Nga Ndini R.Bardhi
Për shkrimtarin, teksti i përzgjedhur letrar prej tij, figurshëm, përbën strukturën gjuhësore, stilistike, estetike dhe arkitekturore të veprës letrare. Krijimtaria letrare e tij, si mjet artistik kryesor ka FJALËN, nga e cila, jo më kot letërsia është quajtur dhe ARTI I FJALËS. Vepra letrare është një kërkim i zellshëm i fjalës, i vendosjes së saj me art në strukturën e tekstit. Fjala, si energji aktive vizaton, shkruan, flet edhe si njësi më vete, që gatuan mendimin e gjithçka shpirtërore. Përshkrimin e subjekteve apo të personazheve e arrin në marrëdhënie me togfjalësha e fjali të plota. Studimi i tekstit letrar, prej krijuesit shkrimtar, është përparësi filologjike e tij, në planin fonetik, leksikor, morfologjik e sintaksor. Më tej, nga vetë natyra e letërsisë, gjuha në tekstin letrar merr veçori specifike nga çdo tekst tjetër, qoftë shkencor, historik apo publicistik. Ajo (gjuha) si vetvete nuk ka funksion thjesht shënues, emërtues, që do të thotë me fjalë të tjera, të emërtojë e të argumentojë drejtpërdrejt, logjikisht e në mënyrë të saktë realitetet që përshkruan. Shkrimtari me shpirtin dhe frymëzimin e tij e gatuan artistikisht realitetin jetësor. Ai me talent krijon e me fantazi sjell realitete imagjinare e fantastike nëpërmjet figurshmërisë e trillimit artistik. Fjala, në këtë krijim të rrallë, në tekstin e nëntekstin e veprës letrare merr karakter metaforik e simbolik. Ajo fillon me cilësi e aftësi çudibërëse, mrekulluese, magjike. Ajo ka peshë, ngjyrë, aromë, vëllim, thellësi. Ajo i shpirtëzon vlerat krijuese si të ishin ndjenja madhore në këtë jetë.
Fjala si energji krijuese e bën jetën që të lëviz, e bënë njeriun të lumtur e vlerë shoqërore, e bënë natyrën dhe gjithëçka në gjirin e saj, poetike, romantike, filozofike. Ajo i metamorfizon qëniet e gjalla, njerëzit i shndërron në mit dhe zotër të kësaj bote. Fjala udhëton në shekuj e mijëvjeçarë, bën e krijon subjekte, na sjell imazhe qytetërimesh të herëshme që na bëjnë t’i duam e t’i admirojmë.
Për shkrimtarin, studimi gjuhësor merr karakter kërkimi dhe në të njëjtën kohë i kërkohet që ta gërshetoj me atë stilistik dhe natyrshëm të vihet në funksion të tij. Për hulumtuesin letrar studimi filologjik është synim i menduar dhe metodë për zbërthimin estetik e stilistik të tekstit letrar. Krijuesi, duke ecur me metodën filologjike, vlerësimin e tingujve, bashkëtingëllimin e rrokjeve të vargjeve të fundit në strofa, apo vetëm të zanoreve ose të bashkëtingëlloreve, ai nxjerr në pah figurat stilistike të përdorur nga poeti.
Madje jo vetëm në poezi, por edhe në prozë shkrimtari arrin efekte të fuqishme shprehëse të tingujve, efekte artistike magjike edhe nëpërmjet rrokjeve. Duke e materializuar artistikisht gjatësinë e frazës letrare si krijim, krijuesi përdor stil lakonik apo të zgjatur në mënyrë që shenjat e pikësimit që do të përdoren të kenë karakter stilistik, si: pikat, presjet, trepikëshi, pikëpyetja për të përcaktuar ritmikën e rrjedhjes letrare si mendim dhe krijim. Për më tej vlen të theksohet për krijuesin shkrimtar, poet se metodat e njohura në letërsi marrin trajta të ndryshme në tekstin letrar. Nëse i rikthehemi krahasimit me gjithë materialin letrar, që kemi përgatitur si produkt i krijuar deri në këto momente që po shkruajmë, do të gjykojmë se kemi kryer një punë të mirë në drejtim të stilit dhe mënyrës së të shkruarit. Dhe më tej mbetet kuptimi, interpretimi i mesazhit, i përmbajtjes ideoestetike, emocionale, qëllimore e funksionale të veprës letrare. Në subjektin e krijimit personazhet janë tipa konkretë të realitetit jetësor. Ata janë simbole artistike tipash shoqëror e karakteresh njerëzore të subjektit me një temë të caktuar dhe kanë një funksion të mirëfilltë krijues. Shkrimtari, i përshkruan artistikisht si gjetje e veçantë e së bukurës e të madhërishmes, me synimin estetik në vetëdijen e lexuesit, në mënyrë që të zgjojnë tek ai ndjenja admirimi e simpati për personazhet simbol të lirisë, paqes e përparimit. Edhe një poezi emocionale e arrir bukur, qoftë edhe një poezi e shkurtër lirike kur synon të përçojë një vizion estetik në vetëdijen artistike të lexuesit; të poetizojë të bukurën në natyrë, në dashuri, në jetë dhe në shpirtin njerëzor.
Figurat letrare për shkrimtarin nuk janë si qëllim në vetvete apo për zbukurim, por mjete artistike të veçanta, që burojnë nga natyra e letërsisë dhe i shërbejnë atij (shkrimtarit) për të strukturuar simbolikisht idetë e idealet e tij estetike, cilësi, dukuri e karaktere njerëzore, koncepte e gjendje të ndryshme; për t’u dhënë atyre fytyrë estetike, të larmishme e tërheqëse për lexuesin. Pikërisht figurat e gjetura përfaqësojnë e shpalosin mesazhe, përmbajtje e ide estetike mbresëlënëse.
Vepra letrare është krijim shpirtëror i shkrimtarit, produkt i imagjinatës e i fantazisë së tij krijuese. Ajo nuk lind në mënyrë spontane, si renditje e rastësishme fjalësh, shprehjes, strukturash gramatikore e gjetjesh artistike.
Ajo ngrihet mbi bazën e një konceptimi tërësor ideotematik, artistik, estetik e kompozicional. Teksti i veprës karakterizohet nga një organizëm i brendshëm e i jashtëm gjuhësor, ideoestetik e stilistik, nga një strukturim që lidh organikisht pjesët me të tërën, figurshmërinë e teknikat shprehëse me mesazhin, synimet e funksionet estetike; karakterizohet me një harmoni e ndërsjelltë dhe e pandashme e formës me përmbajtjen. Në tërësi këta përbërës përvijojnë arkitekturën e veprës letrare. Harmonizimi mjeshtëror apo mosharmonizimi i tyre është një tregues thelbësor për të vlerësuar nivelin artistik të saj, është faktor themelor i suksesit të saj. Ndërtimi i tekstit letrar nga shkrimtari përbën bazën për të kuptuar e vlerësuar veprën letrare. Ai i jep dorë për t’u shkëputur nga ndikimet e pozitivizmit vulgar e anakronik; për të nxjerrë në pah të gjitha shtresimet ligjërimore estetike, organizimin formësor, strukturat e mjetet stilistike që ajo përmban, për ta vlerësuar, më në fund atë, në mënyrë sa më objektive e të paanshme, mbështetur në këta parametra artistikë.
Piktor, shkrimtar