Përgatiti: Dr. Isidor Koti
Prej disa muajsh, Natani është larguar nga Shqipëria për t’u vendosur për arsye familjare përkohësisht në Amerikë dhe për tu rikthyer sërish këtu me mision e tij.
Prej thuajse 19 vitesh, ai ka shërbyer në funksione të ndryshme në Kishën e Shqipërisë, në detyra organizative, kryesisht në mësimdhënie dhe edukimin e brezit të ri.
Ne menduam të zhvillonim një bisedë nisur nga interesi dhe kureshtja për mënyrën si funksionon Kisha Orthodhokse në Amerikë dhe si organizohen besimtarët aty.
Natan, keni disa muaj që jeni larguar nga Shqipëria për në Sh.B.A. Si e keni kaluar këtë periudhë dhe sa e ndjeni mungesën e përditshmërisë shqiptare?
Unë kam jetuar në Shqipëri për afro 19 vjet. Gjatë kësaj kohe kam filluar ta ndiej Shqipërinë si shtëpinë time. Ndiej lidhje të ngushta me vendin dhe me shumë miq që i ndiej si familje. Pa dyshim kam edhe një pjesë të familjes atje, duke qenë se jam martuar me shqiptare.
Koha në SH.B.A. ka qenë goxha e ngarkuar. Unë jam duke ndjekur studimet e mëtejshme si dhe kam marrë pjesë në disa konferenca. Një nga bekimet e të qenit në Amerikë për një periudhë më të gjatë është mundësia për të kaluar kohë dhe për t’u lidhur me miq dhe familjen në Amerikë. Ka qenë mirë sidomos fakti që kam patur mundësinë të jem më pranë prindërve të mi që nuk janë mirë me shëndet dhe kanë patur nevojë për përkujdesje.
Ju kryeni funksionin e një misionari të Kishës Orthodhokse dhe duke qenë në lëvizje i bëni më lehtë krahasimet. Çfarë e veçantë ju ka bërë përherë përshtypje nga Kisha e Shqipërisë?
Një nga gjërat që më ka bërë më shumë përshtypje kur udhëtoj është respekti i madh dhe dashuria që kanë njerëzit kudo në botë për Kryepiskopin Anastas. Jam vërtet i bekuar që punoj nën udhëheqjen e tij në Shqipëri dhe trajtohem me respekt e mirëpritem në udhëtimet e mia jashtë vendit thjesht nga reputacioni që ai ka.
Në Shqipëri shpesh shohim sfidat dhe vështirësitë që hasim, sepse po rindërtojmë Kishën pas persekutimit të tmerrshëm, por ky realitet ka edhe një aspekt tjetër. Kisha Orthodhokse në Shqipëri është shumë dinamike, e mbushur me jetë dhe në rritje. Në shumë vende të tjera Kisha është më statike, gjërat janë pak a shumë njëlloj, pak ndryshim ose zhvillim nëpër vite.
Në Shqipëri gjatë kohës sonë kemi parë Kishën të ngrihet nga gërmadhat. Gjëra të mrekullueshme kanë ndodhur përgjatë 25 vjetëve të fundit dhe është emocionuese të mendosh çfarë mrekullish mund të bëjë Perëndia dekadat që do të vijnë. Për shqiptarët që nuk janë aktivizuar në Kishë, kjo është mundësi e mirë që ta marrin në konsideratë dhe për t’u përfshirë.
Këtë periudhë që ndodheni në Amerikë, jemi kureshtarë të dimë si organizohet Kisha aty?
Kisha Orthodhokse në Amerikën Veriore ka një mjedis të veçantë, sepse u themelua nga njerëz që erdhën nga shumë vende orthodhokse me tradita të ndryshme që sollën besimin e tyre orthodhoks dhe themeluan kishat e tyre këtu. Kjo do të thotë se ka një diversitet të bukur me kishat e etniciteteve dhe traditave kulturore të ndryshme si edhe një proces dinamik në të cilin këto tradita po përzihen në një orthodhoksi amerikane.
Ka shumë njerëz në Amerikë që nuk janë nga vende tradicionalisht orthodhokse që kanë zbuluar orthodhoksinë dhe kanë zgjedhur t’i bashkohen Kishës Orthodhokse. Në Shtetet e Bashkuara, besimi trajtohet si zgjedhje personale. Njerëzit bëhen orthodhoksë sepse kanë parë shumë mundësi të ndryshme dhe kanë besuar se orthodhoksia është udha më autentike për të ndjekur Perëndinë dhe planin e Tij për jetët e tyre.
Jemi në dijeni që besimtarët ofrojnë kontributet e tyre me kuota për të mbajtur gjallë çdo aktivitet…
Në Shtetet e Bashkuara çdo enori lokale është e organizuar si komunitet nën udhëheqjen e priftit dhe peshkopit. Në komunitetet e mirëorganizuara njerëzit e kuptojnë se ata janë vetë Kisha dhe se aktivitetet e tyre të përbashkëta janë jeta e Kishës. Kishat përpiqen të edukojnë njerëzit, se si të krishterë gjithçka që kemi është dhuratë e dhënë nga Perëndia. Perëndia na ka bekuar që të jemi bekim për njëri-tjetrin dhe të tjerët. Anëtarët e Kishës kontribojnë për të mbështetur jetën e Kishës. Shumica e kishave nuk ka një tarifë anëtarësimi të caktuar, por u kërkojnë anëtarëve të tyre të ofrojnë sipas mundësive.
Shpesh diskutohet në vendet e zhvilluara si Amerika për dualizmin spiritualizëm-sekularizëm. Sa e vështirë është të punosh me njerëzit në këtë përplasje frymësh?
Kjo është një pyetje interesante. Shpeshherë është e vështirë të tërheqësh vëmendjen e njerëzve që janë mirë financiarisht dhe në rehati. Por është gjithashtu e vështirë të tërheqësh vëmendjen e njerëzve që janë shumë të varfër pa u ofruar ndihmë materiale. Mendoj se është e rëndësishme të mos i ndajmë njerëzit në pjesa fizike dhe pjesa shpirtërore. Qeniet njerëzore janë një njësi që i përmban të dyja. Gjëja e rëndësishme që duhet të kuptojmë është se jemi krijuar nga Perëndia dhe Ai ka një plan për më të mirën për secilin prej nesh. Si në Shqipëri apo Shtetet e Bashkuara kemi tundimin të injorojmë Perëndinë dhe nuk arrijmë të kuptojë se kurrë nuk mund të gjejmë lumturinë ose përmbushjen pa Atë. Edhe në një vend si Amerika ku shumë njerëz janë mirë nga gjendja ekonomike ata mund të jenë të izoluar, të vetmuar dhe të depresionuar nëse nuk kuptojnë burimin e vërtetë të kuptimit të jetës.
Do ktheheni në Shqipëri dhe çfarë projektesh keni në të ardhmen e afërt?
Si gjithmonë do të vazhdojmë të jemi në drejtimin e Kryepiskopit Anastas dhe do të shërbejmë në çfarëdo lloj mënyre ai e shikon të përshtatshme për ne. Kryepiskopi është i interesuar për mirëqenien e fëmijëve, të rinjve dhe familjeve dhe mendoj se do të vazhdojmë të investojmë në këto drejtime si dhe në mësimdhënien në Akademinë Teologjike “Ngjallja e Krishtit”.