Quantcast
Channel: Kulturë – Tirana Observer
Viewing all articles
Browse latest Browse all 1468

Përshtypje të pashlyeshme nga takimi me Mato Matën

$
0
0

– “Kalojnë minatorët, hiqni kapelen!”, Xhevahir Spahiu –

Nga Edmond Ismailati

Memaliaj është qyteti i banuar kryesisht nga familjet e minatorëve dhe punëtorëve që përlesheshin çdo ditë me thellësitë e nëntokës, si heronj të vërtetë. Disa prej këtyre heronjëve të nëntokës kanë dhënë jetën dhe nga bashkëqytetarët e tyre kujtohen me nderime si dëshmorë, por ka edhe të tjerët që kanë punuar një jetë të tërë, këta të fundit heronj që përlesheshin çdo ditë me kurthet e nëntokës dhe falë Zotit kanë mbijetuar disa prej tyre jetojnë edhe sot në një moshë të madhe. Një ndër këta është edhe veterani i minierës, minatori Mato Mata.

Të gjithë e njohin xha Maton, si minator i vjetër dhe ndër të parët, të fizikshëm, me atë trupin e bëshëm që edhe sot që është mbi 80 vjeç, e tregon që mbahet ende si një burrë i fortë. E mbajnë mend për humorin e tij të këndshëm, fishkëllimat e tij që të sillnin ndjesinë sikur po ecje në një pyll që dëgjoheshin cicërima zogjsh apo melodi të ndryshme shpendësh. Pa harruar meloditë që dilnin nga fyelli apo curla dyjare që luheshin me mjeshtëri nga ai, shto këtu edhe zërin e tij po aq melodioz dhe luftarak që dëgjohej kur këndonte këngë labçe. Gjithë këto të sipërpërmendura dhe kujtime të tjera me xha Maton, më kanë shoqëruar edhe me bashkëqytetarë të tjerë.

Duke u përpjekur për të biseduar me xha Maton, u lidha më së fundi me anë të një numri telefoni që i shërben familjes Mata ku banon edhe xhakua, siç i kam folur shpesh atëherë kur shkëmbeheshin në rrugë dhe ai do më pyeste për familjen, prindërit dhe gjyshin tim Demir Malka. Falë Facebook-t që më mundësoi telefonin e tij, pasi u rilidha mbas kaq vitesh me djalin e tij Artanin, të cilin e kam një ndër shokët më të mirë dhe kam shumë kujtime të pashlyeshme, pasi kemi kaluar së bashku ditë të bukura por edhe shumë të vështira, ashtu siç kalon çdo emigrant larg familjes dhe të afërmve të tyre. Afërsisht, mbas dy dekadash dëgjohemi në telefon me xha Maton, por edhe me nënë Mbeten, pasi largësia bënë të sajën. Mbasi u pyetëm të përmalluar për vete, familjet por edhe duke u uruar gjithë të mirat njëri-tjetrit, i pyeta se a do kishin kohë të bisedonim për të më dhënë disa njoftime në lidhje për shkrimet që u kushtoj jetës se banorëve memaliotë dhe qytetit të tyre.

Duke parë që më ikën më shumë se dy karta telefonike, të cilat nuk më dhanë shumë minuta, ma bënë shumë të vështirë të vazhdoja bisedën për të mësuar në detaje ato që xha Matua dhe nënë Mbetia kishin për të më treguar. U premtova, se me rastin e parë, kur të mbërrij në Memaliaj, do t’ju takoj dhe do flasim nga afër. Në dimrin e (shkurt) 2015-s, nuk munda, pasi qëndrova vetëm tre ditë, ndërsa në shkurtin e 2016-s pak më gjatë dhe u takuam tek “Keli Bar Restorant Xhuli”, lokali i djalit të tij Çumanit. Me Çumanin jemi rritur, shokë fëmijërie, shkolle dhe kolegë (si rrobaqepës privat) dhe i kërkova, se më duhej ta takoja xha Maton, pasi nuk do kem mundësi tjetër, arsye kjo, pasi pak ditë që më ngelën do më duhej t’i kaloja në Tiranë, pasi do shtroja në spital mamanë.

Edhe xha Matua kishte hequr të njëjtin siklet nga zemra (dhe ishte shtruar në Tiranë) si nëna ime dhe këtë e mësova përgjatë bisedës që pata me djalin e tij Belulin duke u kthyer nga Gjirokastra dhe duke më dhënë kurajo.

