Quantcast
Channel: Kulturë – Tirana Observer
Viewing all articles
Browse latest Browse all 1468

Një udhëtim që kthehet në roman

$
0
0

-Intervistë me shkrimtaren Giulia Inverardi për romanin e saj me frymëzime nga Shqipëria-

Nga Ndue Lazri

Dua ta nis bisedën tonë duke folur për shoqatën “Cross Point” që interesohet për të drejtat e emigrantëve. Çfarë përfaqëson kjo shoqatë dhe cili është aktiviteti i saj?

“Cross Point” është një shoqatë me italianë dhe me emigrantë në Carmine, në zonën e Brescias. Kam filluar ta frekuentoj 5 vjet më parë në sajë të disa njohjeve personale, por edhe pse isha e interesuar për shkëmbimet interkulturore, për antiracizmin dhe për konfrontimin e kulturave të ndryshme.

Shoqata zhvillon aktivitete të ndryshme, që nga ato në sportelin e ndihmës për praktikat burokratike të emigrantëve lidhur me lejet e qëndrimit, kurse për njohjen e gjuhëve të ndryshme, për darka midis etnive të ndryshme, për autoinformimin etj. Nga ana ime kam organizuar promovime librash, takime, lexime në grup. Për shembull interesantë kanë qenë takimet për njohjen e shkrimtarit nixherian Ken Saro WiWa apo të shkrimtarit shqiptar Gëzim Hajdari, mbi poezinë e të cilit kam shkruar temën time të laureas në Universitet.

Vitin e fundit jam larguar nga “Cross Point”, sepse sipas mënyrës sime të vështrimit të gjërave, veprimtaria në mbështetje të emigrantëve nuk shoqërohej në mënyrë të mjaftueshme edhe me një refleksion ekonomik, politik e historik. Çështjet e ngritura nga emigrantët në shoqërinë e sotme të përmbytur nga një kapitalizëm i egër dhe global, janë shumë delikate dhe pikërisht në respekt të lirisë dhe dinjitetit të personit që nuk duhet të jetë skllav i dinamikave të tregut të punës. Këto çështje duhen trajtuar me mjetet e analizave të thelluara, që nuk janë kaq të lehta për t’u bërë. Kështu, duke ruajtur gjithnjë respektin për shoqatën “Cross Point” dhe për njerëzit që e drejtojnë e gjallërojnë atë, ndjeva nevojën të shfrytëzoja energjitë e mia për të studiuar tema mbi të cilat nuk kisha asnjë lloj formimi, si ekonomia, politika,sociologjia e filozofia. Dhe ndihem akoma një fillestare, por të paktën po filloj të bëj atë “arkën time të instrumenteve” që është e nevojshme për të formuar një vështrim origjinal e kritik mbi botën.

Ju keni studiuar letërsi në Francë e në Itali. Dhe keni shkruar një roman mbi Shqipërinë. Si keni arritur në këtë zgjedhje? Ndoshta ka ndikuar fakti që ju jeni gjithnjë në kërkim të botëve e njerëzve të rinj?

Pa diskutim. “Gelem, gelem”, që është romani im i parë i botuar, ka lindur nga të gjitha udhëtimet e mia, por edhe nga digresionet, nga tentativat që për momentin dukeshin humbje kohe, nga takimet, gabimet e pendimet e mia.

Në fakt do të thoja që shkëndija e parë në procesin tim të të shkruarit është pikërisht kërkimi, kurioziteti për të zbuluar, për të kuptuar me sa është e mundur realitetin dhe të tjerët. Dhe jam e bindur se të shkruarit ka rrugë e mjete unikale për këtë zbulim, sepse ndërton një histori imagjinare me “tulla” reale, domethënë ajo që vjen në dritë është një botë në të cilën lexuesi mund të besojë, sepse është e ngjashme, por nga ana tjetër e shtyn si të thuash të ulë vetëmbrojtjen, sepse fundja është një tregim. Në sajë të këtij çarku “indirekt” arrijmë t’i shikojmë gjërat nga këndvështrime të tjera, të kapim më shumë sfumatura të reales, e mund të konceptojmë deri edhe një alternativë që, aty për aty, jashtë universit të të treguarit, nuk do kishim arritur as ta pranonim, as ta hipotizonim.

