Quantcast
Channel: Kulturë – Tirana Observer
Viewing all articles
Browse latest Browse all 1468

“Vdekje nuk e shpikëm na” – Cikël me poezi nga Elinda Rusta

$
0
0

“VDEKJEN NUK E SHPIKËM NA” është cikël poetik i shkëputur prej vëllimit “NJËMIJË VJET AJKUNË” të autores Elinda Rusta, botuar nga Shtëpia Botuese Klubi i Poezisë, Tiranë, redaktor Rexhep Shahu, recensent Izet Duraku.

NATA E KURTHEVE

Turra- turra shkojnë zogjtë n’Prill
Grihen kush me mbrri i pari.

Mbi ta i kanë sytë ata që dëshrojnë lavde
E n’dëshira me ken t’parët
Dështojnë.

Se lavdet i mban qielli e hiç s’ka dert për t’dëmtuem.

Dita shkon tuj kndue si n’Lugje t’Verdha
Nata nuk e ndryshon fatin e kurtheve
Qielli vajton fitoret e mbytuna
N’dëshirë me u dërmue në sy t’qeshun pa hile.

ME MIGJENIN PER DORE

Koha shkon në punë të vet
Migjeni m’pret në kambë.

Unë e ai nuk dimë me dashtë,
na japim pa marrë.

E vetmja valle dashnie e pakcyeme
na mbet’ ajo e yjeve të Lasgushit.

Me Migjenin përdore ia morëm valles
dogjëm në të jaret e Fishtës.

Mjeda, fyellit që kish ra me dremitë
ia lujti gishtat mbi liqer.

Yjet, jaret, Poradeci e mjerimi
janë ashikë të vjetër!

VDEKJEN NUK E SHPIKËM NA

Ti s’mujte me ma dhanë lirinë
me qeshë derisa t’më dhambë shpirti
me u qa n’ty.

Hapsinave tua iu besova
e mbërrij fundin edhe pa ndihmën tande
vdekjen nuk e shpikëm unë e ti.

As m’ke vra, as m’ke ba të dobët
tash as andrrat nuk t’i kallzoj ma.

KTHEHENA PREJ RRUGE

Nuk asht se e due
veç kam qejf me folë me të
për çka me m’vu faj?

S’ashtë se ndreqen gjanat me shkop magjik e hangërt dreqi!
Njerzit ndryshojnë nuk duan ma si dikur
as na s’jena ma si ma parë
s’shifna ma me sy tuj na shndrit.

Kthehena prej rruge e marrim prapë shoqi-shoqin
si dy pleq t’vjetër që i kanë mbijetue bashkë luftës
e veç njeni-tjetri ju ka mbetë.

Edhe qeshim ndonjëherë
Edhe bahena me nerva për çka ka kalue, a thue se ashtë diçka e natyrshme.

E na kurrë s’jena dashtë, as s’kena vujt, as s’jena urrye kurrë.

Jena prapë bashkë në kuptimin ma t’pakuptimtë që ka fjala bashkë.
Jena kështu… ma t’çuditshëm se kurrë ndonjëherë.

LULET E MOLLËS

Njëmijë vjet t’kam kërku
në mijëra net që i kam zbardhë me ty.

Prej dimnit t’madh t’Janarit t’atëhershëm
t’kam pritë në çdo grimcë të dinjitetit tem
kam ditë me i kenë mirënjohëse verës tande
që m’mbajti brenda e s’më la me mërdhi.

M’merr malli për ty e nadjet që çohena tuj këndu prej gzimit
për tre diejt që bekuem me gulshe buzëqeshjesh.

Me dorën tande shkruj vedin
m’merr malli pse ti m’i din kufijtë e syve
deri aty ku s’ka univers t’ri.

Shpirti yt e i jemi çelin bashkë
si lulet e mollës në t’njejtin gem.