Sa mbrritëm nga Gjirokastra, mësuam se xha Matua po më priste tek lokali i djalit. Mosha edhe pse bën të sajën, prapë xha Matua dukej i mbajtur mirë dhe duke lënë mënjanë një bastun që  mbante më shumë për kujdes, çohet dhe i përlotur më puth dhe më përqafon përzemërsisht. Aty u takuam edhe me nipërit e tij Mikel dhe Xhuljano (dy djemtë e Çumanit) që më lanë shumë përshtypje të mira. I kërkova Mikelit disa fletë formati nga të kompjuterit për të mundësuar hedhjen e disa të dhënave për momentin, pasi xha Matua ishte arkiv më vete dhe më duheshin më shumë kohë që ta zinim shtruar bisedën në ato tema që unë mendoja se ai do më ndihmonte.

“Nga do t’a fillojmë, më thuaj? Jam gati!” më tha gëzueshëm xha Matua. “E fillojmë duke më folur për veten dhe përgjatë bisedës do të pyes edhe për të dhëna të tjera që lidhen me minierën dhe ata që kanë punuar atje?!”  Përgjatë bisedës, përveç të dhënave për minatorët e parë dhe të profesioneve të ndryshme që lidheshin me ata që kanë punuar nëntokë, ata në sipërfaqen e saj personelin inxhinier dhe të administratës, mësova shumë edhe për jetën dhe familjen e tij. Sa më shumë fliste xha Matua, aq më shumë ngrihej figura e një heroi përpara meje, por ky do të ngelej akoma i heshtur nëse nuk do të mësoja pët sakrificat dhe me përballjen disa herë me vdekjen. Duke më zhytur në mendime, pasi janë të shumtë heronjtë memaliotë e më gjerë që kanë ndërruar jetë dhe janë larguar bashkë me labirintet e kujtimeve të tyre që secili prej tyre, padyshim që do të ishte një arkiv më vete ku do t’i bënin më të pasura këto shkrime modeste. Si e tillë, vendosa që t’i kushtoj këtë shkrim xha Matos, një hero i heshtur dhe dëshmitar për të cilin i lutem Zotit që t’a lërë të jetoj sa të dëshirojë nën një shëndet të plotë. Me pak fjalë që munda të shkëpus nga biseda që shkëmbeva, do të mundohem të përshkruaj jetën e tij.

Xha Matua u lind në fshatin Dhëmblan të Tepelenës më 7 shkurt të vitit 1936 me prindër Meme dhe Hito Mata. Nga dy djemtë dhe dy vajzat e familjes Mata, Matua ka qenë i pari nga djemtë. Duke par kushtet e vështira të jetesës dhe për të ndihmuar familjen e tij për të siguruar bukën e gojës, e ndien si detyrim për të kërkuar punë. Kjo gjendje e bën atë të largohet nga shtëpia qysh në moshën 9 vjecare. I ati i tij Hito Mata ka qënë patriot dhe kjo ndjenjë patriotike e shtyu atë që të kthehet në një luftëtar komit në radhët e çetave vlonjate që kanë luftuar në vendin tonë e deri në Greqi. Më pas Hito Mata merr pjesë edhe në luftën e dytë botërore duke i’u bashkuar radhëve partizane të batalionit “Baba Abaz”.

Mbas çlirimit të vendit, më 1954-57, Matua kryen shërbimin ushtarak në vijën kufitare të Kukësit. Mbasi kthehet nga ushtria (1957), martohet me Mbete Zhega, bijë nga familje Dervishi. Për një jetë më të mirë, Matua vendos të largohet (8 shkurt 1958) i vetëm nga vendlindja e tij dhe i drejtohet qytezës së Memaliajt ku pritet nga e motra e tij Shaniko Bega. Ndërsa për punë, si gjithë të tjerët drejt minierës. Në fillim punoi si punëtor, vagonist në Sektorin e parë dhe më vonë në Sektorin e dytë. Në vitin 1960 kreu një vit shkollë për minator, më pas për zjarrmëtarr, të dyja këto specializime në shkollën FZO që ishte hapur në atë kohë në Memaliaj ku studiohej edhe për profesione të ndryshme. Përgjatë kësaj kohe familjes së re Mata i kishin ardhur në jetë edhe tre fëmijët e tyre të tjerë si Manushaqe, Qamile dhe Belul. Në vitin 1964, i japin shtëpi në Memaliaj dhe merr gjithë familjen e tij. Memaliaj bëhet vendlindja e katër fëmjëve të tjerë, emrat e të cilëve janë Çuman, Artan, Ferdinant dhe Silvana.

Viti i ardhjes së gjithë familjes Mata në Memaliaj, përkon me hedhjen e Urës së parë (pjesë e rrugës nacionale) e hedhur mbi lumin Vjosë në veriperëndim të qytetit. Më 1977-78, bashkë me Petrit Tafilin i marrin për të punuar si specialistë në Gusmar tek vendi i quajtur “Buza e këmbësorit”. Edhe pse paguhej më pak si minator i parë, pranoi të punonte dhe punoi për një vit si përgjegjës. Nga Memaliaj ishin edhe të tjerë, ku gjithësej beheshin 15 veta. Përgjatë kohës që ka punuar në Gusmar, kujton se edhe djali i tij Çumani shkonte për të kaluar pushimet kur ishte në moshë 10 vjeç.