15542230_10209768712528815_4359742161143351272_n

 

Romani juaj titullohet “Gelem, gelem”. Është një fjalë që i përket gjuhës rom. Përse keni zgjedhur pikërisht këtë fjalë?

Fjala gelem gelem, do të thotë të ecësh, të lëvizësh në gjuhën e romëve. Është edhe titulli i Himnit të popullit rom. E kam zgjedhur sepse transmeton disa aspekte që në kulturën rom përjetohen ndryshe nga ajo jona, por ka edhe diçka tjetër që vjen nga citimi i poezisë së poetit Machado, që hap edhe romanin: “ O ti që ecën, hapat e tu janë ecja, o ti që ecën, udha nuk ekziston, udha krijohet duke ecur…”

Si për historinë për të cilën po flasim, ashtu edhe për të shkruarit e për jetën në përgjithësi, ky është një vështrim themelor- të shkruarit është në të njëjtën kohë ajo që ti bën e ajo që të bën ty, ajo që ti udhëheq e ajo që të udhëheq ty. Dua të sjell një shembull konkret: Për këtë roman unë isha nisur me idenë që të trajtoja, paralel me dramën, jetën e komunitetit shqiptar, meqenëse kisha filluar ta njihja, por në fund më është dashur të shikoj që kishin lindur dy komunitete të shkrira në njëra-tjetrën, por nga ana tjetër edhe të ndara nga njëra-tjetra; flas për komunitetin rom dhe për vetë shqiptarët. Ndërsa shkruaja, në fakt do kisha dashur që gjendjen e romëve në Shqipëri vetëm sa ta cikja, por ajo fitoi terren, kështu nisa të gjej dokumente, të studioj. E pastaj takova Pol Polanskin, një poet amerikan që kishte ardhur në Carmine dhe që i ka kushtuar një përmbledhje poetike lagjes…Por ajo, së cilës Polanski i ka kushtuar jetën e vet, është njohja e jetës së komunitetit rom të Europës Lindore. Ai jeton në Bosnja, në një nga ato grupe dhe shkruan per ta pa ekzaltime, por edhe pa paragjykime. E që të kthehemi tek “Gelem, gelem” ai më ka bërë një dhuratë të madhe, duke më lënë të lexoj faqe e faqe të tëra nga intervistat që ai vetë ka bërë me gra dhe burra rom në Shqipëri.

Sidoqoftë, çështja është se duke shkruar e duke lëvizur unë kam humbur një pjesë të mirë të dëshirës për ta treguar apo përcaktuar unë realitetin, duke lënë që të ishte historia ajo që tregonte vetveten, hap pas hapi, duke dialoguar me mua e duke më lejuar që të krijoja një tregim, një realitet të mundshëm.

Në roman kryqëzohen jetët e Pëllumbit, një emigranti shqiptar, ajo e Cesarit, mikut të tij italian dhe midis tyre është Njeriu në të zeza, që lëviz si një hije qoftë në jetë, qoftë në roman. Tre personazhe të takuar në jetë apo frut i fantazisë suaj?

Dy protagonistët, Çezari dhe Pëllumbi kanë një frymëzim të fortë real. Çezari, veçanërisht, është emri i njërit nga miqtë e mi më të mirë dhe personazhi merr borxh një pjesë të madhe të tipareve të tij, të sjelljeve të tij përballë jetës. Por në të njëjtën kohë, në personazhin e Çezarit ka shumë nga unë, ashtu siç ka edhe tek Pëllumbi, që pastaj vesh pamjen dhe disa mënyra sjelljeje të një miku të dytë. Personazhet e tjerë “më të vegjël”, janë të huazuar krejtësisht nga realiteti, veçanërisht nga realiteti shqiptar.

