Quantcast
Channel: Kulturë – Tirana Observer
Viewing all articles
Browse latest Browse all 1468

“Emocionet e një pelegrinazhi të paharruar në Tokën e Shenjtë

$
0
0

Intervistë me klerikun orthodhoks Dhjak Nikolla Kodheli, një prej 10 pelegrinëve nga Kisha e Shqipërisë që vizituan së fundmi Jeruzalemin

Përgatiti: Dr. Isidor Koti

Të prekësh një ëndërr. Pikërisht aty ku përmblidhet historia më e veçantë e botës, aty ku gjen gjurmët e gjalla të krishtërimit dhe përjeton një hir të papërshkruar qiellor në një vend të shenjt.

Për këdo do të ishte e vështirë të përshkruash ditët e pelegrinazhit në një tokë që përçon hirin e Perëndisë.

Por në këtë intervistë, Dhjakon Nikolla Kodheli e bën të prekshëm dhe të ndjeshëm çdo hap, çdo detaj që të nxit jo vetëm të ëndërrosh, por edhe të bëhesh një ditë pelegrin në tokën e shenjt.

Si ju lindi ideja për të shkuar në Tokën e Shenjtë dhe sa ditë qëndruat?

Në datën 28 tetor erdhi një grup besimtarësh nga Mitropolia e shenjtë e Thivës dhe e Livadhiasë nga Greqia, për të vizituar Kishën tonë dhe për të parë e prekur nga afër ecurinë e saj në këto 25 vjet. Gjatë bisedave shpirtërore që patëm me njëri-tjetrin dhe ndarjes së eksperiencave tona, biseda e solli që të flisnim edhe për Tokën e Shenjtë, Jeruzalemin dhe gjithë pjesën tjetër ku lindi, jetoi, predikoi, shëroi, dhe pësoi e u ngjall Zoti ynë Jisu Krisht. Një prej zonjave, e cila shërben në Tokën e Shenjtë vullnetarisht dhe ka marrë titullin e “miroprurëses”, më dha të mbaj për pak kohë gjatë qëndrimit me to, një pjesëz nga lipsanët e martirëve të shenjtë që kishin qenë murgj në Manastirin e Shenjtë të Shën Gjerasim Jordanitit dhe që ishin martirizuar nga persët në vitin 614. Zemra ime, por dhe e miqve rreth meje u përshkua nga një gëzim hyjnor. Pyetjet tona rreth Vendit të Shenjtë ishin të shumta. Por dhe përgjigjet që na jepeshin zbulonin para syve tanë bekimet dhe emocionet që realisht të sjellin ato Vende të Shenjta. Kështu na lindi ideja për të vizituar dhe për të bërë tashmë realitet shkeljen në Vendet e Shenjta. Dhe që prej asaj dite, u bë pjesë e lutjes sonë, që Zoti të bënte të mundur përmes njerëzve të Tij, vajtjen në Izrael por dhe më gjerë në Tokën e Palestinës. Pas bisedash të njëpasnjëshme, përfundimisht u vendos që të niseshim në dt. 12 janar, e cila me kalendarin liturgjik të Kishës Orthodhokse të Patriarkanës së Jeruzalemit, pra kalendarin Julian, përkonte me dt. 31 dhjetor (Ky kalendar është 13 ditë pas kalendarit tonë, atij Gregorian). Kështu që udhëtimi ynë nisi me ditën e parë të vitit tëri sipas kalendarit Julian, ditë kur kremtohet dhe rrethprerja e Zotit tonë Jisu Krisht si dhe festa e Shën Vasilit të Madh. Qëndrimi ynë në vendet e shenjta zgjati deri nëdt. 21 janar (ose 8 janar, sipas kalendarit të vjetër Julian), pra gjithsej 9 ditë në ato toka ku kishte kaq hir e bekim,ngaqë aty kishin jetuar dhe asketizuar, ishin lutur dhe martirizuar me mijëra shenjtorë, por ku gjithashtu u shfaq dhe u mishërua vetë Perëndia.