Ka punuar për 28 vjet rresht punëtor nëntoke si armator, minator dhe fugist, gjithashtu ka qenë përgjegjës i një grupi prej shtatë vetësh. Sektorët ku ai ka punuar deri sa doli në pension më vitn 2004 janë I, II, III, IV, Canaj, Danaj dhe Mukaj. Përmend se ka punuar dhe ruan kujtime të mira me Rapo Jaupi, Xhevit Nebiu, Vladimir Grabova, etj.

16441324_10212652248486998_768406638_n

Ai përmend me nostalgji edhe disa nga emrat e minatorëve dhe punëtorëve të tjerë, të cilët ishin jo vetëm pionierët e parë e më vonë veteranët e saj, por edhe heronjtë e vërtetë të saj. Emra e tyre që përmendi janë: “Njazi Jakupi, Guçe Guma, Tahir Mehmeti, Seidi Bilaj, Rexho Idrizi, Abdi Bodeci, Bilal Braja, Dilaver Zhupa, Teki Zaimi, Elmaz Xhelita, Ziso Naqellari, Qamil Hodo, Ahmet Shehu, Memet Thanasi, Selim Doko, Ruhi Xhelita, Bektash Tafili, Petrit Tafili, Rapo Jaupi, Qemal Kalemi, Abedin Skrapalliu, Siri Bijo, Fetah Xhezairi, Ramadan Shehu, Tahir Gashi, Teme Goxhaj, Godo Bilaj, Bastri Malkaj, Qani Kaso, Nexhip Balliu, Andon Vasili, Resmi Çela, Sadik Shehu, Myslim Kasa, Hane Basha, Përparim Saliu, Taip Ismaili Spahiu, Josif Vlashi, Haki Kamberi, Faslli Hysesani, Refi Kocali, Esat Muçi, Teme Muçollari, Ismail Çibuku, Telha Zeneli Telhai, Kamber Lulo, Mehdi Çaushi, Xhelo Lika, Ismet Dalani, Stavri Peri, Servet Balliu, Hajdar Sako, Fone Gjerko, Hasan Halili, Shaban Xhemali, Syrja Xhemalil, Dine Tafaj, Haxhi Asllan Çaushi, Refat Osmani, Josif Muzha, Sokrat Mboqe, Shaban Kalemi, Zane Betaj, Sulo Molla, Mane Allkushi, Nebi Hoxha, Qani Guçe, Xhevat Nelaj, Koço Thomai, Hajri Çiçi, Skënder Arapi, Idriz Çerepi, Jaho Xheli, Hekuran Hajdini, Muharrem Kafazi, Shyqo Dogani, Taip Goxhaj, Malush Osmani, Nimet Hala, Kadri Llakaj, Guçe Haxhiraj, Niko Marko, Myrto Hysi, Laver Shehu, Yzedin Xhemali, Mihal Karralliu, Meçe Murati, Adil Shkëmbi, Hasan Dogani, Barjam Jaupi, Neim Myslymi, Resmi Guci, Jonuz Hamzai, Nexhip Dishaj, Xhevdet Shehu, Haredin Harizi, Mystehak Taraj, Shefqet Merdani, Maliq Osmeni, Halil Ruka, Ramadan Dine, Hajri Ballaxhiaj, Ismet Lamaj, etj.

Ndërsa nga elektro-mekanikët ishin si Sherif Ismailati, Ligor Kondo, Idai Merdani, Spiro Gjika, Ali Kuçi, Sulo Hodo, Jorgo Irfandi, Sefi Pazaj, Hysen Ceka, Telat Xhelita, Mehmet Meta, Dilaver Abazi, Barjam Beqiri, Vasil Gjoka, Barjam Aliu, Malo Çovani, Adem Koçiu, Barjam Sadiku, Zaçe Hila, Bekim Zaçe, Vangjel Dhima, Hekuran Sheta, Daut Sinaj, Isa Fejzo, Arshi Hibro, etj. Për emrat e inxhinierëve janë shumë, por po përmend si Hodo Sinani, Faik Cina, Martin Cukalla, Qendro Qendraj, Piro Naqellari, Kristo Zherdi, Xhevdet Kuçi, Avni Meçe, Fejzo Peçi, Hyso Isufi, Resmi Hoxha, Spiro Londo, Mustafa Mustafaraj, Muharrem Shehu, Medin Duraj, Gani Shehu, Xhevdet Nelaj, Sejmen Gjokoli, etj. Në lidhje me emrat e drejtorëve, më kujtohen disa si: Muzak Kallajxhiu, Faik Veizi, Faik Çinaj, Hodo Sinani, Fejzo Peçi, Xhevdet Kuçi dhe Medin Duraj.”