Përsa i përket Njeriut në të zeza, ngjarja është më e komplikuar, madje me kujtohet që 15 vjet më parë pata shkruar një tregim, në të cilin një protagonist me moshë të re, nisej për një udhëtim në Shqipëri, me anije dhe ai vizitohej nga prezence e dikujt që nuk ishte një njeri, por era, era i frynte në vesh djalit pzetje e shaka për t’i përgatitur shpirtit të tij terrenin e këtij udhëtimi e për ta pasuruar atë me eksperiencat që do të përjetonte. Neziri, njeriu në të zeza, ka lindur kështu si një simbol, që ka marrë pak nga pak vlera të ndryshme, do të thoja në përfundim të historisë përfaqëson shqetësimin, që është më i vështirë, por më i frutshëm e më i thellë se kurioziteti.

Kam kërkuar që të mos bëj me këtë personazh një njollë, në shtrirjet e para të librit më dukej një çikë karikatura e romit zhurmëmadh dhe të çrregullt, një përzierje e gjykimeve të bukura, të shëmtuara e të lehta që ne kemi mbi romët. Shpresoj që, meqenëse kam marrë shtytje nga histori, fotografi e zëra realë, t’ja kem dalë për ta bërë atë jo një simbol abstrakt, por një njeri mbartës të shumë simboleve, për të cilat di të flasë e të mbetet në mendjen e lexuesit.

Ju keni udhëtuar dy herë në Shqipëri, në kohë mjaft të vështira. Cilat janë përshtypjet tuaja mbi vendin tonë?

Preçizoj, siç e bëj gjithmonë e këmbëngul, që nuk jam një eksperte mbi Shqipërinë dhe gjithë kjo që kam treguar buron nga një këndvështrim subjektiv e letrar. Synimi im nuk ka qenë asnjëherë të flas në emër të të tjerëve apo të bëj portretin e një populli. Kështu, “Gelem, gelem” nuk ju thotë të vërtetën absolute mbi atë çka është Shqipëria, por i jep një jetë të dytë, një jetë letrare një ngjarjeje dhe një konteksti që më kanë prekur.

Natyrisht, edhe pse subjektive e letrare, ajo e “Gelem, gelem”, do që të jetë një histori reale-për të kuptuar e treguar realen në mënyre sa më të ndershme. Unë besoj që nuk mund të ekstremizohet ajo që shihet, as në “pozitive” me abstragime politike krejtësisht irreale, apo me inkuadrime folkloristike banalizuese, as në “negative” me paragjykime të lehta. Problemi, ose më saktë mprehtësia e çështjes qëndron në faktin që nuk mund të jesh as edhe diplomatik. Diplomacia nuk është për shkrimtarët, dhe unë e kam shumë të vështirë në këtë drejtim, duke patur gjithnjë frikë mos ofendoj ndokënd apo mos krijoj konflikte. E, megjithatë, nëqoftëse unë nuk mund të shkruaj atë që shoh, ç’kuptim ka e shkruara ime?

Për shembull, mikpritja e familjes së ish shokut tim, më është dukur brenda pak orësh një kafaz i artë, pa dyshim një mënyrë për të më nderuar, por nuk mbanin parasysh diçka themelore, lirinë time. Dhe këtë e kam gjetur edhe në familje të tjera. Duket sikur duhet të pershtatesh me çdo kusht ndaj ritmeve, pavarësisht nga ekzigjencat e tua. Natyrisht nuk e them këtë për gjithë shqiptarët, por flas për ato momente ku e kam përjetuar. Ashtu siç kam mundur të çmoj në raste të ndryshme që kam përjetuar dëshirën e madhe të shqiptarëve për të folur, për të treguar, për të bërë që të njohësh e të dëgjoh histori, një shoqërim pasionant ndonjëherë edhe mbi normalen, por plot me kuriozitet e energji. Diçka që, duke u menduar, mund të them që më ka munguar në udhëtimin tim të kohëve të fundit në Norvegji, popuj të ndryshëm, fizionomi të ndryshme.

