Quantcast
Channel: Kulturë – Tirana Observer
Viewing all articles
Browse latest Browse all 1468

Një shqiptare në Teatrin Kombëtar të Athinës

$
0
0

Artistja Marsela Lena numëron rreth 25 role në karrierën e saj. Studiuesi i artit, sjell një profil të aktores së re, duke ndalur në rolet kryesorë, që ka luajtur brenda dhe jashtë vendit. Bashkëpunimi me regjisorin grek Niko Mastoraqi, te “Fanarët e kuq”, ishte një ogur i mirë për këtë aktore

Nga Miho Gjini

Është krenari për ne kur artistë shqiptarë të skenës dhe të ekranit, po edhe shkrimtarë e poetë, fotografë, njerëz të shkencës të biznesit, po edhe të politikës, bien në sy, ngjiten më lart dhe shkëlqejnë jashtë shtetit të tyre, si talente, figura shoqërore apo shtetërore të shquara e personalitete të veçantë. Se në qiell ndrisin vetëm” yjet”. Po, njëherësh, është diçka e hidhur që ata “yje”, kanë krijuar një boshllëk “në qiellin tonë”, brenda vendit për rrezatimin e tyre, për energjitë e” derdhura gjetkë…”Gjithsesi është kënaqësi e ligjshme që bijat e bijtë tanë përfaqësojnë edhe “vatrat tona të ndezura”, shkollën shqiptare dhe atë krenari kombëtare që kemi të ngulur në gjak.

Marsela Lena është një nga të shumtit që mund të krenohemi

Kush është ajo?

Kjo vajzë që s’të bie fare në sy, kur e sheh në rrugët e Athinës, imcake nga trupi, jo e shëndetshme, e thjeshtë, tepër e thjeshtë, por energjike me sy të ndritshëm e me humor të ngrohtë, e “ka burimin e jetës” andej nga thotë kënga se është “guri i  thatë, trima burrat e trima gratë…”, dhe e fortë vera e rakia…! Nga Leskoviku. Prej andej erdhën prindërit e saj e u vendosën në Tiranë, ku sollën në jetë Marselën. Në vitin 1983, sa nisi të hedhë shtat, vogëlushja nga Leskoviku vërtitej në oborrin e Teatrit Popullor, ku punonte i ati si dekorator dhe dajua si aktor. Aty do të shihte përditë artistët e mëdhenj të skenës e jo vetëm në oborr, por edhe kur bënin prova e loznin në skenë, herë nga salla e herë nga mbrapa kulisave, e fshehur. Dhe një natë do të magjepsej krejtësisht kur pa në skenë “Natën e dymbëdhjetë” të Shekspirit.

Këmbëngulja për t’u bërë aktore

Vendosi të bëhej edhe ajo si ata. Aktore. Po, sa u bë gjashtë vjeçe, shteti ku jetonte “u përmbys”, erdhi rrëmuja e madhe dhe prindërit e saj u nisën me këmbë për në Greqi, duke zvarritur nga mbrapa të tmerruar edhe vajzën e vogël. Rritet aty, në shtetin fqinj, shkollohet, mëson gjuhën greke, mrekullohet nga kultura e arti i lashtë i këtij vendi, po nuk e harron ëndrrën e vjetër që i’u shfaq në vendin e lindjes. Kthehet pas dhjetë vjetësh e hyn menjëherë në shkollën e lartë të aktrimit. Jepet me mish e me shpirt në të fshehtat e këtij arti të magjishëm dhe në vitet e mëpastajme do të kujtojë me mirënjohje përkushtimin pedagogjik të Birçe Haskos.

Vlerësimet në Tiranë

Nga kjo shkollë e veçantë dhe e domosdoshme, që e nisi jetën e vetë në 1959-ën, afro 60 vjet më parë (e që për fat të keq, askush nuk u kujtua t’i bëjë 50-vjetorin e lindjes?) ka nxjerrë mijëra aktorë, po fare pak prej tyre kanë mbetur e kanë ndritur në “qiellin skenik”. Po për Marsela Lenën nuk mund ta thuash këtë.

