Quantcast
Channel: Kulturë – Tirana Observer
Viewing all articles
Browse latest Browse all 1468

Poeti, gjuha dhe procesi krijues në vështrimin e novelistit Josif Brodski

$
0
0

Nga Vangjush Ziko

Poeti nobelist Josif Brodski (1940-1996), Nobeli 1987, ka lënë jo vetëm një trashëgimi të jashtëzakonshme në gjuhën ruse dhe në atë angleze: poezi, vepra dramatike, studime, ese, përkthime, por edhe mendime të thella dhe gjykime shumë origjinale mbi figurën e poetit, gjuhën e poezisë dhe procesin krijues poetik, mbështetur në përvojën e vet krijuese dhe në atë të figurave të shquara të poezisë botërore, të së kaluarës së largët dhe të viteve më të afërta, të Kavafis, Montale, Mandelshtam, e të tjerë.

Po hap një parantezë për ata që nuk e dinë se ai ishte i përndjekur në vendin e vet dhe se u dëbua nga Bashkimi Sovjetik në vitin 1972 dhe u vendos përfundimisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku zhvilloi aktivitetin e tij krijues si shkrimtar dhe si pedagog, duke shkruar poezi, kryesisht në gjuhën ruse, kurse eseistikën vetëm në gjuhën angleze.

Stili poetik i Brodskit është vlerësuar për koncetrimin e lartë të përmbajtjes dhe formën e lartë poetike, për intelektualizmin dhe frymën e thellë filozofike, ironinë dhe fjalën e mençur të poezisë së tij, për novatorizmin e metaforës; ai është një stilist i përsosur; gjuha e tij poetike dallohet për gërshetimin e gjuhës së gjallë shumështresore gërshetuar me arkaizma, dialektizma, terma speciale shkencore; poezia e tij synon ekuilibrin e poetikes me prozaiken, figuracioni nuk është abstrakt; sintaksa e tij poetike nuk përdor fare fjalitë e thjeshta, por synon frazat e komplikuara, me të cilat arrin dinamikën e zhvillimit pa fund të mendimit, duke synuar vërtetësinë më të lartë artistike.

Në një intervistë ai pohon: “Gjithë poezitë e mia, disa më shumë e disa më pak, flasin për të njëjtën gjë, për Kohën”.

Krijimtaria e tij poetike i përket një kategorie universale, e cila është në gjendje ta frenojë kohën, ta mundë atë. Dhe këtë poeti e arrin me anën e Gjuhës.

Në leksionin e mbajtur në ceremoninë e dorëzimit të Çmimit Nobel, Brodski i kushton një vend të veçantë këtij problemi duke e absolutizuar rolin e saj. I ndikuar nga rryma “akmeiste” në poezinë ruse, ai ve në plan të parë teorinë gjuhësore. Ai pohon: “Poeti i mirë është instrument i gjuhës së vet, jo e kundërta…Poeti është mjeti i ekzistencës së gjuhës”. Ai është i bindur se poetit ia dikton poezinë vetë gjuha aq sa ky shpesh çuditet se si ajo doli më e mirë nga ajo që ai kishte menduar. “Njeriu që ndodhet në një vartësi të tillë nga gjuha, shkruan ai, quhet poet”. Për Brodskin, gjuha është një njësi e pavarur, një fenomen i pavarur që jeton dhe zhvillohet: “Gjuha është më e rëndësishme se Zoti, se natyra, më e rëndësishme se çdo gjë tjetër”. Për Brodskin ndjenja e përjetësisë së poetit dhe e letërsisë lind, në radhë të parë, sepse ai është instrument i gjuhës dhe gjuha është e përjetshme, kurse sistemet dhe politikanët janë të përkohshëm.

Shkenca e gjuhësisë na mëson se gjuha është e lidhur dhe me realitetin, duke lojtur kështu rolin e saj në njohjen e këtij realiteti, gjuha është instrumenti i domosdoshëm i pasqyrimit të realtetit nga njeriu, ajo lot një rol aktiv në procesin e abstragimit. Brodski, duke theksuar rolin aktiv, primar të gjuhës në procesin e krijimit poetik, e quan poezinë: “përshpejtuese kolosale të ndërgjegjes, të mendimit, të botëkuptimit”.

Brodski ka një vizion të vetin për poetin, për stilin e punës krijuese dhe, në mënyrë të veçantë, për procesin e krijimit të figurës artistike. Krijimin ai nuk e quan aspak një punë mekanike, si një mjeshtëri të çfarëdoshme, zanat, por si një krijim ku merr pjesë ndjeshmëria e tij dhe procesi i njohjes, që e përshpejton në maksimum procesin krijues. Në një bisedë me poetin Derek Walcott, ai e përshkruan kështu këtë proces të rëndësishëm të mjeshtërisë krijuese artistike:

