Cikël poetik nga Sokrat Habilaj
1-MALLE QË IKIN…
Gërryejmë njeri-tjetrin duke u dashur,
Shpirtin në copa, shqyejmë nga vetja.
Kur shohim se gjithçka e kemi falur,
Pëshpëritim si pa lidhje:-Sa të desha!
Shkëpusim pjesë grimcë pas grimce,
Të bëjmë njeri-tjetrin, në imazh të ri.
Nëse dua të të kujtoj ty, ashtu si ishe,
Shihem në pasqyrë…s’jam unë, je ti!
Ne heqim nga vetja, si trill, a si lojë,
Dhe ja nisim tjetrit t’i mbyllim plagët.
Gërryhem për ty, them sa ti, njëlloj,
Fytyra jote, në çast m’i mbytë fjalët.
Druhem se boshllëqe do të gjej në të,
Mbase sa duhet, mall s’të kam nisur.
Në atë fytyrë, ku s’mungonte asgjë,
Ndoshta tani gjej, një hënë të grisur.
Druhem se me faj do ndjej shpirtin,
Kur të shoh fytyrën që sapo u shfaq.
Se nuk janë të trishtë, mallet që ikin,
Mallet që s’vijnë…më shumë se kaq!
2-ETYD PËR DITËLINDJEN TËNDE
Ti mos m’u trishto pse s’t’i bëj më ritet,
Pse për qirinjtë, hënën se bëj shkrepse.
Pse mbi tortë, nuk t’i shkruaj më vitet,
Pse mbi tavolinë është një gotë e vetme.
Pse s’të lutem më pas:-Përkule kokën,
E qirinjve ty japësh frymë, një nga një.
Pse nuk të ftoj:-Trokite me mua gotën,
Pse s’guxoj të them:- Unë jam me dikë!
Të ndodhte kështu, do duhej më parë,
Grimcat e gruas që kam thellë në deje.
Nga poret e trupit, t’i tërhiqja zvarrë,
Të krijoja një grua tjetër, përballë meje.
Do duhej që shpirtit, t’ia ngulja thikën,
Dhe ty për një çast të nxirja nga vetja.
Si në gjithë ditëlindjet që erdhën e ikën,
Të pëshpëritja të njëjtat fjalë të thjeshta.
Pse të të shkul nga unë,e të ul matanë,
Vetëm sa për të thënë:-Edhe njëqind!?
Ty s‘të kam larg, po s’të kam as pranë,
Fryj brenda meje, t’i kam ndez qirinjtë!
3-TI, KURRË S’MË NJOHE MUA
Rri e qetë, ti s’më njohe mua,
As unë s’të njoha asnjëherë.
Në këtë botë, je thjesht grua,
Unë, burrë si mijëra të tjerë.
Në të flet ty një yll pa dashje,
E ti thua një emër nëpër natë.
Rri e qetë, rri pra se më plase,
Është nata që fletë përçartë.
Në të duket, kur puth një tjetër,
Se ngjizen me të, buzë të ftohta.
Rri e qetë, ikja është e vjetër,
E vjetër është vdekja, sa bota.
Në druhesh se kush vjen më pas,
Gjen grimca aty, si mbetje zjarri.
Rri e qetë, burrat janë tuhafë,
Ndërsa thonë, për ty jam i pari.
Në trembesh nën lutje e klithma,
Se pa faj të tradhton ty qerpiku.
Rri e qetë, gratë dinake të gjitha,
E mbulojnë me dhè atë që iku.
Në të ndjej ty ende nën lëkurë,
A ti më ndjen se frymoj brenda.
Rri e qetë, s’të kam takuar kurrë,
Dreqi ta hajë, shohim dhe ëndrra.
4-S’TË ZGJODHA VETËM PËR VETE
Mund dhe të ndodhte të mos ishe ti,
E të kisha pranë imazhin e një tjetre.
Mund të të zgjidhja pa pyetur njeri,
Po ty nuk të zgjodha vetëm për vete.
Mund të ishe ti, më e prerë ndoshta,
A edhe më delikate,si një pikëz vese.
Mund të më thoshe:-Jam vetëm jotja,
Po ty nuk të zgjodha vetëm për vete.
Mund ta mbaje fustanin lart, mbi gju,
Dhe unë mos të të bëja asnjë vërejtje.
A mund t’i prisje ndryshe flokët e tu,
Po ty nuk të zgjodha vetëm për vete.
Mund të kërkoje një ishull të largët,
Dhe pas të vija i bindur,nëpër dete.
Brenda teje të më përpije nga flakët,
Po ty nuk të zgjodha vetëm për vete.
Kisha bërë një pakt, pa më ardhur ti,
Që sytë e tu, pa pikë dhe pa presje.
Tu ngjanin syve të dy djemve të mi,
Prandaj s’të zgjodha vetëm për vete.
5-EPITAF DHE PËR ATA QË S’KANË IKUR ENDE
Të kam dashur, të desha pa kushte,
Dhe kur thuajse i humba të gjitha.
Dhe kur shpirtin ma zure në kurthe,
Dhe kur brenda teje kishte ngrica.
Të kam dashur, të desha më tepër,
Dhe kur mallin ma largoje me ngut.
Dhe kur ti e flakje si leckë të vjetër,
Të kam dashur, të desha pa kusht.
Dhe kur mblidhja pas teje në baltë,
Mallin që shkëputa për ty nga vetja.
Dhe kur s’munda të thosha:-Mjaft!
Ta dish, o Zot, pa kushte të desha!
E them tani që s’bëj dot më asgjë,
Tani që malli u kthye pirg me dhè.
Si nuk të vura një kusht, vetëm një:
Të mos ma shkelje barin mbi kube?!
6-KUR TË PREMTOJA
Kur premtoja ëndrra, si asnjë tjetre,
Që do mbillja për ty shteg në shteg.
Ndodhte që ti merrje një shkrepse,
Dhe më kërcënoje:-Do t’i djegë!
Kur të premtoja një ishull të largët,
E në vila do ta ktheja gjithë mallin.
Ti në fytyrën time i harboje flakët,
Dhe më kërcënoje:-Do tu vë zjarrin!
Kur të premtoja trille, trille të kota,
Se do të gdhendja emrin në poezi.
Që të jetoje dhe pas meje, ndoshta,
Prapë më kërcënoje:-Do t’i bëj hi!
Po kur papritur të premtova veten,
Që do digjesha tek ty, pak nga pak.
Çfarë ndodhi që ma dhe shkrepsen,
Dhe mu lute:-Më kthe në flakë!?