Quantcast
Channel: Kulturë – Tirana Observer
Viewing all articles
Browse latest Browse all 1468

Dy “Dinozaurët…” e Riza Lahit

$
0
0

Shkrim-homazh në 3-vjetorin e ndarjes nga jeta të një piloti dhe shkrimtarit të njohur

Bashkim Koçi

Mbaj mend se kur ishim fëmijë bëheshim “tjetër gjë” kur shikonim të kalonte ndonjë aeroplan në qiell. Qenia jonë për një çast bashkëbisedonte me qiellin, kupolën e kaltër që na qëndronte mbi krye. Mblidheshim të gjithë bashkë, aq sa ishim, dhe ndiqnim me sy lëvizjen e tij derisa ai humbiste tej në horizont. Aropllani (me këtë emër e thërrisnin të rriturit, prindërit tanë) sapo i humbiste shikimit, bëhej pjesë e bisedës dhe një copë herë të mirë e kalonim duke sjellë secili “opinionin” e tij për atë “zog” të stërmadh e të çuditshëm. “Shoferin” që e ngiste atë mjet fluturues nuk e mendonim të ishte njeri si gjithë të tjerët. Jo. Dikush thoshte se ai që komandonte aropllanin duhet të ishte diçka tjetër, që nuk kishte lidhje me njeriun e zakonshëm.

I sjell këto mendime  të moshës së fëmijërisë teksa lexoj librin në dy vëllime “Dinozaurët e fundit” të Riza Lahit, i cili në qindra faqe del në një përfundim të pakontestueshëm: “Frikacakët i ikin rrezikut, rreziku u ikën guximtarëve”. Ndoshta kjo çka po them e ka gjetur forcën e argumentit dhe të vendosmërisë për të qëndruar deri në fund idesë së tij të palëkundur, faktit që Riza Lahi ishte vet aviator, madje nga më të dashuruarit e përkushtuarit me botën e qiellit.

Nuk ka qëllim të madh, pa sakrifica të mëdha. Historia e aviacionit shqiptar tek “Dinozaurët…” e Riza Lahit është nga fillimi deri në fund heroike, një rrugë suksesi me kokën në rrezik, një përqafim  i “vdekjes së sigurt”  që të lë pa mend, duke e parë e vlerësuar jetën si një plaçkë që mund ta blesh përsëri në tregun e gjësë. Ndoshta, sipas mendimit tim, kjo histori e aviacionit tonë është  e pangjashme me atë të kombeve të tjerë, ashtu siç edhe duhet cilësuar, shqipëtarçe.

Ëndrra për të zaptuar qiejt nga ne shqiptarët ka qenë e kahershme, ndoshta njëherazi me shtetet e fuqishme të Evropës. Sepse Shqipërisë, në të gjitha kohërat, pushtuesi i ka ardhur jo vetëm nga toka, por në dy rrugë të tjera, qielli dhe deti. Ata “të detit” nuk e kanë patur të lehtë të shkelin në tokën tonë, janë shporrur  me tamtame andej nga kanë ardhur, ndërsa ata “të qiellit”, duhet thënë se kanë qenë të frikshëm, pushtues  ndaj të cilëve nuk e kemi patur “veglën” për t’i kthyer mbrapsht. “Dinosuarët…”  e Riza Lahit na e japin me shumë korrektësi sesi lindi, sesi u rrit dhe u burrërua aviacioni ynë në 65 vjet. Nuk kam parë e lexuar të shkruhet e përshkruhet me aq dashuri  për formimin e aviacionit në gjysmën e parë të shekullit të kaluar, me aq përkujdesje  për rritjen e modernizimin e tij në disa dhjetëvjeçarë, me aq dhembshuri për keqtrajtimin dhe shkatërrimin e kësaj pasurie të madhe kombëtare pas viteve ‘90. Këtë mund ta bëjë një aviator që i ngrysi jetën mbi avion, si Riza Lahi. Ndoshta kjo është një “pasuri” që e kanë vetëm ata, aviatorët.

riza-lahi-1“Dinozaurët…”  janë dy libra që trajtojnë vetëm një temë, atë të aviacionit. Por autori, njeri pasionant dhe me plot kulturë  në të shkruar, ka gjetur rrugën më të drejtë për ta bërë për vete lexuesin, duke iu përmbajtur linjës: zotëro ato që kanë bërë paraardhësit dhe ec përpara. Kjo mënyrë të rrëfyeri të historisë së aviacionit shqiptar jo vetëm që të rrit kureshtjen sesi i kanë ngjitur shkallët “shqiponjat  e hekurta” në vite, por  edhe të emocionojnë, të bën të ndjehesh mirë që je shqiptar. Aty të shfaqen emra heronjsh të vërtetë. Aty, faqe pas faqeje, njihesh me personazhe, njerëz që dinë të “fluturojnë”,  të cilët kanë drejtuar ata “aropllanët” që na kanë mbetur në mend gjatë viteve tona të fëmijërisë.