AJKUNË E RE

Jam mesazhi i ambël i nadjes
Romani i gjatë që m’shkruan përnatë
Mënyrë në të cilën beson
Lumtuni
Paqja që ti merr, ma e madhe se në parajsë
Jam shumë, ma shumë se një bjeshkë
Jam ajo që s’ke nevojë me e kuptu
Veç me e dashtë
Jam qiell që rrok me krahë të mëdhenj
Poezi që pa të s’mundesh me kenë
Ortek që pi kupa pezmi
Atkinë që vlen sa krejt karvani i t’paskrupujve
Ajkunë e re që grrith me thoj ftyrën n’humbje.

ECI NËPËR HAPA

Symbyll eci nëpër hapa
Nëpër minuta
Zbukurohem në shenja prekjesh
Vijash lëkure
U puthëm sysh sot
Më dhe fresk
E shkyem krahnorin
Mbështetun në lumtuni
Hapave që bamë bashkë
Nuk iu mshehëm
Morëm konturet e gjurmëve
Ndoqëm veten tuj u pa n’sy
Puthjet zgjatën kah na
Na ankojmë në yje
Hana ashtë e pahajër
E rruzulli mbushë n’coftina.

MË MORI MALLI

Çohu gjumash se më mori malli!
Çohu
E m’thuj se pranon me vdekë
Prej ndëshkimit tem.
Se jam e shejtë
Se t’dridhet shtati për mu
Se jam e përzgjedhun, jo rradhe
Se edhe andrrën e don me mu.
Çohu e m’thuj
Se s’të hyn n’sy bota pa mu!

HILJA E KUNATAVE

Bretkosat mbi liqè tand
Bajnë zhurmë
Ma fort se gratë e nji mahalle.

Buna rrugëton me u mbarsë në Dri.

Rozafës i dhemb në brinjë
Hilja e kunatave.

Fjalët boshe nuk e rrahin Taraboshin.

Qyqarit që dje deshti me m’vjedh lumtuninë
A i kam dhanë bukë ndonjëherë?

BIE N’LUMTUNI

Bie n’lumtuni
refuzoj me ken si tjerët
unë s’jam si tjerët
shoh gjithçka që s’kam mujt me pa dikur.

More gjurmët e tua nëpër shpirtin tem,
nëpër gjakun tem ike për mos me lanë kurgja
as shpresa.

Ka mbetë prej teje gjumi
vetëm në një dhomë të shkretë shpie tuj qa
çohem tremshem jo rrallë
tutna prej gjumit tepruem
s’m’len kohë për kurgja veç me lexu libra
nji ves të urryem me pi cigare kur s’kam çka baj.

Shkove
m’le me boshin që mbushe vetëm ti
s’pate marre me i thy premtimet!

Shko!
Me dhomat e vetmueme kanë ikë tana.

Edhe ti
ti s’din tashma me dashtë.

SHI N’SHKODËR SHI N’TIRANË

Shi lashë në Shkodër,
Shi gjeta në Tiranë…

Njerzia kanë lidhë në flokët e bardhë
të pakrehun
britma të zeza
të shurdhëta.

Në prehën
asht ulë kambëkryq dhimbja
mes halleve të shumta
iu pikoi kjo stinë.

Në sytë e secilit
shihen skurrjelat e padukshem t’lotëve
ato kanë me u strukë
n’peshtafin e brishtë t’kohës.

Breshën n’Shkodër – shi n’Tiranë…

AS DY GJYSMA S’KANË MBETË

Tuj qa për ty, t’harroj krejt e m’ik ftyra jote, m’avullon
t’harroj ty e në jetë mbaj kujtimet tona.

M’pate vjedhë gjithçka, edhe frymëmarrjet.

Por qe… kaq e vogël ashtë bota që krijume!

Nji grumbull me zhgënjime, me andrra t’preme përgjysë
me ndjenja t’fikuna, me gjysë përshëndetje t’belbëzume me za t’voktë nadjeve.

Kaq mbeti prej nesh
prej asaj dashnisë që thoshim se
s’ka me u shue kurrë.

Mbetëm unë e ti.
E tash as dy gjysma s’kanë mbetë!


Viewing all articles
Browse latest Browse all 1468


<script src="https://jsc.adskeeper.com/r/s/rssing.com.1596347.js" async> </script>