Fotoja e aktorit Robert Ndrenika duke pritur i ulur në një karrige në ambientet e QSUT-së shkaktoi mjaft reagime në rrjetet sociale.
Ata janë shprehur të revoltua, duke kritikuar gjendjen e shëndetësisë në vend.
Aktori qëndron i ulur në një karrige, me duar të kryqëzuara në një nga korridoret e Qendrës Spitalore Universitare Nënë Tereza duke pritur që të mjekohet, ndërsa më shumë se çdo gjë tjetër tregon mjerim.
Kjo foto është padyshim një leksion modestie nga ana e Ndrenikës që pret të marrë mjekimin, por ana tjetër tregon edhe njëherë shkujdesjen e shtetit për ambientet e spitaleve publike.
Ndërkohë, disa media pranë qeverisë shkruajnë se fotoja është e vjetër dhe se gjendja e aktorit është e përmirësuar.
Regjisori i shfaqjes Milto Kutali që po zhvillon provat për premierën “Mendohu Xhakomino” të Pirandelos në shtëpi me aktorin për shfaqjen e datës 8 shkurt pohon për Report Tv se realisht aktori kaloi një gjendje gripale shumë të rënduar javën e kaluar, gjë që në rastin e një aktori krijon edhe probleme me zërin.
Kutali është shprehur se “Ndrenika ka kërkuar vetë që të bëjë provat në shtëpi dhe gjendja e tij po përmirësohet.
Gjithashtu edhe burime nga drejtoria e Teatrit të Metropolit pohojnë se “Aktori Robert Ndrenika është shumë mirë me shëndet dhe nesër do të jetë në Teatrin e Metropolit për të zhvilluar provat për premierën “Mendohu Xhakomino”.