Sidoqoftë, përshtypja e parë që kujtoj nga udhëtimi në Shqipëri ishte një varfëri e madhe. Porti i Durrësit me lypsarët, që shokon protagonistin e romanit, më ka shokuar edhe mua, ashtu si skeletet e shtëpive, rrugët e shkatërruara të asaj kohe, fëmijët që më shikonin të çuditur në Kolanec…Kjo varfëri materiale më dukej sikur shoqërohej edhe me një impulsivitet të veçantë të sjelljes, pak të ashpër, jo aq lehtë të deshifrueshme, një lloj shpirti të komplikuar, të tretur tej nga era, të temperuar nga shekujt dhe nga malet. Në Shqipëri ndihesh në një vend primitiv, më shumë se antik…e sëbashku jashtë kohës, në një kohë që është vetëm atje dhe që gjithmonë ka qenë.

Dhe pastaj, po, një krenari e pabesueshme, ashtu si edhe një bujari e pabesueshme. Skenën që përshkruaj tek prindërit e Pëllumbit, ku venë në tavolinë për të ngrënë sa për një muaj e kam jetuar personalisht, ashtu si edhe buzëqeshjet e tezes së tij në Kolanec, që ndihej aq e nderuar dhe e përkëdhelur në sedër thjesht nga prania ime modeste.

Përveç këtyre që thashë më lart, kujtimi im nga Shqipëria është i lidhur edhe me një ndjenjë të fortë të të qënit i huaj, duke u nisur që nga gjuha, edhe sepse thuajse të gjithë shqiptarët që kam takuar flisnin italisht, siç është e drejtë, pas pak flisnin shqip midis tyre, tek mënyra e edukimit të tyre, tek ato që ishin oportune ose jo për t’u thënë apo manifestuar, tek roli i atribuar burrave apo grave në shoqëri apo tek mënyrat e të sjellurit e traditat familjare. Në Shqipëri një vizitor nëse është mysafir i një familjeje e jo një turist i zakonshëm,     pëson një tjetërsim. Domethënë nuk është njësoj si të shkosh në Francë ku disa ngjashmëri janë. Mendoj që ky sensacion i të ndjerit i huaj është i lidhur me faktin që ne nisemi pa një njohje paraprake e që ne në Itali nuk dimë thuajse asgjë mbi Shqipërinë.

Megjithatë, pavarësisht ndonjë moskuptimi, tensioni, mund të them që Shqipëria nuk është e për mua nuk do të jetë kurrë një vend si një tjetër, ka prekur korda të thella brenda meje e me vendet që kam vizituar ka lënë mbresa të thella e motivet nuk janë gjithnjë të shpjegueshme.

Ju keni patur një lidhje dashurie me një djalë shqiptar. Kjo lidhje ka ndikuar në ndonjë mënyrë gjatë të shkruarit të romanit në natyrën e personazheve tuaja?

Po. Shumë. Ajo me ish-shokun tim ka qenë një histori që ka zgjatur 6 vjet, gjatë të cilëve, kujtoj, unë ndjeja një lloj padurimi për të zbuluar gjuhën, traditat, diferencat në kulturë dhe në zakonet. Ka qenë kjo lidhje që më ka orientuar drejt njohjes së poezisë shqiptare-me thënë të drejtën ka qenë profesori im i asaj periudhe, Mario Allegri, një profesor i jashtëzakonshëm, nga ata me të cilët mund të flasësh. Duke njohur historinë e gjatë të lidhjes sonë, ai më ka inkurajuar për të lexuar e njohur poezinë shqipe dhe për të zgjedhur një poet shqiptar për tezën e laureas sime trevjeçare. Në këtë rast kam angazhuar shokun tim, bashkërisht kemi bërë një punë shumë të vlefshme, duke krahasuar mënyrën e të shkruarit të Gëzim Hajdarit me mënyrën italiane të të shkruarit. Më pëlqen të nënvizoj vetëm një gjë, përpara se të vazhdoj më tej: Mario Allegri dhe Gëzim Hajdari më kanë inkurajuar shumë për të shkruar, me gjeste të një bujarie të madhe, me një disponibilitet e përkujdesje vërtetë të rrallë.