Edhe bashkëshortja e tij Mbete Mata, ka punuar me përkushtim duke i shërbyer komunitetit për 30 vjet rresh si guzhiniere në mencën e punëtorëve të Memaliajt. Ajo është shquar, jo vetëm për punën e saj si specialiste, por edhe për përkushtimin e saj në këtë profesion duke punuar me turne dhe sakrifica, kontribut ky që është vlerësuar edhe me shumë fletë lavdërimesh.

Në moshën 72 vjeçare (më 29 shtator të vitit 1969) ndërron jetë babai i tij Hitua, ndërsa nëna e tij Memja, ndërron jetë më vitin 1986. Mbasi dëgjova për largimin nga kjo jetë të prindërve të tij, vazhdova ta pyes nëse do të kishte ndonjë tjetër nga të familjes së tij të madhe apo të afërm që të kenë luftuar si komit, partizan apo mbështetur lëvizjen. Përgjatë bisedës mësova se janë të shumtë ata që janë përfshirë nga Matajt. Përmendet emri i xhaxhait të tij Zeqo Skëndo Mata i cili ka qenë në radhët e Brigadës së I-rë (i vëllai i Hitos). Ndërsa Hajreja bashkëshortja e Zeqo Matës ka ndihmuar lëvizjen duke u çuar ushqime në mal partizanëve. Të njëjtën mbështetje ka dhënë edhe gjyshja e Matos e cila quhej Qamo Mata (nëna e Hitos). Në LANÇ kanë luftuar edhe fëmijët e Barjamit të cilët janë Bilal Mata (Brigada e VI-ë, Ali Mata (Brigada e VI-ë), Nimet Mata (Brigada e VI-ë), Elmaz Mata (Brigada e VI-ë), Hysni Mata Brigada e VI-ë). Të gjith këta vëllezër janë kushrinjtë e dytë të xha Matos. Nga Matajt është për të kujtuar edhe luftëtari i radhëve të një nga çetave të zonës, partizani Xhevit Durmish Mata, i cili ka rënë dëshmor në Malin e Dhëmblanit. Dëshmori Xhevit Mata, është kushëriri i parë i Hito Matës.

Duke parë se, jo vetëm ishin të shumtë luftëtarët nga fisi Mataj të cilët luftonin kundra okupatorëve të huaj, por edhe duke e kthyer shtëpinë e tyre në një bazë të rëndësishme që mbështeste LANÇ, u dogj prej një çete të Ballit. “Ka qenë shtëpia e parë që u dogj në fshat, si e tillë, kjo dëshmi njihet nga administrata e komunës, ajo e rrethit dhe e prefekturës dhe në një nga ditët a afërme të muajit Maj, do të organizojnë një cerëmoni për ta shpallur edhe zyrtarisht.” tha xha Matua.

Ishte Bashkia e Tepelenës e cila organizoi mbas disa muajsh një ceremoninë në nder të fisit Mataj nga fshati Dhëmblan dhe e vlerësoi për kontributin e tyre që kanë dhënë në mbështetje të LANÇ. Në pllakatën e mermertë që i është vendosur në murin ballor të shtëpisë së fisit Mataj mban këtë mbishkrim: “Republika e Shqipërisë, Bashkia Tepelenë. Shtëpia e Matajve ka qenë bazë e rëndësishme e Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare. Djegur në qershor të vitit 1944”.

Përveç lodhjes nga puna e vështirë si minator dhe me turne, ai gjente edhe kohën të lirë për të dhënë kontributin e tij edhe me grupin polifonik të Pallatit të Kulturës që përfaqësonte gjithashtu atë të minierës dhe të qytetit tonë. Bashkë me të madhin, folkloristin Maliq Lila dhe drejtorin e asaj kohe të Pallatit të Kulturës z. Xhafer Kuçi bënë përpjekjet e tyre duke bërë prova dhe përgatitje për të formuar grupin polifonik që lartpërmenda. Ka qenë 16 tetori i vitit 1973 ku ky grup mori pjesë në festivalin folklorik në shkallë vendi që u zhvillua në kalanë e Gjirokastrës. Gjithashtu në këtë grup ku merrte pjesë edhe xha Matua, kanë dhënë edhe shfaqje të tjera nëpër skena të ndryshme të vendit si Tepelenë, Korçë, Përmet, Sarandë, Kolonjë, Delvinë, Lukovë, Ersekë, etj. Xha Matua, përveç kontributit të tij si solist i këngës labe apo mbajtësi i isos së saj, ka interpretuar edhe me imitime të fëshkëllimave të ndryshme, cicërima zogjsh, por edhe duke luajtur pjese të ndryshme nga repertori lab apo krijime të tij të luajtura me fyell dhe curlë dyjare. Të dyja këto intsrumenta ai i ruan ende në shtëpinë e tij, të cilat i ka të varura në një nga faqet e murit të sallonit të apartamentit të tij.

