Quantcast
Channel: Kulturë – Tirana Observer
Viewing all articles
Browse latest Browse all 1468

Rezart Palluqi nderohet me çmimin “Azem Shkreli” për romanin e tij, “Shtëpia me dy çati”

$
0
0

Romani “Shtëpia me dy çati” i autorit Rezart Palluqi nderohet me çmimin “Azem Shkreli” në Gjermani. Suksesi dhe vlerësimi që ka marrë romani i Palluqit,  si nga kritika ashtu edhe nga lexuesi, nuk ka qenë e rastësishme, as artificiale. Kjo u vërtetua edhe në konkursin e madh letrar që zhvilloi Shoqata e Shkrimtarëve dhe krijuesve shqiptarë në Gjermani. Atje, romani në fjalë fitoi çmimin e vetëm, Azem Shkreli si libri më i mirë i botuar gjatë vitit 2016.

Juria shprehet si më poshtë.

VENDIMI I JURISË SË KONKURSIT LETRAR PËR ÇMIMIN “AZEM SHKRELI“ 2017

Romani “Shtëpia me dy çati“ i autorit Rezart Palluqi, shquhet me përzgjedhjen e temës së madhe ose metarrëfmit si lajmotiv të përshndërruar në temë minirrëfimore apo individuale të personazhit. Përmbajtësorja e kësaj reference procedohet përmes një stili të lartë poetik. Tragjedinë e gjenocidit etnik të dy popujve të syrgjynosur nga atdheu i tyre, ky autor e ndërlidh bukur me fatin e zymtë dhe të kobshëm të individit intelektual. Në këtë roman gjejmë imazhe, situata, pamje, mesazhe, konflikte, dashuri,tradhti,humanizëm , insinuata, intriga. që e determinojnë fatin e intelektualit në një rreth konkret dhe në një realitet aktual. Dialogët sofistikë me nuanca ironike e bëjnë këtë vepër krejt të veçantë. Imagjinata, historia, dokumentariteti, ironia , vegimet, fiksionet, ndërtekstualiteti me njohuri diskursive të harmonizuara me një gjuhë të bukur dhe të pasur i japin elementet e posmodernizmit këtij roman dhe njëherit mund të konsiderohet prurje e re në letërsinë shqipe. Të gjitha këto cilësi romanin e Rezart Palluqit “Shtëpia me dy çati“ e bëjnë të favorshëm dhe meritor për fitimin e çmimit letrar të sivjetëm “Azem Shkreli ” Duke e përgëzuar autorin i urojmë suksese të mëtutjeshme në letërsi!.

Juria u përbë prej: Shaip Beqiri Sadik Krasniqi Kujtim Shkreli

Autori i romanit shprehet i befasuar nga ky çmim, jo për vlerat e padiskutueshme të romanit por sepse proza e tij është përjashtuar rregullisht nga konkurrenca e njëanshme e konkurseve letrare për arsye politike si dhe kritikës së pareshtur që ai demonstron ndaj qarqeve të mbyllura soc-realiste letrare në mbarë hapësirën shqiptare.

“E dërgova për kortezi romanin në këtë konkurs, sepse gjithnjë më është dukur se romanin nuk po ia dërgoj jurive të pavarura letrare por drejtorisë së Varrezave të qytetit”- shprehet autori me ironi.

 

Ndërsa botuesi i romanit, Pellumb Zekthi, shprehet kështu:

E rrallë: Një çmim i akorduar pa ndërhyrje

(“SHTËPIA ME DY ÇATI”, i Rezart Palluqi, botuar nga “2 Lindje&2 Perëndime”-fitues i çmimit letrar “Azem Shkreli”).

Nuk mund ta fsheh dot kënaqësinë time të veçantë për çmimin e mësipërm. Si botuesi, si redaktori, por edhe si një ndër lexuesët e parë të dorëshkrimit të “Shtëpia me dy çati”. I cili, me vlerat që mbartëte, më shtyu të botoj me dëshirë të plotë romanin e parë të një prozatori shqiptar gjatë këtyre viteve. Më shumë sesa konvencioni artistik, kënaqësia ime merr trajta farfuritëse, sidomos prej faktit që libri është përzgjedhur, pa as më të voglin rekomandim apo ndërhyrje nga askush. Nga shtëpia botuese, autori, apo të tjerë. Edhe sot, unë nuk njoh personalisht asnjërin nga anëtarët e jurisë të këtij çmimi të Mërgatës shqiptare. Të cilët, dua t’i falenderoj secilin, edhe për ndershmërinë (aq të munguar të jurive tona), edhe për profesionalizmin e manifestuar në përzgjedhje.

E them pa mëdyshje: “Shtëpia me dy çati” është vlerë në prozën e sotme shqipe. Për spontanitetin, fabulën intriguese, aksionin narrativ, humanizmin e thellë, ndërtimin kompocional, figurat e pasforcuara etj. Që kanë patur rast t’i prekin studiues dhe lexues, duke u shprehur me superlativa për librin.

Suksese, Rezart Palluqi për çmimin e merituar!

Ndërsa shkrimtari Virion Graci shprehet në murin e facebukut të tij si më poshtë:

Urime Rezart, urime! Ky çmim jo vetëm që është i merituar, por dhe i sprovuar pasi libri yt lexohet me ëndje dhe kërshëri estetike deri në fund. Je një shembull i mirë se si letërsia nuk duhet të merret me ushtrime filologjike, pseudo akademike, por ka mençurinë të kapë e të shndërrojë në art dukuritë e ndërlikuara të jetës në përditshmëri e në histori.

Përgatiti, A.G Prishtinë.

 

 

 


Viewing all articles
Browse latest Browse all 1468


<script src="https://jsc.adskeeper.com/r/s/rssing.com.1596347.js" async> </script>