vetvrasjeje.
Është një tjetër ditë si gjithë të tjerat.
Paloset vetmia si shami katërcepëshe
butësia e saj e mëndafshtë
fërkon gishtërinjtë e shpirtit
dhe zhytet thellë në xhepin e aortës
Një ditë e re jo më e mirë se të tjerat
buzë të rreshkura
si këpucë të vjetra për të puthur
buzëqeshjet që bien
si gjethe të shkretuara
pamundësia e lamtumirave
në lumin rrethor të monotonisë…
pranvera sërish zgjohet nga lulemollët
yje të rinj bien
këngë të lashta harrohen
12-Letër-poemë mbi këngën e luleqershive
E vogla ime.
Tani më kujtohet
drita e therur,
gjaku i saj me stërkala
që përleu muret e kopshtit zbardhur nga gëlqerja.
Atëherë pendët e reve
si trena qiellore mbartnin mbi kokat tona stacione vetmie, mjegull okre dhe kocka të çngjyrosura.
Më kujtohen
gishtërinjtë e tu gërshetuar me të mijtë
vështrimi yt
që ëmbël qetësonte shpirtra sendesh dhe kafshësh
Më kujtohet bluja e thellë që ta përmbyste kraharorin
pse sytë e tu
nuk bënin dot me më pak qiell se aq.
Çdoherë prej buzëqeshjes
të arratisej një harabel i vogël
nga qendër e mjekrrës tënde.
Buzagazi yt zbulonte një vrasje të fshehtë dashurie dhe ndoshta
ishte atëherë dhe vetëm atëherë
kur dritaret e qiellit dhe të puthjeve
na ngatërruan përfundimisht kanatet e shpirtrave…
E vogla ime
Në një qiell si ky brenda sekondash jetuam në një karusel ëndrrash,
edhe dy,
edhe tre JETË njëherësh,
përthithëm të gjitha esencat e ngjyrave dhe këngëve shekullore,
piruetet e fustanellave të luleqershive
atje ku yjet shkallaret e reve ngjitnin, siç sorkadhet e arta ngjisin Korabin dhe Tomorrin.
Aty përfolëm gjuhët e hyjnive,
duart e ashpra të lotëve i zbritëm flokëve të ujvarave të moçme si mburojë dhe duke soditur Hënën u ulëm mbi sofra mallëngjimi
E vogla ime,
mos e përlot bukurinë e zemrave tona,
të jap fjalën unë do të jem me ty nën hijen e filxhaneve të kafesë që do të rrufisësh çdo mëngjes,
do të përhumbem i shtypur me tymin e cigareve të mbetura në tavllën e vjetër të heshtjeve tona,
shpirtrat do t’i gatuajmë në gazin e byrekëve me fasule dhe gjumin e përjetshëm të qenve që ngrohen trotuareve buzë Lanës me vathët zverdhur në vesh
e mbuluar me tatuazhet e torturave të braktisjes.
E vogla ime,
të dashurova pëllëmbë më pëllëmbë
Kështu unë ta mata lëkurën dhe frymën
Dëshmitar kam mungesën e vajit të lakuriqëve të natës
dhe cicërimën shurdhuese të lumturisë së dallëndysheve të agut.
Nesër do të jemi larg e duart tona nderur si çarçafë të mishtë drejt qiellit do të formojnë
një çorape të leshtë të shqepur nga yjet.
E vogla ime
Me buzë në gaz e lot në sy po të them, unë të dua siç duhen ëndrrat,
e në shpirtrat e vuajtur, dihet, ato nuk mund të vdesin…
13-Pa u lidhur
Të bëhesh sërish i palidhur
Nga besa
Nga vështrimet
Nga ujët e qiellit
Rripat e brezit
Flokët
Folklori
Mishi
Lidhëset e këpucëve
Nga fantazia
Rrjeta e damarëve
Kravata
Gjaku
Frika ndaj qenve të tërbuar,
Absurdi
Anarkia
Vetmia
Te jesh sërish jonjeri
Asçfarë
Materie e parë
për trëndafilë, krimba, plumba, poezi, bomba me napalm, lëpirje, lavdërime, furra krematoriumi, shpata, fyerje, sëmundje, klithma
Në të vetmen parajsë të njohur
që është ajo e humbura
dhe ajo që e dimë
së afërmi do ta humbim,
atëherë kur nuk lidhemi më prej
Dashurisë ose Mungesës së saj
si njerëz.
Si Njerëz.
14- Atdhe turist
Shtëpia zhvishet. Tjegulla rrjedhin poshtë përrua. Suvatë e mureve lëngojnë si thonj të kalbur. Dridhen vetmie orët e mureve. Pemët rrethuese u ngjiten me fëshfërima malit.
Nën hijet e tyre dele të qethura në asht mbllaçitin vapë
Vijë lumi i hazdisur është horizonti,
që gojë e qiellit e bluan…e bluan në blu.
Koha ka mbetur në vend. Gjithçka tjetër është rrënuar. Një foshnjë në hapat e parë mban duart lart.
Ky është atdheu,
gishtërinjtë minuskël të saj që si të ndërkryer vizatojnë në qiell
ca re të vrenjtura…”
15-Pa titull
Unë kam bërë çdo natë dashuri me të
Kur Pemët u folën yjeve
Yjet u përlotën mbi gjethe
Gjethet mblodhën cicërimat në shportat e damarëve
Cicërimat zgjuan shpirtrat e gurëve dhe mbushën lumenjtë me tinguj e tyre
Lumenjtë thirrën tërbimin e shirave
Shirat qullën buzëqeshjet…
Ynë kam bërë çdo natë dashuri me të
Kam bërë dashuri duke e puthur kam bërë dashuri duke e prekur
Kam bërë dashuri brenda vështrimeve
…duke menduar e menduar
Si ty