Na përshkruani disa nga vendet që vizituat dhe emocionet që përjetuat?

Grupi ynë përbëhej nga 10 veta (dy klerikë, dhe besimtarë të Kryepiskopatës së Tiranës). Qëndrimi ynë dhe pelegrinazhi në Tokën e Shenjtë u bë i mundur nga Manastiri i Shën Gjerasim Jordanitit, i cili ndodhet në shkretëtirë pranë lumit Jordan.

Ditën e parë pelegrinazhi nisi nga Betlehemi, aty ku Perëndia mori formë Njeriu dhe u mishërua që të rikthejë sërish mundësinë që njeriu sipas hirit të bëhet Perëndi. Bazilika e madhe e Kishës së Lindjes ishte ndërtuar nëvitin 326 nga Nëna e Shën Kostandinit të Madh, Shën Elena. Në pjesën e poshtme të saj, gjendej shpella në të cilën kishte qëndruar Hyjlindësja Mari dhe kishte lindur Birin e saj dhe Shpëtimtarin e gjithë gjindjes njerëzore. Falja dhe nderimi tek vendi i shpellës së shenjtë mbushi zemrat tona me gëzim të papërshkueshëm, ndjenjë falenderimi dhe mirënjohjeje ndaj Perëndisë sonë që mundësoi vajtjen tonë deri në atë vend të largët fizikisht por kaq të afërt shpirtërisht. Gezimi ynë ishte i njëjtë me atë të magëve dhe të barinjve, të cilët të drejtuar nga ylli dhe ëngjëjt shkuan dhe iu falën foshnjës së sapolindur. Pelegrinazhi vazhdoi me vende të tjera të bekuara dhe plot hir Perëndie: Kodrën ku barinjtë dëgjuan nga ëngjëjt himnin “Lavdi Perëndisë që është më të lartat e mbi dhenë paqe e mbi njerëzit mirëdashje”; Manastirin e Shën Savës së Shenjtëruar; Manastirin e Shën Gjergj Hozevitit; Shkretëtirën ku kishte asketizuar Shën Maria e Egjiptit – shkretëtirë e cila në shekujt e parë të krishtërimit ishte kthyer në një oaz dhe përikje për asketët dhe eremitët. Vizituam malin e Thavorit, aty ku Zoti ynë Jisu Krisht shfaqi përpara nxënësve të Tij, Petros, Joanit e Jakovit, natyrën e Tij hyjnore. Në atë kodër është ndërtuar një kishë madhështore për nder të kësaj ngjarjeje. Çdo vit, gjatë të kremtes së Metamorfozës, gjatë kryerjes së shërbesave si dhe Liturgjisë Hyjnore, kjo kodër mbulohet nga një re e Hirshme e cila vjen prej Nazaretit që ndodhet përballë dhe qëndron mbi kokat e gjithë besimtarëve, të cilët e shohin dhe e përjetojnë në mënyra të ndryshme, sipas gjendjes shpirtërore në të cilën ndodhen. Në vazhdim, u ndalëm n Nazaret, tek burimi ku Hyjlindësja Mari u vizitua nga Kryeengjëlli Gabriel dhe mori lajmin e Ngjizjes së Shpëtimtarit të njerëzimit: “Gëzohu o Hirplotë, Zoti është me ty!…Mos ki frikë Mari, sepse ke gjetur hir përpara Perëndisë…Do të lindësh një djalë dhe do tja vesh emrin Jisu!” Ishte emocionuese të riktheheshim në kohë, rreth 2000 vjet më parë e të ndodheshim në atë vend të bekuar ku nisi ungjillëzimi dhe shpëtimi ynë. Mbi atë burim ishte ndërtuar kisha e Ungjillëzimit në të cilën patëm gëzimin të takoheshim dhe me vëllezër të krishterë orthodhoksë palestinezë. Më pas shkuam në Shpellën e Lebrozëve, aty ku Zoti shëroi dhjetë lebrozë dhe ku vetëm njëri prej tyre u kthye ta falenderonte. Në vazhdim u ndalëm tek pusi i Jakovit, i quajtur i tillë sepse Jakovi e hapi atë bashke me 12 bijtë e tij në inat e sipër. Prandaj dhe ky pus njihet me emrin, Pusi i Inatit. Mbi këtë vend të shenjtë është ndërtuar një Kishë madhështore për nder të gruas samaritane, ose Shën Fotinisë, ashtu si na përshkuhet dhe nga dialogu që bëri Jisui me këtë grua. Uji i këtij pusi merret për shëndet dhe bekim nga vizitorët.

