Pas largimit të Marina Vjollcës nga Top Channel dhe mbylljes së emisionit “Pa Limit” u përfol edhe për një largim të mundshëm të bukuroshes Luana Vjollca, por rezultoi që nuk ishte kështu.

Luana do të rikthehet në ekran këtë të shtunë jo vetëm si prezantuese dhe bashkëautore e programit “Shiko kush luan”.  E ftuar në “Wake Up”, bukuroshja nuk është treguar aspak e kursyer dhe na ka zbuluar paraprakisht shumë detaje.

6 personazhe të ndryshëm çdo javë, tre për çdo skuadër do të bëhen pjesë e lojërave të ndryshme të përgatitura nga produksioni. Luana do drejtojë e vetme këtë program, pasi Edi Manushi dhe Gent Hazizi nuk janë bashkëprezantuesit, siç mund të kemi menduar kur kemi parë klipin, por dy kapitenët e skuadrave.

“Janë dy skuadra. Çunat kanë një rol shumë të rëndësishëm, janë kapitenë të skuadrave. Praktikisht kanë në dorë skuadrat, pjesë e të cilave do të jenë personazhe të njohur të botës së ekranit. 6 personazhe të ndryshëm çdo javë, tre për çdo skuadër. Duke qenë pak puntata, do të bëhet një përzgjedhje shumë e mirë. Në fund do të ndahen çmime”, u shpreh Luana.

Duke premtuar se do të ketë pa fund argëtim, bukuroshja ka zbuluar edhe të ftuarit e natës së parë. Në puntatën e parë do të luajë Mc Kresha, Lyrical Son dhe Jonida Maliqi, e ndërsa Fifi do t’ju bashkohet herë pas here, jo vetëm më muzikë livë, por edhe me batuta.

 “Argëtim pa fund. Pas 10 vitesh pjesë e Top Channel e kam kuptuar çfarë do një program prime-time. Në natën e parë do të jenë të ftuar Mc Kresha, Lyrical Son dhe Jonida Maliqi. Fifi do të jetë pjesë e spektaklit, jo vetëm me muzikë live, por edhe me batutat”, tregon ajo.