Duke u kthyer tek romani, kur historia jonë kishte mbaruar prej vitesh, kam mundur megjithatë të kem “konsulencën” e ish shokut tim, të kujtimeve të tij. Madje pikërisht një episod tragjik që kishte përjetuar kur ishte fëmijë, ka qenë pikënisja e historisë së librit. Dhe është kurioze se duke qenë shoqja e tij unë ndihesha tepër afër për të gërmuar në atë që ai e mbante si një “tabu” nga fëmijëria e tij, ndërsa më vonë, duke qenë më larg e kam bërë dhe ja kam dalë mbanë që ai të më fliste hapur, më në detaje dhe të ndërtonim historinë në tërë kompleksin e saj.

Personazhet shqiptare në libër, në pjesën më të madhe, janë nxjerrë nga rrethi i tij familjar, pavarësisht se të letrarizuar, e për këtë motiv mbase janë ndër më të realizuarit. I preferuari im është Brigel, babai i Lumit, ish shokut tim të asaj periudhe, një burrë serioz, që mbase ishte pak subjektiv kur tregonte, por shumë human e me refleksione të drejta kur tregonte për periudhën komuniste. Është kjo që i bën personazhet shqiptare në “Gelem, gelem” disi të veçantë, janë persona realë, të vërtetë, në botën e tyre, të vënë përballë faktesh që i kanë jetuar realisht.

Do të martoheshit me një burrë shqiptar?

Le të themi që parimisht nuk përjashtoj asgjë. Natyrisht duhet të vëmë në provë aftësinë tonë për t’u përshtatur e kjo ndodh në të gjitha çiftet, por diferencat në anën karakteriale, emotive, të aspiratave, në një çift të kombësive të ndryshme çojnë një çikë më larg. Është si të kërkosh të takohesh duke u nisur nga dy terrene të panjohura, duke përshkuar rrugë ku ndodhin shumë aksidente. Të kuptohesh, të respektohesh, t’u vesh kufinj ndikimeve të jashtme është një punë e mundimshme. Shpesh mund të përfundosh i shtypur nga këto vështirësi, por herë të tjera lindin ekuilibre aq autentikë, që mund të quhen “kryevepra” të vërteta, të bukura e funksionale. E në raste të tjera akoma gjendesh më i ngjashëm se sa me bashkëatdhetarët e tu.

Përfundimisht. Varet gjithçka nga individi dhe nga rrethanat individuale.

Teatri i veprimeve e ngjarjeve në romanin tuaj është Korça. Keni patur mundësinë ta njihni atë qytet, njerëzit e tij, traditat e tij, apo jeni kufizuar vetëm në periferinë ku jetojnë romët?

15621654_10209768712568816_5995267886285276537_nNë të vërtetë nuk kam njohur kurrë personalisht rom shqiptarë, që jetojnë edhe sot disi të ndarë nga popullsia tjetër shqiptare. Më ka ndodhur vetëm të prek rrëshqitazi trupat e tyre në treg, dë dalloj hijet, një llustraxhi këpucësh, një njeri me ari etj. Siç e kam thënë, kurioziteti më ka lindur më vonë, duke lexuar gjithçka që gjeja, asgjë në italisht, më shumë në shqip, frëngjisht e në anglisht, të cilave ju shtohen intervistat e Polanskyt. Komuniteti rom shqiptar nuk zgjon ndonjë interes të madh. Por ato që kam gjetur, më kanë bërë përshtypje të veçantë. Për shembull, fakti që gjendja e romëve në Shqipëri është keqësuar në mënyrë drastike pas rënies së komunizmit. Enver Hoxha, diktatori shqiptar, që ishte rritur në kontakt të ngushtë e në miqësi me një familje rom, shkruante në kujtimet e tij për admirimin që i frymëzonin romët, për jetën e rëndë që ata bënin. Dhe kur erdhi në pushtet ai do të bënte gjithçka për t’i konsideruar të barabartë me popullsinë tjetër shqiptare. Nuk mund të thuhet se i respektonte për ata që ishin, sepse politika e tij kërkonte t’i asimilonte. Por fakti është që pas rënies së komunizmit romët kanë përfunduar si shtresa më e varfër e shoqërisë e kjo ka ndodhur në të gjitha vendet e Europës lindore me rënien e qeverive komuniste.