Përgjatë bisedës, mësova se ka patur edhe raste që i është rrezikuar jeta dhe sot është një nga të mbijetuarit nga ata që punonin çdo ditë nëpër damarët e nëntokës. Një nga këto raste është edhe ai i shpërthimit të ujit të remontit, teksa ishin duke hapur një vrimë 70×70 për efekt ajrimi dhe u bllokuan. Në kohën kur shpërtheu uji, Matua ishte i pari, mbas tij ishte Fejzo Peçi (shefi i sigurimit teknik të sektorit). Aty kishte edhe të tjerë që ndodheshin mbas Fejzos. Ata ishin Xhevdet Kuçi (shef Sektori), Hasan Halili (minator), Demir Mullaraj duke punuar në cilik, Sali Lika (normist i avancimeve), Partizan Hila (normist i prodhimit). Të gjithë kishin ardhur aty, pasi ishin të interesuar për ecurinë e punimeve dhe avancimi me kujdes i tyre për të shmangur çdo të papritur edhe pse kurthet e nëntokës janë nga më të ndryshmet dhe me pasoja nga më tragjiket.

Në këto fronte pune, jo vetëm xha Matua, por edhe të gjithë të tjerët kanë parë vdekjen me sy. Në momentin para se të shpërthente uji, Xha Matua dhe Fejzo Peçin ishin duke punuar lart. Befas shpërthen uji dhe xha Matua ngecet në kapele (lloj armature në formë kryqi). Kjo ndodhi, pasi nga presioni i ujit nuk mundi që t’i rezistonte dhe rrëshkiti nëpër këmbët e Fejzos dhe ngeli në kapele që është armatura në formë si kryq. Nga ky pozicion, fatkeqësisht u bë shkak që uji të gjente pengesë dhe të bllokohej i gjithi. Nga ky shkak, po mbushej me ujë dhe u mbuluan për pak minuta. Falë forcës fizike të xha Matos dhe përpjekjeve të tij dhe të shokëve të tjerë që luftonin për të shpëtuar nga çastet e fundit të jetë së tyre, u mundësua që të lëvizte dhe kështu uji gjeti rrugën për të vërshuar dhe të gjithë u gjendën të çliruar nga uji, por të mbuluar me llurbën dhe llumërat që pengoheshin nëpër trupat e tyre. Nga ky aksident u dëmtua shumë minatori Hasan Halili, pasi piu llurbë me llum dhe nga gjendja e tij e rënduar u shtrua për 20 ditë në spital. Edhe pse doli nga spitali duke marrë mjekimet e nevojshme në shtëpi, ai ndërroi jetë mbas tre muajsh. Vetëm Matua dhe Fejzua nuk u shtruan. Të tjerët u shtruan në spital kush pesë ditë, e kush dhjetë ditë.

Rast tjetër ka qenë edhe ai i shpërthimit të gazit metan në frontin e minierës dhe xha Matua ka tërhequr zvarrë shokun e tij, pasi e kuptoi pak më përpara se çfarë do të ndodhte. Atij që i shpëtoi jetën, ishte nga Krahsi (Raliçi), i vëllai i Kadri Hoxhës.

“Një tjetër rast ka qenë duke hedhur mina me Dilaver Zhupën, i cili ishte dhe një ndër minatorët e parë dhe specialist shumë i mirë. Me ne ishin edhe Idajet Merdani (elektriçist), Telat Xhelita (eletro-mekanik), Muço Bodeci, etj. Edhe pse kishim zënë pozicione në distancë dhe në vend të duhur, pamë që nga shpërthimi i fortë erdhen drejt nesh edhe copa qymyri, dru dhe një copë llamarine. Po të kishim qëndruar afër siç bënin disa për të fituar kohë pasi përtonin të largoheshin sipas rregullave, padyshim që do të kishte ndodhur hataja. Që nga ai moment i kësaj ndodhie, filluam që të bënim më shumë kujdes.”

