Bukuroshja Tuba Buyukustun, e lindur më 5 korrik 1982, në Stamboll, të cilën ne në Shqipëri e njohim nga shumë seriale të njohura turke, më i fundit: “Diamante dhe Dashuri”, në jetën reale është e martuar dhe ka dy fëmijë binjakë. Personazhi më i fundit i luajtur nga Tuba është Filizi në serialin “Në hije të blinajës”. Në Turqi ajo njihet si një ndër aktoret më të bukura. Por si nisi karriera e saj si aktore.
“Asnjëherë nuk kam menduar të bëhem aktore. Në fëmijëri kam menduar të bëhem diçka tjetër, mjeke apo inxhiniere. Por, më vonë kam studiuar skenografinë dhe kostumografinë. Dhe, pas studimeve më ofruan rolin e parë në film. Ndaj, me kalimin e kohës u dashurova me filmin”, thotë aktorja. Ajo aq shumë është pëlqyer në shtetet arabe dhe në ato të Ballkanit sa edhe i ka lënë pas aktoret shumë të pëlqyera nga publiku, siç janë Beren Sat, Berguzar Korel e të tjera.
Ndërkaq, në kohën kur nuk merret me aktrim ajo i kushtohet punës humanitare dhe jetës së saj private. Ajo është ambasadore e vullnetit të lirë të UNICEF-it, kurse në shtëpi e presin vajzat: Maja dhe Toprak, bashkë me bashkëshortin – aktorin Onur Saylak, e që janë njohur në serialin turk “Asi”.
“Bashkëshorti im është i vetmi me të cilën ndihem mirë. Nuk më duhen fjalë. Mjafton ta shikoj në sy dhe të kuptoj se çdo gjë është në rregull, qetë dhe mirë”, tregon aktorja, por që pranon se romanca e tyre nuk ka filluar edhe aq e ëmbël. “Ishim miq katër vjet apo pesë. Pastaj, kaluam në dashuri. Bashkëjetuam dy muaj, pa u fejuar, pa u martuar. Onuri më njohu mirë, ndaj edhe kërkoi të martoheshim. U martuam në Paris në vitin 2011. Ndërkaq, një vit më vonë na lindën fëmijët binjakë, dy vajza”, thotë ajo.
Por, aktorja në muajin e nëntë të shtatzënisë bie në komë, shkaku i pozicionit të njërës foshnje, dhe kjo bëri që lindjet e vajzave të bëhen me operacion cezarian. “Kam kënaqësinë më të madhe kur jam me vajzat e mia. Por, edhe Onuri është një baba shumë i mirë. Kujdeset shumë për vajzat”, thotë ajo.