Vende të tjera të shenjta që prekëm gjatë pelegrinazhit tonë ishin: Lumi Jordan, Mali i Tundimeve,ku agjëroi Zoti për 40 ditë e 40 netë; Kana e Galilesë, ku Krishti kreu nisjen e mrekullive duke kthyer ujin në verë,Liqeni i Galilesë, vendi ku Zoti thirri Apostujt e tij të parë Andrean dhe Pjetrin; Shtëpia e Marthës dhe Marias tëcilat kishin vëlla Llazarin, që Krishti e ngjalli pas 4 ditësh nga varri; Kisha e Kombeve, Mali i Ullinjve, Kisha e Ngjitjes së Zotit në qiej; Gjethsemania ku vizituam Varrin e zbrazët të Hyjlindëses dhe gjithmonë Virgjëreshës Mari, brenda kishës sëtëcilës ndodheshin dhe varret e Hyjprindërve të shenjtë Joakimit dhe Anës; Qyteti i Jerichosë, një qytet biblik; Shtëpia e Zakeut dhe pema e manit ku ai hipi për të parë Krishtin si dhe qyteti i shenjtë i Jeruzalemit brenda të cilit ndodhet varri jetëdhënës i Zotit dhe Shpëtimtarit tonë Jisu Krisht; Kisha e Ngjalljes; Golgothaja, Via Dolorosa ose Rruga e Pësimeve ku eci Krishti duke mbajtur Kryqin dhe e cila përmban 14 ndalesa sipas vendeve ku u ndal Krishti gjatë ngjitjes së Tij në Golgotha;Shtëpia ku lindi Hyjlindësja Mari nga prindërit e drejtë Joakimi e Ana. Vizituam gjithashtu dhe Patriarkanën orthodhokse të Jeruzalemit ku takuam Patriarkun e Jeruzalemit Theofilin III.

16251211_10154064892316104_1874553709_o

Nga të gjitha vizitat, cila ju la më shumë mbresa?

Të gjitha vendet që vizituam mbartnin dhe përçonin hirin e Perëndisë, si dhe mesazhe të fuqishme shpirtërore për ecurinë tonë të mëtejshme. Por pika kulmore e pelegrinazhit ishte vizita në Varrin Jetëdhënës dhe shpëtimtar të Zotit Krisht. Sapo futeshe tek Varri i Krishtit, ndieje aromën e fuqishme të miros dhe prezencën hyjnore të vetë Zotit. I përkulur në rrëzë të varrit, mendja ndalonte së menduari, zemra rrihte fuqishëm nga një shumëllojshmëri ndjenjash dhe emocionesh, kurse shpirti i dedikohej tërësisht Krijuesit në lutje e përgjërime. Lotët e pendimit dhe gëzimi i Ngjalljes udhëtonin bashkë me vizitorin në këtë vend të shenjtë dhe mrekulli bërës. Teksa shihje turmën e madhe të njerëzve që prisnin rradhën me durim e besim në hyrje të varrit, e që vinin nga të gjitha vendet e botës për të adhuruar Perëndinë në gjuhën e tyre, një varg lavdërimesh e lumurimesh buronin natyrshëm prej shpirtit “Cila Perëndi është kaq e madhe sa Perëndia ynë; Ti je Perëndi i vetëm që bën çudira!”. Në atë vend njeriu takon vetë Perëndinë dhe përulësinë e saj, ndjen dashurinë e madhe të Atit Perëndi për vetë krijesën e cila, e mbushur me këtë lloj dashurie kërkon ta përçojë atë ngado rreth e rrotull. Në atë vend, krejt papritur, i huaji bëhet i njohur, dhe i largëti i afërm, njerëzit bëhen vëllezër, dhe çdo fytyrë rrezaton të njëjtën dritë e ngazëllim. Kjo quhet mrekullia e dashurisë që aq shumë i mungon botës sonë.