Doni të dini kush dhe kur është bërë fluturimi i parë në Shqipëri? E gjejmë tek “Dinozaurët…”.  Më 24 prill të vitit 1951 nga piloti Peço Polena dhe tekniku i aeroplanit Jak-9P, nr. 13, Koli Ҫobo. Të ngjall emocione ky fakt sepse nuk flitet për persona që, fjala vjen, kanë lidhje me shkelmimin e topit të parë në kampionatin e parë të futbollit, të këngëtarit që luajti për herë të parë në operën e parë shqiptare etj, por për një aviator, për një njeri që për herë të parë në historinë e aviacionit fluturon në qiell. Besoj se biem dakord, apo jo!

***

Aviatorët janë njerëz të fortë. Janë të tillë sepse janë në gjendje që me dëshirë, me vullnet që nuk kthehet pas,  të ndërpresin  komunikimin mes ndjenjave dhe mendjes. Është goxha e vështirë, por ata e bëjnë. Riza Lahi sjell ngjarje, episode, copëza jete që të mahnitin për guximin, për “lojëra” me jetën, për gjeste që të duken jo normale për njeriun normal. Madje në libër tregohet me nota dhimbjeje, që të trishtojnë, madje që e bëjnë të frikshëm profesionin aq të dëshiruar të aviatorit. Episodet që vijnë nëpërmjet  të treguarave  të komandantëve të Aviacionit Shqiptar, si Babaçe Faiku, Fahri Bubësi, Niko Hoxha, Edip Ohri, Bardhyl  Taçi, Astrit Jaupi  etj., ia kalojnë heroikes, janë si në një legjendë. Djem të rinj, nëpërmjet veprimeve luftarake, manovrës për të arritur objektivin, kanë rrezikuar jetën vetëm e vetëm që të mbetej e “pa pushtuar”  atë që pilotët e quajnë “dinjitet personal”. Një ndër ata që ka dhënë leksion të mahnitshëm sesi duhet të sillet piloti ndaj detyrës që merr përsipër është dëshmori i parë i aviacionit, Piloti Luftarak i Klasit të Parë”, komandant  Vasil Trasha. Ishte viti 1958. Por në tërë historinë e aviacionit kanë rënë plot 41 Dëshmorë të Atdheut dhe që emrat dhe bëmat e tyre si luftëtarë të qiejve, tregohen në detaje, me emocion, duke i vlerësuar si një tog xhevahirësh.

Nëse jeta të dhuron diçka që e dashuron me shpirt duhet mbajtur fort. Qoftë edhe me sakrifica sublime, siç është të qenit aviator. Riza Lahi ka qenë shumë i vëmendshëm, me sqimë, në gjetjen dhe përshkrimin e ndjenjave  prej “të dashuruarish”  të aviatorëve shqiptarë të të gjithë kohërave, që nga krijimi Aviacionit Ushtarak Shqiptar. Ai, për të qenë të vërtetë, ka bërë një punë të jashtëzakonshme, të lodhshme, voluminoze, por edhe kualitative. Nëse do të mund të vlerësonim atë çka ai ka pasqyruar me korrektësi, me “kokëfortësinë” për të mos lënë asnjë gjë mangët  për më shumë se 1300  aviatorë, Riza Lahi mbetet “Njëshi i Aviacionit”, shkruesi më me kurajë dhe që kjo e fundit, pra kuraja, është virtyti më i rëndësishëm. Është ajo që për një pilot nuk e zëvendëson asgjë tjetër.

Shkruesi i dy “Dinozaurëve…”  del njeri me vizion, shumë i sinqertë me veten, por edhe i guximshëm  për të qenë i vërtetë me të shkuarën dhe të ardhmen e aviacionit. Në çdo gjë, në çdo fjalë, rresht e faqe të librave del me plotë dritë fisnikëria, shpirti-qelibar, atdhedashuria e papërsëritshme,  këmbëngulja tej njerëzores  për  të “çuditur” edhe hapësirat qiellore.

