Nëse gjërat do të shkojnë sipas parashikimeve (dhe ashtu do të shkojnë), projekti i ri i Miriam Canit do të publikohet më 15 nëntor. Kjo ishte deklarata e Miriamit nga studio e Rudina Magjistarit këtë pasdite, ku këngëtarja rrëfeu për herë të parë shumë prej projekteve të saj gjatë kësaj faze 2-vjeçare.

Pas një pauze relativisht të gjatë, Miriam ka nisur prej kohësh punën për projetin e ri, i cili, siç tha ajo, nëse gjërat shkojnë mirë, do të publikohet më 15 nëntor. Por edhe këtë herë do të jetë një gjetje realizimi nga emra të njohur të muzikës.

“Meteor”, titulli që mban kënga e re e Miriamit, është një produksion i kompozuar nga një kompozitor gjerman, i cili ka punuar edhe më herët me këngëtaren shqiptare. Natyrisht, teksti nuk mund t’i besohej askujt tjetër veç bashkëshortit të saj, Alban Skënderaj, që edhe këtë herë ka bërë një punë shumë të bukur: “Kënga është një rock baladë për të cilën është punuar me shumë kujdes. Këtë herë kemi punuar pak më shumë, është kompozuar nga një producent gjerman dhe do të vijë në të dyja gjuhët”, – thotë Miriami.

Ndërsa klipi, shton ajo më tej, është konceptuar ndryshe, me përmasa më të mëdha: “Jemi duke punuar me një kompani filmi, sepse me këto përmasa që ka klipi, nevojitej një staf i tillë.”

Risia e kësaj here është edhe bashkëpunimi me Ajola Xoxën, së cilës ia dëgjojmë emrin për herë të parë si regjisore, edhe pse ka spikatur në organizimin e shumë eventeve artistike në kryqytet ku është vënë re shija e hollë dhe eleganca e pashoqe: “Jam duke punuar me Ajola Xoxën dhe ndihem shumë mirë, sepse Ajola e ka punuar me shumë dashuri skenarin e këtij projekti”, – tregon Miriami.

Ajola Xoxa e ka shfaqur artin e vet edhe në disa projekte të tjera, kështu që Miriam është e bindur se edhe ky projekt do të jetë një sukses i jashtëzakonshëm: “Më pëlqen shumë sepse janë shumë artistë edhe në shpirt. Këtë gjë e kanë edhe në këtë si projekt. Janë edhe njerëz shumë korrektë dhe kjo të dhuron një gjë shumë të bukur, sepse nuk është vetëm rezultati i rëndësishëm, por edhe rruga, është fat i madh, ndihem e bekuar që kam punuar me këta njerëz.”