Rolin e Melamin Beratit, Gaz Paja e interpreton prej vitesh, ndaj sjellja prej të forti me gazetarët në skenën e Teatrit të kujton menjëherë Portokallinë.
Do të kishte mbetur e gjitha një shfaqje bajate, sikur ai të mos kishte sharë dhe ofenduar gazetarët, disa ditë më pas në emisionin Pasdite në Top Channel.
Gazetarët që debatuan me të, nuk u ftuan në emision. Studio i hapi dyert sharjeve dhe ofendimeve banale, por nuk u transmetua në ekran konferenca e shumëpërfolur për mediat. Ndiqni më poshtë videon e plotë, prej 15 minutash të sherrit mes Gaz Pajës dhe gazetarëve. Vini re, sesi pa e dëgjuar fare pyetjen e gazetares, aktori i pëshpërit kolegut të tij “një sekondë para se të përgjigjesh, sa ta pyes unë diçka”.
Të bën përshtypje në video nënshtrimi i aktorëve të tjerë ndaj kolegut Gaz Paja. Vini re në video, se pasi grindet me gazetaren, “profesori” jep verdiktin për kolegun: Genci mund të përgjigjesh!
Vini re sesi regjizori Kiço Londo, vetëofrohet me përulje t’i shërbejë duke lëvizur tavolinën me mikrofona, që “profesori” të ketë ekskluzivitetin për të folur. Me sytë e skuqur dhe lëvizje të pakontrolluara, në një moment Gaz Paja u çua në këmbë, eci drejt drejt gazetares duke vendosur gishtin tregues para fytyrës për t’i kërkuar të heshtë.
DEBATI ME “PROFESOR” GAZIN by lapsi-al
Por përse kaq pak modesti nga aktori i talentuar i Portokallisë?
Pa dyshim që përfshirja në politikë, i ka dhënë peshë fjalës së tij në Teatër. Gaz Paja u angazhua në fushatën e FRESSH VOICE, për zgjedhjen e kreut të Forumit Rinor Eurosocialist, një angazhim që zgjati disa muaj. Në studion që i vunë në dispozicion, në Top Channel, pranoi se ishte mik me Edi Ramën, të cilin e quajti në konfidencë “të çmendur”.
Marrëdhënia e afërt me pushtetin u reflektua edhe në sjelljen mes kolegësh apo me gazetarët.
Përveç kësaj, aktori është bërë pjesë e aktiviteteve të kryetarit të Bashkisë, Erion Veliajt në projektin “Adopto një çerdhe”.
Projekti synoi të mblidhte fonde nga biznesmenë të ndryshëm në Tiranë, që do të angazhoheshin personalisht në financimin e rikonstruksionit te çerdheve. Dalja e Gaz Pajës vullnetar për të financuar një projekt si ky ngjalli kuriozitet. Nisma mund t’i shkonte për shtat të ardhurave që mund të ketë Melamin Berati, jo një aktor i teatrit.(Lapsi.al)