Ajo nuk kishte gabuar rrugë. Dhe do ti mbeteshin si “relike të arta” nga jeta e shkollës tre role të spikatura: Ljubova Andrejevna nga “Kopshti i Vishnjave” të Çehovit, Vasilika nga”Fundërrinat”e Gorkit dhe sidomos Martiria, vajza gungaçe e Frederiko Garsia Lorkës në dramën “Shtëpia e Bernarda Albës”, e cila do të shfaqej edhe në Teatrin Kombëtar dhe do të merrte pjesë edhe në Festivalin Teatror të të Rinjve, që do ta evidentonte Marsela Lenën, si aktoren më të mirë për rolin joprotagonist. Tërheq vëmendjen e kineastëve dhe angazhohet në filmat “Mësuesja” e ”Koha e Kometës”. Po teatri do ta joshte ca më tepër.

PicMonkey-Collage67-620x304

Katër  role në Teatrin e Metropolit qenë për të katër kulminacione në role krejt të ndryshme: Pegyn Maik në “Playboy i trojeve tona” të irlandezit Milinton Sing (me regji të Kiço Londos), Afroviti në komedinë e Spiro Çomorrës, “Karnavalet e Korçës”, me regji të Elma Dorezit, që i dha asaj çmimin “Kult”për vitin 2013, si aktorja më e mirë e vitit dhe Tana në komedinë e Çajupit “14 vjeç dhëndër”, përsëri me regjinë e Dorezit. Në Teatrin Kombëtar, Marsela Lena, do të shquhet në rolin e Lulusë, te komedia e Astrid Vejon “Salla e banjës” me regji të Inis Gjonit dhe në rolin e nxënëses në pjesën e Ioneskos, “Leksioni”, vënë në skenë nga regjisori francez Frans Helmer, duke përfunduar me disa role të tjera në Teatrin e Komedisë e me dy role interesante te “Henriku VI” i Shekspirit, në Teatrin Kombëtar që e çuan Marselën tonë deri në Teatrin Shekspirian”Globus” të Londrës.

Portat e teatrove të Athinës

25 role gjithsej në karrierën e aktores së re, do të formonin ciklin e parë të jetës së saj krijuese, për të dalë  mandej jashtë kornizave të ngushta të 2-3 teatrove të kryeqytetit, ku vërtiten me qindra aktorë që presin të dalin në skenë një herë në vit! Marsela Lena, gjithmonë suksesshme, por përherë e pakënaqur me vetveten, e etur për një diapazon më të gjerë interpretimi dhe e përgatitur tashmë profesionalisht role më të mëdha e më të shumtë, inspirohet për të dalë jashtë shtetit e për të kaluar në “ciklin e dytë” të formimit të saj të plotë.

Dhe, pasi zotëron më së miri gjuhën greke, ajo do të trokasë në portat e teatrove të Athinës, të shpërndara thuajse në të gjitha rrugët e kryeqytetit grek. A ishte fat për të, apo profili i saj interesant si aktore, ndodhi që ajo të tërhiqte vëmendjen e regjisorit të madh grek Niko Mastoraqi, i cili e angazhon menjëherë me shfaqen e tij “Fanarët e kuq”që u dha në Teatrin e Bashkisë së Pireut vitin e kaluar dhe ku Marsela do të shkëlqente dukshëm. Një regjisor tjetër, po kaq i njohur Kosta Cjano, do ta angazhonte Marselën paskëtaj në Teatrin e Bashkisë së Larisës, me pjesën “Dikur në Zmirni”. Ndërsa “Të huajt”është shfaqja e tretë, që e afirmon atë plotësisht në  skenat greke, po me regjisorin Mastoraqi. Po një gjë ishte e qartë për Marsela Lenën e për ne që e kemi ndjekur me kërshëri e admirim karrierën e saj: ajo kërkonte vetëm një “dritare” për të parë botën e befas iu hapën të gjithë “dyert”. Talenti i saj hyri në ciklin e dytë të afirmimit, ashtu siç e ëndërronte dhe e dëshironte me ngulm.