Por në asnjë vend të Europës nuk ka patur një keqësim të tillë të kushteve të jetës të një minorance, romët nuk kanë më të garantuar të drejtën e arsimimit, të punës, të shtëpisë. Tani ka grupe të tëra prej tyre që jetojnë në zonat e shkarkimit të plehrave, si në Sharrë në jug të Tiranës, nuk punojnë, jetojnë me ato çka mbledhin nga mbeturinat.

Përsa i përket qytetit të Korçës, po, e kam vizituar, por e pranoj, kisha dashur ta njihja më mirë. Problemi është se në atë periudhë problemet familjare vinin mbi të gjitha. Pjesa e vogël e qytetit, e kursyer nga betonet, është shumë e bukur edhe pse nuk mund të krahasohet me xhevahire të tilla si Berati apo Gjirokastra. Nga banorët e qytetit, më ka bërë përshtypje krenaria, por mendoj se është një dukuri gjithëshqiptare. Nëse thuhet “o korçare o hiç fare”, mendoj se mund të thuhet edhe “o shqiptare o hiç fare”.

Dëshironi të riktheheni në Shqipëri, mbase me projektin e ndonjë vepre të re letrare?

Vendet ballkanike me kanë interesuar gjithmonë e jam duke projektuar prej kohësh një udhëtim nga Italia në Serbi, në Bosnje, në Shqipëri e mbase deri në Turqi. Por mendoj se nuk duhet të mbyllemi shumë vetëm në disa pasione. Nëse Shqipëria më ka mbetur në zemër, është se kam patur shumë stimuj pozitivë, ndryshe nga sa prisja nga një qëndrim i gjatë në Norvegji. Tani jam duke shkruar një reportazh nga eksperienca norvegjeze, pastaj dua t’u rikthehem tregimeve mbi të cilat ka lindur romani, bëhet fjalë për nja dhjetë shkrime që nuk i kam përfunduar e që kanë nevojë për një vështrim të përgjithshëm. Në këto vite kanë ndryshuar gjumë gjëra në botën jashtë, por edhe brenda meje. Tani dua të shkruaj histori rreth papunësisë, pasigurive të botës së sotme, çka i bën këto histori plot me pyetje të ndryshme. Sepse, siç kam lexuar në një tekst psikologjie, çmimi i së vërtetës dhe i pasigurisë, nëse duam të shkruajmë e të përpiqemi të kuptojmë realen, nuk ka zgjedhje tjetër përveçse të zhytemi në të pasigurtën.

Bashkë jemi njohur gjatë promovimit të romanit tuaj “Gelem, gelem”. Kam vënë re se ju njihni shumë shqiptarë në Brescia e në provincën e saj dhe keni miqësi me ta. Çfarë mendoni për integrimin e shqiptarëve në jetën dhe realitetin italian?

Në të vërtetë, më duket pak e vështirë të jap një opinion të përgjithshëm, sepse miqtë apo të njohurit e mi shqiptarë nuk përfaqësojnë në kokën time një kategori me sjellje të zakonshme, por persona që mund të kenë këndvështrime ndryshe nga të miat në lidhje me shoqërinë, politikën, aktualitetin, relacionet midis njerëzve, por këto diferenca vetëm pjesërisht rrjedhin nga fakti që ata janë me origjinë shqiptare, ose nuk ka të bëjë fare.

Ndërsa përsa i përket ish shokut tim, të afërmve apo miqve të tij, vëreja se ata ndjenin nevojën të mblidheshin midis tyre si shqiptarë, me raste festash, te dielave e në çdo rast tjetër. Mendoj se kjo vlen mbi të gjitha për ata emigrantë që janë në kërkim të punës e me familjet e tyre, apo që kanë të afërm në Itali, ndërsa vlen më pak për atë numër të madh djemsh e vajzash shqiptare që studiojnë në Brescia e në Itali.