Për xha Maton është shkruar edhe në libra dhe gazeta të asaj kohe, pasi aksidentet që ai ka mbijetuar bënë shumë jehonë, jo vetëm tek memaliotët dhe në rreth, por deri në Tiranë. Për këtë ndodhi, kanë shkruar jo vetëm gazetat “Puna” e “Zëri i Popullit” të shoqëruar edhe me fotografi, por edhe poeti Xhevair Spahiu e ka pasqyruar në një botim të tij në ato vite. Madje poeti, para se të botonte librin e tij, i ka takuar vetë dhe ka biseduar me të gjithë duke mësuar deri tek detajet më të vogla. Libri titullohet “Dyer dhe zemra të hapura” me autor shkrimtarin Xhevahir Spahiu, të botuar në vitin 1977 dhe me një tirazh prej 8000 kopje. Madje poeti, para se të botonte librin e tij, i ka takuar vetë dhe ka biseduar me të gjithë duke mësuar deri tek detajet më të vogla.

Tek mbishkrimi “Kalojnë minatorët, hiqni kapelen” (f.q.72),  flitet për minatorin Mato Mata. Autori e fillon këtë shkrim në shenjë respekti për të gjithë heronjtë e nëntokës, minatorët. Pasi bën një përmbledhje për qytezën dhe njerëzit që kishin ardhur aty nga treva të ndryshme të vendit, po aty flet edhe për minatorin Mato Mata të cilin e përshkruan si një njeri energjik, buzagaz e fjalë ëmbël. Gjithashtu, autori përshkruan punën dhe aksidentet në këtë minierë dhe në fund mbasi dalin nga miniera, përshkruan edhe mikpritjen e minatorit lab Mato Mata i cili e kishte ftuar për drekë autorin, pasi e nesërmja ishte festa e 1 Majit. Autori vazhdon të përshkruajë minatorin Mato duke shkrujatur “Ma solli fati të takoj një njeri plot dashuri për punën e shoqërinë. Me këtë respekt flisnin edhe minatorët për të…”

Ndërsa tek një artikull që është botuar tek gazeta “Puna” po në atë kohë, është shoqëruar edhe me një fotografi të bërë nga gazetari i saj. Në këtë fotografi duken gjashtë minatorë memaliotë të cilët qëndrojnë krah për krah njëri-tjetrit, ku në sfond duket një nga kullat e puseve të kësaj miniere e cila është një nga fotografit e vetme dhe të veçanta për nga pamja, jo vetëm në vendin tonë, por edhe për minatorët e rajonit dhe më tej. Në këtë fotografi, minatori Mato Mata është i katërti, midis minatorëve ku nga e djathta e tij është Xhevdet Jashari dhe nga e majta e tij është Rapo Jaupi. Gazetari përmend, duke i thënë, “Mato kollosi, të kemi në qendër të fotografisë dhe të vëmendjes nga batutat që shkëmbenim.” Ndërsa poshtë fotografisë shkruhet: “Gëzimi, optimizmi, besimi në forcat e tyre. Ja ç’tregon buzëqeshja e këtyre minatorëve në Memaliaj…”

Rreziqet përgjatë punës e sidomos ato të nëntokës kanë qenë të shumta dhe sa më shumë të pyesësh jo vetëm veteranët minatorë, por edhe deri tek puntorët e thjeshtë siç ishin vagonistët e nëntokës dhe ata të sipërfaqes, padyshim që janë nga më të ndryshmet.

Përveç punës që bënte xha Matua tek depua e dinamitit përgjatë viteve 1975-84, i krijohej mundësia që në territorin rrethues të këtij objekti të mbante pula, derra dhe mishin e këtyre të fundit e bënte edhe pastërma. Aty kishte edhe fuçitë që fermentonte rrushin dhe koçimaret nga të cilat nxirrte edhe raki. Këtë traditë (edhe pse ishte jo e ligjshme në atë kohë), e ndoqi deri në vitin 1984, vit ky që përkon dhe me largimin e tij nga kjo punë, pasi del në pension. Nga fëmijët e tij, vetëm Beluli ka punuar në minierë për pësëmbëdhjetë vjet si elektriçist, ndërsa të tjerët nëpër punë të ndryshme

Por xha Matua ka patur edhe një humor të këndshëm dhe të gjithë e dinin këtë, pasi kur shkëmbeheshin i thonin “Si je Mato Gruda”, personazhi i filmit “Njeriu me top”. Atij i flisnin edhe në emër tjetër, në atë me emrin “Toto”. Kur e kam thënë një herë (para viteve ’90), “Si je Toto Kutunja”,  emri i këngëtarit të mirënjohur italian i cili dëgjohej edhe nga memaliotët në ato vite dhe ai më përgjigjej me të qeshur “Totua nuk flet me kunja.” E kuptoja përgjigjen e tij, pasi ai nuk e njihte këngëtarin italian. Ata që kanë punuar me Toton, padyshim që kanë edhe kujtime nga më të mirat, pasi humori i tij u a bënte jo vetëm ditën që u dukej më e shkurtër, por  as lodhjen nuk e ndjenin.

