Të tregosh historinë e Turqisë si një shqiptare, tingëllon këndshëm për Lindita Qevanin.
Lindita është një nga shqiptaret (lindur në Urë-Vajgurore), që ka zgjedhur të jetojë në Stamboll (Turqi) prej më shumë se 22 vitesh dhe që pasion të saj ka tregimin e historisë turke si cicerone.
Si cicerone ajo shoqëron kryesisht grupet që vijnë nga Shqipëria, për t’i treguar historinë turke dhe për t’i shoqëruar në vendet turistike.
E martuar me një shqiptar, ajo ka ndërtuar jetën e saj duke jetuar së bashku me bashkëshortin dhe djalin e saj të vetëm Erkan, në Stamboll, të cilin ajo e quan vendlindje të dytë. Si cicerone, Lindita tregon jo vetëm vështirësitë e punës së saj, por mbi të gjitha veçantinë e këtij profesioni.
Më poshtë gjendet intervista e Agjencisë Telegrafike Shqiptare me znj. Lindita Qevani:
– Znj. Qevani si lindi ideja juaj për të punuar cicerone në vendin ku ju jetoni tashmë, pra në Turqi?
Unë jam person që më pëlqen të jem gjithmonë në kontakt me njerëzit, të dialogoj, t’i ndihmoj ata si dhe të bëj gjëra të ndryshme. Mund të them që e klasifikoj veten tek personat hiperaktivë dhe sfiduese në çdo situatë. Ndaj, të tregoja historinë e Turqisë për turistët që zgjedhin të vizitojnë këtë vend,u kthye nga një pasion në punë të përditshme.
– Ju treguat se jeni cicerone kryesisht për grupet që vijnë nga Shqipëria. Nga cilat qytete të Shqipërisë janë turistët dhe cilat janë monumentet kulturore apo historike që vizitoni?
Vizitorët që vijnë janë nga të gjitha anët e Shqipërisë dhe çdokush që vjen e viziton Stambollin mbetet i impresionuar nga mikpritja e bukuria e këtij vendi. Vizitat fillimisht bëhen në vendet historike, muzeumet dhe në pjesët moderne të qytetit. Vizitojmë Xhaminë Blu që është bërë nga sulltan Ahmed i Parë në vitet 1616, më pas vizitojmë Aja Sofiya që është bërë para erës tonë, nga perandori i parë Justiani. Në vazhdim, vizitojmë Topkapi Saray, një kryevepër e bërë në kohën e osmallinjve pas fitores së Stambollit në vitet 1478.
Në vazhdim ,Hipodromin e madh të qytetit ku ndodhen dy kolona obiliske një prej mermeri, një me thurje guri, ku ajo prej mermeri është bërë në Egjipt ndërsa kollona me thurje është bërë nga Kostandini i shtatë. Në sheshin e madh të hipodromit ndodhen edhe kokat e gjarprit (kollona me thurje gjarpërinjsh të ndërtuar në vitet 479 para erës tonë nga persianët). Vizitojmë edhe Bazilikën nën dhe që është një kryevepër tjetër në qytetin e Stambollit që i përkasin viteve 527-565 para erës sonë. Në vijim, vizitojmë Grand Bazarin (kapalı çarşı) që është pazari më i madh në botë i mbyllur, ku ndodhen 4 mijë dyqane të ndryshme, bërë nga Fatih Sultan Ahmed në vitet 1460. Galata köprüsü (urat e para në Stamboll) është një tjetër destinacion. Për të përfunduar me Bririn e Artë, Dollma bahce Saray që lidh Evropën me Azinë. Por, s’mund të lë pa përmendur edhe shëtitjen me anije ku shihen të dyja anët e Stambollit.
– Sa e vështirë është kjo punë?
Si çdo punë ka vështirësitë e veta. Por natyra ime është e tillë që më pëlqejnë gjërat sfiduese. Ka raste që vijnë grupe nga 40 turistë apo 15-25 persona vetëm një grup dhe secili sigurisht ka mendimin e vet. Por, sigurisht unë i përmbahem një programi të përcaktuar më parë, rreth vizitave që duhet të kryejmë. Lodhja në fakt është motivuese në këtë punë sepse të tregosh historinë e Turqisë, pra të vendeve historike, do të thotë të kthehesh pas në të kaluarën për të parë vlera. Turqia mbetet një ndër destinacionet botërore më të kërkuara.
Lindita Qevani është një nga shqiptaret më aktive në të gjitha aktivitetet që zhvillohen nga ambasada shqiptare në Turqi (pritje apo projekte) apo evenimente të ndryshme.