Do të thoja që janë dy ekzigjenca, të dyja të kuptueshme e që secili emigrant duhet të kërkojë t’i harmonizojë për aq sa është e mundur: ekzigjenca për t’u mbledhur midis personash që flasin të njëjtën gjuhë,që kuptojnë menjëherë prejardhjen kulturore dhe historike, që kanë eksperienca jete të ngjashme dhe ekzigjenca për të hedhur rrënjë si individ në një shoqëri të re, të vendit pritës, pa qenë i pajisur nga një bashkësi atributesh kombëtare.

Përsa i përket vendit pritës, mendoj se është shumë e rëndësishme që një emigrant të njohë dinjitetin e këtij vendi, të respektojë ligjet e zakonet, por në të njëjtën kohë të mos humbasë të tijat. Për këtë arsye nuk gjendem dakort me asnjë nga përkufizimet që bëhen sot mbi emigracionin e me asnjërën nga idetë e shoqërisë që ato përfaqësojnë: që nga asimilimi i tipit francez, o të integrimit që presupozon një tolerancë të mjaftueshme e pastaj një “italianizim” të komuniteteve të huaja deri tek ato modele që sipas pikëpamjes sime janë fallse, siç është multikulturalizmi global.

Mendoj që është shumë e rëndësishme të evitohet mosnjohja e historisë dhe identitetit të popujve, të drejtohen flukset e emigracionit në mënyrë të ekuilibruar, për të garantuar një bashkëjetesë reciprokisht të respektuar, kurioze, stimuluese. Jemi të ndryshëm si individë, si burra e gra, si shqiptarë e italianë, kjo është e vërtetë, një realitet kompleks e shpesh herë i mundimshëm, nga i cili duhet të nisemi e ta mbajmë gjithnjë parasysh nëse duam të mbetemi vetvetja duke respektuar tjetrin, krah për krah, si të ndryshëm por me dinjitet të njëjtë në shoqëritë e ndryshme të botës.

Keni menduar ta përktheni romanin tuaj në gjuhën shqipe?

Sinqerisht jo. Por do të isha e lumtur. Jam e sigurtë që Ju mund ta përktheni shumë mirë.

Ju jeni shumë aktive edhe si gazetare dhe shkruani refleksione mbi probleme të rëndësishme. Keni menduar të shkruani diçka mbi jetën e emigrantëve shqiptarë në Itali, ose mbi Shqipërinë?

Po, shkruaj mbi shumë çështje në blogun tim (për kë është kurioz: www.crosscritture.wordpress.com), por përsa u përket shqiptarëve, mendoj t’u lihet hapësirë atyre. Kur kemi promovuar romanin tim në shoqatën shqiptare “Interaction”, kam insistuar shumë në këtë pikë: unë nuk dua të zëvendësoj shqiptarët, të jap imazhin e Shqipërisë apo të një populli. Mendoj se në Brescia dhe në gjithë Italinë ka plot shqiptarë të zotët e që është e drejtë të kenë hapësirat e tyre për të bërë që të ndihet zëri i tyre si mbi Shqipërinë ashtu edhe mbi Italinë.

Në lidhje me Shqipërinë, një pjesë e mirë e blogut tim i kushtohet romanit “Gelem, gelem” dhe tani kam krijuar edhe një faqe në fb “Gelem, gelem-Giulia Inverardi”. Aty shkruaj shumë artikuj që flasin edhe për qytete shqiptare, mbi zakonet, mbi takimet që kam patur. Shkruaj kjo që jam unë: jo një që ka kuptuar gjithçka apo që njeh vendin si dikush që ka lindur atje,por një shkrimtare kurioze që u bën të tjerëve dhe vetes shumë pyetje.

Faleminderit për intervistën dhe shpresoj t’ju takoj ndonjë ditë në Shqipëri.

 


Viewing all articles
Browse latest Browse all 1468


<script src="https://jsc.adskeeper.com/r/s/rssing.com.1596347.js" async> </script>