Xha Matua ishte shumë i njohur edhe nga komunikimi që ai kishte me macen e tij të cilën e kishte pagëzuar me emrin Pisika. Ishte një mace e veçantë jo vetëm nga pamshmëria, por edhe shumë e zgjuar. Xha Matua i fliste sikur ajo të ishte njeri dhe ajo i bindej. Madje kur ajo ishte larg tij dhe sapo dëgjonte fërshëllimën e tij, vraponte me ngulm derisa ta gjente ku ishte fshehur apo ndodhej për momentin.

Xha Matua, shquhej edhe për humanizmin e tij dhe u shkonte pa hezitim për t’i ndihmuar të gjithë atyre që e thërrisnin për ndihmë. Jo vetëm familjes tonë, por edhe me qindra të tjerëve në qytet dhe zonat përreth, i ndihmonte për therrjen e gjësë së gjallë dhe rrjepjen e tyre, hapjen e postiqeve, bërjen e mishit pastërma e deri në dhënien e kazanit të tij të rakisë apo nxjerrjen e kësaj të fundit. Nga ndihma që jepte pa kërkuar asnjë shpërblim, vetë familjet i jepnin ndonjë lekë në shenjë respekti për të pirë një kafe apo për ndonjë meze me birrë të shoqëruar nga miqtë dhe shokët e tij.

Dikush e spiunon, pra më mirë të themi e denoncon me një diziformim të vetëdijshëm se gjasme Matua nxirrte para të madhe nga këto që bënte dhe se ishte e ndalurr me ligj ushtrimi i profesionit dhe të pronës private. Si e tillë, në një nga mëngjeset e qytetit tonë u gjendën me qindra vetë përpara këndit të “Fletë-Rrufesë”, ku ishte fiksuar mirë edhe ajo që i kishin qëndisur dhe afishuar për Maton. Toto njëri, Toto tjetri dhe fjala mori dhenë dhe pothuajse të gjithë ata që e lexuan apo e dëgjuan, u mërzitën me këtë që i kishin bërë Totos dhe dënonin veprimin e ulët atij që e kishte bërë këtë.

Kur e pyeta Toton rreth kësaj historie që ishte bërë e njohur nga të gjithë, me buzëqeshja më tha: “Lëre aman, se ajo ishte estradë fare. E bënë për të më dëmtuar mua, por nxorrën sytë e tyre. Nuk po e përmend emrin, por ai që m’u qep, ishte një fuks i shquar që edhe ëndrrat që shikonte vetë, dyshonte aq shumë saqë i merrte për të vërteta dhe i denonconte! Të gjithë e njihnin, ashtu si njihnin edhe disa të tjerë që për atë kohë u dukej sikur bënin heroin, por të merrnin në qafë dhe hajde ta gjeje të vërtetën. Vërtetë ai e bëri, por shokët e mij të punës e degjeneruan fare në një mbledhje që u bë enkas për mua në Sektor të III-të. Aq shumë u irrituan, saqë shkuan dhe e grisën pa menduar aspak se edhe ata do të kishin pasoja. Përgjatë mbledhjes, ata të partisë prisnin që kolektivi dhe shokët të çoheshin të më kritikonin apo deri aty sa edhe të më shkelnin me këmbë, por ndodhi e kundërta! Ata u çuan një e nga një dhe më lavdëronin duke u shprehur se isha njeri punëtor, i ndershëm, shikoja hallin tim dhe se po të kisha therrur ndonjë gjë të gjallë dhe kisha marrë ndonjë lek, e kisha bërë për të rritur fëmijët.

Të gjithë flisnin sikur i kisha porositur kokë më kokë, gjë që nuk kisha pse ta bëja, pasi as që më shkonte mendja se do arrinin deri këtu fuksat e partisë. Kështu ishte në atë kohë, një pakicë i rrisnin fëmijët me spiunllëqe, ndërsa unë me djersë të ballit, me sakrifica dhe hapur. Edhe ato të holla që merrja, duke më detyruar më shumë, për punën që u bëja, ishte një ndihmë e madhe, në të kundërt edhe pse punoja në minierë, nuk i rrisja dot siç duhej.”

Duke parë këtë fotografi tek “Albumi histroik Memaliaj”, po shkëpusim komentin e z. Luan Zifla i cili shkruan: “Jo duket, por ishin heronj të vërtetë. Unë e kam njohur Maton sepse kam punuar një vit e gjysëm si vagonist në Sektorin e III-të. Ju përshëndes Mondi për këtë përkujdesje edhe për albumin në fjalë, kryesisht për minatorët, punëtorët e minierës dhe pamjet nga sektorët e kësaj miniere.!”