Sjell një fakt Riza Lahi tek një nga “Dinozaurët…”, fakt që të bën të ngrihesh në këmbë për të nderuar  aviatorët tanë në vite. Një pilot, Gezdar Veipi, pasi iu dha sinjali se hapësirat tona ajrore ishin shkelur nga një avion luftarak serb, i mbushur plot e përplot më bomba e predha, është ngritur nga shtrati, i paska hipur vetëtimthi avionit luftarak MIG 19, vetëm me mbathje banje, pa e veshur “kostumin” e aviatorit, vetëm e vetëm për të kapur në kohë rekord shkelësin e kufirit.  Kjo, pa marrë urdhër nga askush, sepse ai atë ditë nuk ishte me shërbim. I duhej t’u gjendej pranë, si në një rrethim, pilotëve Mahmut Husa e Koço Biku për ulur në tokë, nën kërcënimin e goditjes fatale, për vdekje, pilotin serb Bozhidar. Në ditët e sotme edhe mund të ndërmerret një veprim i tillë “heroik”, por përpara se të hipet në avion do të dëgjosh: Sa do të më paguash?  Del gjë? Kur do t’i marr lekët?  Për pilotët “Dinozaurë…” të Riza Lahit këto pyetje as që duhen shkuar nëpër mend. Ata u përkasin “galaktikave” të tjera, hapësirave të pushtuara nga dashuria për vendin, Shqipërinë.

Durimi është një vlerë për të gjithë, por për pilotin ka edhe një diçka tjetër, duhet të zgjasë pa mbarim. Këtë gjë e mëson tek të gjithë, pa përjashtim, në jetën me sakrifica, me vuajtje e mundime të aviatorëve, të cilët, kush më shumë e kush më pak, u ngjajnë “heronjve të heshtur”. Dhe tek piloti nocioni “durim” ka kufij shumë më të gjerë.  Për “Dinozaurët…”,  sipas Riza Lahit, durimi nuk ka kufi, është i një lloji të veçantë, durim aviatorësh. Durimi nuk ka kufi edhe sepse e kapërcen individin, konkretisht atë të pilotit. Ai shkon e duhet të gjejë vend tek familja, bashkëshortja, prindërit, fëmijët.

Autori sjell shembuj prekës, në mjaft raste dramatikë, sesi nëna pret me akth të birin të zbres  shëndoshë e mirë nga një fluturim rutinë, sesi e dashura, bashkëshortja, fëmijët, mbeten me orë të tëra në parvazin e dritares për të dëgjuar fjalën magjike të jetës e të dashurisë njerëzore, “ja, erdha!”.

riza_lahiAviatorët në libër, nëpërmjet fjalës së nxjerrë nga shpirti i përflakur  i autorit, dalin njerëz me plot ndjenja, të përgjegjshëm për atë çka lënë prapa kur nisen për fluturim dhe, nëse për të tjerët ata përfaqësojnë një person të zakonshëm, për njerëzit e tyre të dashur janë bota, janë si ajri ku ata ngrihen për të fluturuar. Janë jo një, por disa raste ku lexuesi do të ndjehet keq, ndoshta edhe mund të përlotet nga përshkrimi që i bëhet lajmit  që sjell mynxyrë,  që sjell momente  trishtuese  e shokuese , kur piloti ka gjetur vdekjen.  Sepse vetëm për aviatorët nuk mund të thuhet me bindje se pas një fluturimi do të kthehet i gjallë. Rasti më prekës, ku çdo kategori lexuesi do të ndjehet keq, është ai i pilotit skraparas, 25-vjeçarit Veiz Kovaçi.  Babait dhimbja i vajti deri në kockë, por ai nuk i refuzoi kurrë ftesat që i vinin nga shokët e djalit në përvjetorët e festës së aviatorëve. E ëma, qysh nga dita që përcolli djalin, nuk e ngriti kokën, nuk doli asnjëherë nga shtëpia, deri sa ndërroi jetë.

Aviatorët  tek “Dinozaurët…” , në të dy  librat voluminozë,  shfaqen përherë personazhe të admiruar, të çmuar, që ta ka ënda  t’u ngjash. Janë njerëz të fortë, me plot ndjenja, por edhe fisnikë. Është mrekulli të përpiqesh me bindje, të përqafosh jetën dhe ta jetosh me pasion, ashtu një aviator. Riza Lahi, duke qenë se i përkiste racës së njerëzve “të marrosur”, të dashuruar përjetësisht me aeroplanin, jep mundësinë që edhe një lexues i thjeshtë të mund të bëhet pak guximtar, të mund të njihet disi me botën e qiellit.

Tek “Dinozaurët…”, nga faqja e parë deri tek e fundit, gjen edhe një zë-thirrjeje, një sokëllimë-proteste, ku autori, Riza Lahi, i cili u nda nga jeta tre vjet më parë, më 31 dhjetor të vitit 2013, lutet, vërtet lutet, për asetet e Aviacionit Shqiptar: Të ruajmë atë që na ka mbetur, qoftë edhe si kujtim!


Viewing all articles
Browse latest Browse all 1468


<script src="https://jsc.adskeeper.com/r/s/rssing.com.1596347.js" async> </script>