Katërnjakët e familjes refugjate shqiptare që erdhën në jetë vetëm 6 muaj më parë në Jena të Gjermanisë janë pagëzuar në kishën ungjillore të qytetit Winzerla.
I pranishëm në ceremoni ishte edhe vetë kryeministri i landit të Thüringenit, Bodo Ramelow i cili është bërë edhe kumbarë i njërit prej katërnjakëve, përkatësisht i njërës nga tre vajzat e familjes Keta.
Mediat gjermane raportojnë se ceremonia e pagëzimit të katërnjakëve u zhvillua pjesërisht edhe në gjuhën shqipe.
Tre vajzat Olivia, Xhesika e Amelia dhe vëllai i tyre Frederiku kanë lindur nga mesi i tetorit të vitit të kaluar me prerje cezariane, në javën e 32-të të shtatzënisë së nënës së tyre, Oltiana Koci.
Oltiana dhe bashkëshorti i saj, u larguan nga Shqipëria drejt Gjermanisë në korrik të 2015 nga frika për të lindur katërnjakët në spitalet e Shqipërisë. Me 16 tetor fëmijët lindën në Spitalin Universitar të Jenas.
Por pavarësisht këtij gëzimi familjar që do mbetet gjatë në memorien e tyre, familja shqiptare e cila aktualisht banon në një apartament në Jena-Winzerla, është e kërcënuar të dëbohet nga Gjermania, pasi Shqipëria konsiderohet vend i sigurt dhe sipas rregullit, shtetasve të saj nuk u jepet azil.
Megjithatë, ata mund të apelojnë kundër këtij vendimi.