Niko Mastoraqi, që ka parë e “bredhur” nëpër skenat e Europës, zgjodhi pikërisht këtë pjesë për të ngjitur në skenën e Teatrit Kombëtar të Athinës, “Të huajt”që flet për Europën dhe kundër Europës. Dramaturgu e regjisori spanjoll, Sergi Belbel, profesor i dramaturgjisë në Institutin e Teatrit të Barcelonës, ish-drejtor i Teatrit Kombëtar të Katalanjës, anëtar i mbi njëzet veprave origjinale dhe i shumë përkthimeve të veprave nga Molier, Gordon, Marivo, De Filipo, Beket etj., është sot një nga autorët më të zgjedhur e më të preferuar, jo vetëm në Europë, por edhe në Amerikë. Stili i tij afron me Çehovin dhe vetë kjo pjesë të kujton “Kopshtin e Qershive” sidomos në personazhin e Llopahinit. Edhe marrëdhëniet e këtushme janë çehoviane; pas qetësisë në dukje do të afrohet “stuhia”, pas shtirjes që kanë borgjezët e rinj do të shfaqet boshllëku shpirtëror dhe fisnikëria do të marrë fund.

E sjellë në ditët e sotme, kjo dramë satirë bën denoncimin e radhës. Shfaqja e “të huajve” në Europë, po zbulon ngaherë e më tepër hipokrizinë e krizën e identitetit europian. Belbel përqendrohet në një familje të borgjezisë së mesme, ku gjatë 40 vjetëve përsëritet e njëjta histori e marrëdhënieve me njëri-tjetrin, përbrenda një shtëpie dhe me një familje emigrantësh të huaj që ka marrë me qira një dhomë në apartamentin e tyre, nga ana tjetër. Pa e rrëfyer këtu ngjarjen origjinale e kaq shumë të ngjashme me atë që ngjet sot në të gjithë Europën. Ja ku duket e zhveshur frika nga të huajt, mosbesimi e refuzimi, si dhe njëfarë kalbësie në themelet e shteteve që përbëjnë Europën. Edhe Belbeli spanjoll, edhe Mastoraqi grek, sikur thonë me zë të lartë e plot guxim: “I huaji ndodhet brenda nesh. Duke e luftuar dhe e larguar atë, luftojmë në të njëjtën kohë kundër subkoshiencës sonë!”

Mastoraqi nuk vë asnjëherë pjesë teatrale në skenë pa i redaktuar ato, në përshtatje me kohën që jetojnë. Teatri është një institucion artistik pararojë, që duhet t’i shërbejë të sotmes dhe të ardhmes. Dramat e komeditë duhet të ngacmojnë ndërgjegjen e publikut e të përsosin shijet e tyre estetike. Por edhe t’u bëjë thirrje politikanëve që drejtojnë shtetin e fatet e një populli.

Ndaj edhe regjisori grek e afron dhe e përshtat dramën e “të huajve” për Ballkanin kryesisht për vendin e vet, ku ngaherë e më tepër këta “të huaj” janë bërë të pranishëm dhe dashur a padashur, lozin rolin e tyre. Jo më kot, dy nga personazhet gra do të jenë këtu, njëra shqiptare e tjetra bullgare.

Dy personazhe në një. Dhe të dyja personazhet i besohen Marsela Lenës, jo më kot, por duke qenë i bindur për talentin e saj e për atë aftësi ndarëse në artin e aktrimit që zotëron kjo aktore e përgatitur në shkollën shqiptare. Mrekullia është se publiku nuk arrin ta kuptojë që edhe shërbëtoren shqiptare të shtëpisë, të martuar me plakun (të interpretuar nga Themis Panu), edhe komshijen bullgare që ka zënë dhomën e sipërme me qira, janë të interpretuara nga e njëjta aktore, Marsela Lena!