“Dikush më pyeti: çfarë të veçantë ka poeti ? Një nga shpegimet e mundshme është ky: thurja e vargjeve është një proces shumë vetjak. Ky është, në fakt, procesi i njohjes. Po sjell një shembull të thjeshtë. Kur ju rimoni dy sende, të cilat përpara kësaj nuk bënin një çift, midis tyre krijohet një farë lidhjeje. Le të supozojmë se vargu mbaron me flalën “moon” (“hënë”). Ti fillon të kërkosh në gjuhë rimën përkatëse, dhe shpejt apo von vjen te fjala “spoon” (“lugë”). Fillimisht ti mendon se kjo nuk është një fjalë e përshtatshme, pasi midis tyre nuk ka lidhje. Pastaj ti fillon të mendosh. Dhe mendon: kështu, vallë, është? Mundet edhe të jetë. Para së gjithash, të dyja janë jofrymore; të dyja kanë shkëlqim metalik. Etc., etc. Ti vendos midis tyre një lidhje. Dhe kjo lidhje të shkakton një përshpejtim tronditës. Ky të ndihmon ty të kuptosh diçka nga natyra e sendeve, nga natyra e hënës dhe natyra e lugës. Mbase, bile në natyrën e lidhjeve të këtyre dy sendeve. Pastaj ti kupton, se ka filluar të veprojë një mekanizëm krejt tjetër., bile në një drejtim tjetër të punës, si në çdo profesion, në një tjetër punë.. Dhe ti mund të kapesh shpejt pas tij. Në procesin e krijimtarisë është interesant ajo, që gjatë këtij procesi ti përdor njëkohësisht tri metoda njohjeje të njohura nga njeriu: 1) procesin analitik; 2) procesin e sistemit intuitiv dhe 3) zbulimin. Me fjalë të tjera, ti veprom sipas metodës perëndimore, në mënyrë analitike dhe sipas metodës lindore, me ndihmën e procesit intuitiv. Puna jote e konkretizon këtë shkrirje. Në çdo punë tjetër ti përdor vetëm një mënyrë, atë të veprimit”.

Për Brodskin, jo vetëm rima, si një nga pjesët përbërëse të prozodisë, por, veçanërisht ritmi është thelbësori. Ritmi është baza e çdo krijimi poetik, që e dallon atë nga proza; ritmi, si kombinim i tingujve dhe pushimeve,është baza e bazave të poezisë, që bashkë me figurat letrare, metaforat e të tjera, janë krijueset dhe transmetueset e drejtpërdrejta të tensionit krijues dramatik, të shkëlqimit të tij. Poezia e Brodskit dallohet për finesën artistike dhe për stimën intelektuale të saj. “Poezia, pohon ai, është, para së gjithash, arti i shoqërimit, i shënimit të paraleleve gjuhësore dhe metaforike”.

Ai pohon edhe një të vërtetë tjetër të krijimtarisë poetike. Ai është lark kuptimit idealist, të lindjes së poezisë nga një frymëzim mistik, apo të krijimit poetik të lindur vetëm nga ide të larta të palidhura me realitetin konkret; fryma e bashkkohësisë është një kërkesë e krijimtarisë poetike për të. Brodski përsërit një aforizëm të poetes së madhe ruse, poetes që e zbuloi e para talentin e tij dhe e ndihmoi me përkujdesin e saj dhe modelin e krijimtarisë së saj fantastike lirike, Ana Ahmatovës: “Vargjet lindin nga plehrat”. Buka e përdithsme e poezisë është vetë jeta me problemet e saj pa fund. Për Brodskin: “Arti është forma alternative e ekzistencës…nuk është as arratisje nga realiteti, as sublimimi i tij”. Në të njëjtën kohë, ai është kundër përdorimit të figuracionit artistik për t’ i “lartësuar”, temat e vockëla, shqetësimet ordinere me nivelin e çrregullimeve kozmike. Për poetin e vërtetë, poezia nuk është, aspak, renditja më e mirë e fjalëve më të mira në varg, vargëzimi i ftohtë mekanik nuk prodhon poezi.

Për Brodskin, raporti i poetit me vetveten, pa lexuesin është i mangët. Poezia nuk është monolog, por një bisedë e shkrimtarit me lexuesin. Në këtë bisedë poeti është i barabartë me lexuesin. Ai e quan poezinë “produkt të vetmisë reciproke midis shkrimtarit dhe lexuesit” duke vlerësuar atë që quhet “psikologjia e leximit”, që nënkupton pjesëmarrjen aktive të lexuesit gjatë leximit të poezisë; zgjimi i interesit dhe tërheqja e lexuesit në këtë dialog, duke e bërë atë pjesëmarrës në emocionet dhe mendimet e vetë autorit, është jetike për çdo krijues të vërtetë. Duke perifrazuar një varg të poezisë së Brodskit, kushtuar njëqindvjetorit të Ana Ahmatovës, le të pohojmë aksiomën se poezia dhe poeti zbulon “gjuhën e ligjërimit në universin shurdhmemec”.

Kritika ruse e ka cilësuar Brodskin me epitetin “klasik i vargut rus”, kurse ajo amerikane si zgjerues të mundësive të prosodisë në gjuhën angleze; në motivacionin e dhënies së çmimit Nobel shkruhet se i jepet “për krijimtarinë gjithëpërfshirëse të pajisur me pastërti mendimi dhe kthjelltësi të poezisë”. Josif Brodski mbetet një nga figurat e shquara të kulturës ruse dhe asaj amerikane.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 1468


<script src="https://jsc.adskeeper.com/r/s/rssing.com.1596347.js" async> </script>