Nga Freskida Miloti
U zhvillua edicioni i 9-të i “FESTIVALIT TË POEZISË SË PABOTUME” në qytetin e Shkodrës, në qytetin e poetëve të shquar të letërsisë shqipe. Ky festival vjen i veçantë në çdo edicion të tij dhe me një pjesëmarrje të gjerë edhe jashtë kufijve të Shqipërisë. Mjafton të jenë vargje shpirti, të pabotuara, por që poetët gjejnë tashmë mundësinë t’ju prezantojnë edhe të tjerëve dhe madje të konkurrojnë e të motivohen për t’i botuar poezitë e tyre. EKO Mendje, me drejtues Mirsad Basha dhe me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës organizuan këtë festival në shkollën e mesme artistike “Prenkё Jakova”, në sallën e koncerteve që mban emrin e muzikantit të mirënjohur shqiptar ‘Gjon Kapedani’.
Në skenë u ngjitën 22 poetët konkurrues, nga 120 poezi të ardhur në adresë të festivalit traditë në çdo stinë. Interpretimet e tyre u shoqëruar në violinë dhe kitarë nga Eugjen Gargjola, një muzikant i shumë çmimeve ndërkombëtare dhe një nga drejtuesit e shumë aktiviteteve artistike në qytetin e Shkodrës dhe jo vetëm.
Këngëtarja Anjeza Marku solli në skenë pjesë të shkëputura nga Opera ‘Mrika’ e shoqëruar në piano nga profesori Lekë Jakova.
“FESTIVALI I POEZISË SË PABOTUME” pas prezantimit të poezive dhe kritikës letrare nga Zija Vuka, Valbona Karakaçi dhe Alketa Kraja u vlerësuan nga juritë përkatëse me çmimet. Festivali u prezantua me profesionalizëm nga gazetarja Erjona Rusi dhe aktivitet u pasqyrua nga shumë media.
Pjesë e jurisë së medias ishin gazetarët: Freskida Miloti, Fjodora Fjora, Besi Jacaj, Emi Kalaja,
Alma Puka.
Juria e melodia poetike ishin muzikantët: Anton Kaftalli, Bardh Hysa.
Juria e kritikës: Primo Shllaku, Zija Vuka, Rita Petro, Ana Kove, Pjaver Kroni, Valbona Karakaçi, Alida Luka, Alketa Kraja.
Juria e interpretimit përbehej nga aktorët e mirënjohur: Merita Smaja, Arben Derhemi, Agron Dizdari, regjisoret Alma Hoti e Verjana Abazaj dhe Festim Avdyli.
Të gjithë poetët pjesëmarrës u motivuan që të ecnin në rrugën drejtë artit të shpirtit dhe fitues të këtij festivali ishin:
Vendi i parë – Arjola Zadrima
Vendi i dytë – Alban Kali
Vendi i tretë – Elida Çupi
Çmimi i Medias – Vendi i parë – Arjola Zadrima
Vendi i dytë – Adriatike Lami
Vendi i tretë – Irgen Dragovoja
Çmimi i Interpretimit: Vendi i parë – Ermira Ymeraj
Vendi i dytë – Artur Rusi
Vendi i tretë – Irgen Dragovoja
Çmimi Melodia Poetike – Vendi i parë – Riza Braholli
Vendi i dytë – Zhuljeta Grabocka
Vendi i tretë – Abdyl Kadolli
Ales (Tim Biri) – Arjola Zadrima (Çmimi i parë)
…bota s’njeh dashni, bir,
ajo asht veç një lamsh i vjetër
që ndjenjat braktis
në kishat baroke të një
lashtësie apostolike.
Njerëzit abuzojnë me forcën,
tue mendue se Ati i Gjithëpushtetshëm
ua ka lanë trashigim.
Lypsat shtohen ,
të vegjlit e tyne thithin të njëjtën sisë ,
të tamlit të huej.
Ata t’palamë, t’paveshun e ti i ke frikë.
Janë si na dritë.
Qejve prapë kanë me u gjujtë me shkelm,
mos u tramaks,
atij burrit sot nuk i ka ecë,
e inatin ja qet një qenit të gjorë .
S’di me ta shpjegu pse jeta nganjiherë asht e shkurtë.
Më fal.
Mbaje mend veç brenda krahëve të mi asht butë,
dimni aty s’mundet me hy, fryma asht e ngrohtë, jeta asht TI.
Mbylli sytë, krejt ngjyrat e ylberit merri,
shkrueji andrrat tueja
e banu lajmëtar i dashnisë ma të shenjtë që të kam msue,
asaj për njirin, e krejt çka të prek syni.
Kjo asht guxim…
Se bota asht meskine Ale,
kujtojnë se zemrat shiten,
e përqafimet blehen shtrenjtë a lirë.
Ata s’dinë sa amël të shtrengon nana në gji,
pa kurgja mbas shpirtit , veç dashni.
Pash frymën tande , mos u ban si ata.
Magji – Alban Kali (Çmimi i dytë)
Bukuria ndjek
Rikthimet në vetvete
E struket në retë e bardha
Si një fllad i lehtë muzgu.
Çatia hapet
E magjia hyn brenda
Me pluskimet e saj të yjta.
Toka dashunon hapat e sigurt
Qielli frymën e shenjtë
Në stinën e bukur të Qenies.
Fija e barit
Tek gjallnon vogëlsinë
Shkelet nga përditshmënia.
Grafullojnë shëmbëlltyrat
Frymëmarrjet e fundit të një drite
Që banonte diku në fyt…
Në fytin e asaj bukurie të shëmtueme
Që m’ka vjedhun tansisht.
A është si turpi liria? – Rudina Çupi (Çmimi i tretë)
Përshtypja e parë e të qenët e lirë
më ngatërrohej pak me turpin,
ishte si ndjesia e të rriturit
që rri lakuriq e i duket se ajri ngjit.
Ndjen ç’lehtësi kur fillon të zhveshësh nga trupi
sende të rënda që të lidhin pas vendit,
për shembull,
kur zhvesh atdheun,
e lë si rrobë përdhe e futesh në det…
nëse të merr malli për të,
kur të mbërrish në tjetër breg,
shih në krahun e majtë
shenjën e vaksinës së lisë dhe mendo se me vete e ke.
Kur të zhveshësh nga trupi
fenë vërej në lëkurë
shenjat mavi të llastikut që duken të gdhendura,
si vidë dhe çuditu pse shenja është nën kërthizë:
diku mes vendit
ku ke qenë lidhur me nënën dhe vendit ku lidhesh me atë që fle.
Një e dridhur do të kalojë në lëkurë
e do të ndjesh frikë se mos mbështjella
që t’i mban puthitur thelpinjtë
çahet ndonjë ditë e nga farë bëhesh bimë me rrënjë, kryesisht.
Oh, është ushtria e qimeve moralistë!
Thjesht futi një brisk.
Friku, kur të mësosh se liria është vetmi.