Prestigjiozja britanike “The Telegraph” duke publikuar studimin e matematicienit amerikan Jordan Ellenberg ka listuar disa nga librat më të famshëm që lexuesit kurrë nuk i përfunduan. Lista nis me librin ”Zgjedhje të vështira” të Hillary Clinton, “Një histori e shkurtër e kohës” i Stephen Hawking, ”Kapitali” i Thomas Piketty e deri tek “Pesëdhjetë Hijet e Greit” nga E. L. James.
1. ”Zgjedhje të vështira” nga Hillary Clinton
Ishte numri një në listën “Best Seller” sipas “New York Times”, por sipas Hawking Index, një teori e zhvilluar nga profesori i matematikës Jordan Ellenberg, i cili studion të dhënat mbi librat e palexuar, vetëm 1,9 % e lexuesve mundën ta lexonin deri në fund. Biografia e Hillary Clinton “Zgjedhje të vështira” flet për qëndrimin e saj si Sekretare Shteti në SHBA në vitet 2009-2013.
2. ”Kapitali” nga Thomas Piketty
Libri i ekonomistit francez Thomas Piketty, fokusohet në pasurinë dhe pabarazinë e të ardhurave në Europë dhe SHBA që nga shekulli i 18-të. Ai arriti numrin një në rubrikën e librave më të shitur të “New York Times” gjatë vitit 2014, por vetëm 2,4 % e lexuesve e lexuan atë deri në fund.
3. “Shakaja e pafundme” nga David Foster Wallace
Në vitin 2005 ky libër u përfshi në listën e 100 romanëve më të mirë që prej vitit 1923 nga revista “Time”. Por vetëm 6,4 % e lexuesve e përfunduan librin, i cili është shkruar në një version gjysmë-satirik mbi të ardhmen e Amerikës së Veriut.
4. “Një histori e shkurtër e kohës” nga Stephen Hawking
Shkruar nga fizikani britanik Stephen Hawking dhe botuar së pari në 1988, libri ka shitur më shumë se 10 milionë kopje në njëzet vjet. Megjithatë, vetëm 6.6 % e lexuesve e kanë lexuar deri në fund.
5. “Të menduarit shpejt dhe të menduarit ngadalë” nga Daniel Kahneman
Libri nga fituesi i Çmimit Memorial Nobel 2011 në Ekonomi, Daniel Kahneman përmbledh dekada të kërkimit të tij akademik. Një total prej 6,8 % të lexuesve e kanë lexuar atë deri në fund.
6. “Të bëjmë përpara” nga Sheryl Sandberg
Femrat, puna dhe dëshira për udhëheqje është një libër i shkruar nga Sheryl Sandberg, zyrtarja më e lartë operative e Facebook-ut. Sipas Indeksit Hawking, 12,3 % e lexuesve mundën ta lexojnë deri në fund.
7. “Flash boys” nga Michael Lewis
“Një revoltë në Wall Street” është një libër jo-fantazi nga shkrimtari amerikan Michael Lewis, i cili shqyrton rritjen e tregtimit të lartë të frekuencave në tregun amerikan të aksioneve. Pak më shumë se një e pesta (21,7%) e lexuesit mundën t’ia shohin fundin.
8. “Pesëdhjetë Hijet e Greit” nga E. L. James
Romani erotik nga autorja britanike E. L James, është libri i parë në trilogjinë “Pesëdhjetë Hije” i cili flet për një të diplomuar universitare, Anastasia Steele, dhe një biznesmen të ri, Grey. Pavarësisht, ose ndoshta për shkak të skenave të tij erotike, 25,9 % e lexuesve kanë mundur ta lexojnë deri në fund.
9. ”Getsbi i Madh” nga F. Scott Fitzgerald
Klasiku letrar amerikan, i cili flet për materializmin dhe dekadencë, shpresat dhe zhgënjimet është ndër librat më të shitur dhe ndër më të mirët të shkruar ndonjëherë. Pavarësisht se është një roman mjaft të shkurtër, vetëm 28,3 % e lexuesve kanë arritur në fund të tij.
10. “Vajza e zjarrit” nga Suzanne Collins
Ky roman fantashkencë është libri i dytë në trilogjinë “Lojërat e urisë”. Si vazhdim i këtij “Best Seller-i”, ai rrëfen kombin post-apokaliptik të Panemit, me 43,4 % të lexuesve që mundën t’ia prekin fundin./ Tirana Observer/