16344320_10154064892901104_614901067_n

Si ndikon në aspektin shpirtëror tek një besimtar një pelegrinazh në Jeruzalem?

Duke shkelur në ato toka të shenjta, njeriu shenjtërohet; duke u falur aty, ai kthjellon mendjen dhe sheh më qartë; pastron zemrën dhe përgatitet për një adhurim më të logjikshëm e më të zjarrtë të Perëndisë Triadike. Pelegrinazhi në ato toka, endërgjegjëson njeriun për të vazhduar pjesën tjetër të jetës i penduar, e inkurajon atë të zbatojë mësimet e Zotit; e ndihmon të largohet nga gënjeshtra dhe mëkati e të kuptojë më mirë fjalët e Ungjillit, sepse duke jetuar në ato vende, Ungjilli bëhet më i prekshëm dhe më real. Duke jetuar në ato vende njeriu kupton përulësinë, dhe ndien kotësinë e vetes së vet, si dhe pranon vartësinë e tij ndaj Perëndisë. Me pak fjalë, njeriu përjeton një tjetërsim dhe transformim pozitiv të qenies së vet; dhe lidhet kaq shumë me atë vend mrekullibërës, saqë kur vjen momenti i largimit prej aty, jo vetëm që le një pjesëz të zemrës së vet, por edhe merr një copëz nga Jeruzalemi, sepse ai vend le gjurmë të thella në shpirtin e çdo njeriu që e viziton.

Cila ishte ngjarja që ju la më shumë mbresa dhe do ta kujtoni gjatë?

I gjithë pelegrinazhi në vetvete ishte një ëndërr, e cila shpeshherë mendohej si një ëndërr e largët për shumë arsye, por që lavdi Perëndisë u realizua dhe u bë e mundur vajtja jonë në Tokën e Shenjtë. Në vitet e mëparshme, haxhillëku në ato vende kërkonte shumë sakrificë e mundim. Që të shkonte dikush, duhej të udhëtonte për shumë orë me kafshë, pastaj të merrte anijen e të zbriste në portin e Jafës e më pas të vazhdonte pelegrinazhin, i cili mund të zgjaste me muaj të tërë. Perëndia e bëri të mundur për grupin tonë prej 10 vetash që të organizohej dhe realizohej ky haxhillëk në Tokat e Shenjta brenda një kohe fare të shkurtër. Me gjithë zemër do t’i uroja kujtdo, që të paktën njëherë në jetë të shkelte në këto toka të shenjta e të bekuara, ku ngado përçohej hiri i Perëndisë dhe bekimi i Tij.

16358355_10154064892721104_1747723009_n

16357830_10154064892796104_1741671806_o

16357660_10154064892611104_305023363_o

16357549_10154064892466104_628039631_o

16344320_10154064892901104_614901067_n

16344314_10154064892981104_1109926693_n

16325965_10154064892211104_2002349302_o

16295602_10154064892396104_1506314207_n

16295362_10154064892991104_2112502737_n

16251211_10154064892316104_1874553709_o

16237652_10154064893006104_1957994882_n

16216072_10154064892931104_1434502972_n


Viewing all articles
Browse latest Browse all 1468


<script src="https://jsc.adskeeper.com/r/s/rssing.com.1596347.js" async> </script>