Mjeshtëria e aktrimit ka bërë që aktorja jonë, të mos ndryshojë vetëm veshjen e plastikën, por edhe krejt “botën e brendshme” të tyre, si edhe të folurin. Ndërsa në rolin e shërbëtores pikas dinjiteti i brendshëm dhe halli i madh që e ka shtyrë këtë emigrante të “shesë krahët” në një shtëpi të huaj, por edhe trupin e saj në krevatin e një plaku grek. Në rolin e gruas qiraxheshë bullgare e me shumë fëmijë, të martuar me një burrë poterexhi e vrasës, nënvizohet deformimi grotesk i një gruaje që ka humbur gjithçka në dheun e huaj: dinjitetin, tiparet e jashtme e të brendshme të një gruaje të vërtetë, të katandisur në një dordolec arash!

E folura e së parës, e shërbëtores, është e natyrshme, e logjikshme, herë e butë e herë sarkastike, por edhe me një humor të këndshëm në “hallin” që e ka zënë në këtë rrugëtim të komplikuar të jetës së saj të trishtuar,ndërsa e folura e figurës së bullgares është gati e pakuptueshme, e bastarduar, me zhargone të dukshme të gjuhës bullgare e asaj greke, të deformuara enkas, duke zgjuar kështu në sallë një reagim të jashtëzakonshëm e atë që quhet ”e qeshur shurdhuese”. Kjo vlerë aktrimi ka ndodhur në sajë të një interpretimi tepër organik të Marsela Lenës, me vërtetësi e mjeshtëri të lartë aktrimi, kur edhe ana realiste e shërbëtores, edhe ana groteske e qiraxheshës bullgare, nuk e humbasin për asnjë çast natyrësinë e njeriut në këto rrethana ku ndodhemi.

Po, në të dyja këto role do të hasim edhe një vlerë tjetër të madhe te aktorja shqiptare Lena: marrëdhënien e krijuar me partnerët grekë në gjuhën e tyre, me një të folur të kulluar e me një tonalitet për t’u patur zili. Ajo ka arritur këtu që ta bindë regjisorin grek Mastoraqin, që, sidomos në rolin e shërbëtores shqiptare, të përdorë edhe gjuhën e saj në batuta të veçanta, për të shënuar kështu një vërtetësi edhe më të madhe, por edhe suksesin e duhur, shpërblyer me duartrokitje frenetike të publikut. Dhe jo vetëm kaq; aktorëve grekë që lozin në skenë përbri saj, u pëlqen tani t’i thonë asaj edhe fjalë shqip, që tingëllojnë bukur, në normalitetin e karakterit të figurës, por edhe të tingullit muzikal të gjuhës shqipe.

Por spektakli i Mastoraqit shquhet në tërësinë e vet për një harmoni të ansamblit interpretues, vizion e qartësi, organicitet të mizanskenës, duke i vendos të gjitha ngjarjet në një skenë të vetme, ku edhe hyrje-daljet e personazheve bëhen  përpara publikut. Duke zhvilluar veprimin skenik në dy kohë, diferencën prej 40 vjetësh, disa nga personazhet e lozin veten dy herë, për të dyja moshat, me ndërrimin e gardërobës personale para syve tanë. Ky teatër, në teatër  ka thjeshtësinë e vërtetësinë e vetë, pa u ndjerë” gënjeshtra skenike”, truku, apo edhe zbehja e temporitmikës. Aktorët lozin natyrshëm thuajse që të gjithë, që nga heroina kryesore e interpretuar prej Lidhia Koniordhu (në të dyja rolet e saj, të vajzës e të nënës) e deri te ish-komshiu i dikurshëm (i huaji), lozin mjaft lirshëm prej aktorit me origjinë bullgare Kris Randanov, i cili do të shfaqet në fillim e në fund të dramës si blerës i kësaj shtëpie tashmë të “shkatërruar” nga egocentrizmi, hipokrizia dhe ksenofobia. Pikërisht në këtë kahje ndjehet mrekullisht interpretimi i aktores shqiptare Marsela Lena, që fitoi paskëtaj duartrokitjet frenetike të publikut grek.

 


Viewing all articles
Browse latest Browse all 1468


<script src="https://jsc.adskeeper.com/r/s/rssing.com.1596347.js" async> </script>