Serialet meksikane kanë një histori të hershme edhe me ekranin shqiptar. Me gjithë vëmendjen që kanë marrë vitet e fundit prodhimet turke, nga Meksika janë ndjekur nga publiku shqiptar shumë telenovela duke mbërthyer pranë ekranit mijëra sy. Shumë prej aktorëve pjesëmarrës në këto seriale janë në dijeni edhe të vëmendjes së madhe mediatike që gëzojnë falë rolit të tyre.
E fundit që është entuziazmuar nga vëmendja e fansave shqiptarë është edhe aktorja bukuroshe meksikane, Aracely Arambula. Një ndër aktoret më të preferuara e më të paguara në Meksikë, Arambula vijon të jetë pjesë e prodhimeve të rëndësishme televizive, pas shumë kontratave të mbyllura me sukses.
Aracely Arambula ka bërë një falënderim surprizë për të gjithë fansat e saj shqiptarë, pas një videoje të dërguar nga këta të fundit. Seriali “La Dona”, ku aktorja luan rolin e protagonistes, prej pak kohësh po transmetohet edhe në ekranin shqiptar. Fansat shqiptarë i kanë dërguar Arambula-s një video nga transmetimi i serialit, të cilën ajo e ka postuar duke përshëndetur gjithë publikun shqiptar: “Çfarë lumturie që “La Dona” transmetohet në kaq shumë vende. Kjo video e fansave nga Shqipëria më ka lumturuar. Puna e madhe, ekipi dhe vullneti gjithnjë merr fryte të tilla.”