Përparim Hoxha: “Respekt dhe mirënjohje për të gjithë ata që punuan në këtë minierë. Një pjesë e tyre kanë dhënë jetën në krye të detyrës, aty një pjesë kanë ndërruar jetë mbasi kanë dalë në pension dhe pjesa tjetër është duke vuajtur nga pasojat e punës së rëndë e të diskriminuar me një pension qesharak.”

Në lidhje me imitimet origjinale të zogjve prej xha Matos disa më kanë ngelur në mendje dhe sa herë dëgjoj ndonjë që bën qoftë edhe imitimin më të thjeshtë, kujtesa shkon padyshim tek ai. Meqë jemi në këtë pjesë të kujtimeve, po sjell një rast të djalit tim amerikano-shqiptarit David që për emër të dytë mban emrin Sheriff (emër i tim Ati). E shikoja sesi përpiqej të fishkëllente që në moshën 4-5 vjeçare, por edhe pse ka kaluar pak më shumë se një dekadë, akoma nuk mund të fishkëllej fort siç munden një pjesë e mirë e shqiptareve. Gjithësesi nga përpjekjet ngeli diçka, e kam fjalën për disa tinguj që i ngjajnë më shumë cicërimave që dalin nga shpirti i zogjve të porsalindur e deri sa u rriten krahët për flururim, kohë kjo që u jep edhe lirin e plotë të tyre. Nuk e dija që i imitonte origjinal, saqë kur ishte me portë mbyllur tek dhoma e tij, po imitonte zogjtë. Me ta dëgjuar, shkova mbas porte dhe e pyeta: “Ç’është ai zog aty? Hape portën?”. “Mos e hap portën se dua ta kap!” u përgjigj ai. Unë e besova, por mbas pak kur doli duke qeshur prej dhomës, më la të kuptoja se ishte një imitim i tij. Atëherë duhet të këtë qenë 10 vjeç. Ndërsa kur ishte në klasën e dhjetë të gjimnazit, më tregoi diçka që kishte ndodhur me këtë lloj imitimi dhe kemi qeshur me lot sëbashku e mandej gjithë familja jonë, por edhe në çdo kohë saherë që e kujtojmë.

Për arsye të nevojave personale, ishte shkëputur për disa minuta në një nga orët e mësimit dhe ishte drejtuar drejt vendit. Aty ishte dhe një nxënës tjetër që po shkonte për të larë duart para se të largohej. Mbasi David, kaloi duke mos i hedhur as sytë nxënësit, u fut në një nga kabinat dhe filloi që të bënte si zog, por njëkohësisht edhe duke improvizuar sikur po i fliste zogut me zë të diksionit qortues. David e dinte që nxënësi do bëhej kureshtar dhe nuk do të ikte pa e dëgjuar me vëmendje qortimet e Davidit ndaj zogut. Herë dëgjoheshin cicërimat e zogut dhe herë qodrimet e Davidit. “Ciiiiu, ciiiiu, ciu, ciu”, “Pusho të thashë? Edhe këtu nuk na lë rehat? Të thashë, po erdhe me mua në shkollë, mos u ndje se nuk lejohet?” “Ciiu, ciu.” “Pusho se nuk kam as bukë me vete që të të jap, në të kundërt do të hedh në vrimë të banjës që të ikësh bashkë me ujin dhe pastaj vazhdo të cicërosh?” “Ciu, Ciiu.”Epo të dola nga borxhi, tani duhet edhe mësohesh ta mbash edhe me frymë, se boll cicërove?” u dëgjua nga David dhe në atë qetësi u dëgjuan edhe gurgullimat e ujit me presion që tërheqin banjat. David e dinte që ai nxënësi kureshtar ishte aty (pasi kështu i kishte ndodhur edhe me të tjerë) dhe kur hapi portën e gabinës dhe vazhdoi të largohej duke mërmëritur “Ashtu e doje, mirë ta bëra”, tundi kokën si i nevrikosur dhe u drejtua drejt klasës së tij. Mbasi u largua disa metra, ktheu kokën duke e ditur se shikimet e tij do të ndesheshin me të nxënësit kureshtar, ashtu ndodhi, por të këtij të fundit dukeshin shumë të trembura, pasi përveç gjestit (të improvizuar) të pashpirt që përjetoi, u trondit edhe nga humbja e pakthyeshme e zogut.

Nxënësi, kishte shkuar me vrap për të lajmëruar drejtorin dhe nëpunës të tjerë të shkollës për t’i vënë në dijeni për çfarë ishte dëshmitar. Mbas pak minutash, bashkë me drejtorin dhe të tjerë ishte edhe nxënësi të cilët shkuan në klasën e Davdit për t’i kërkuar arsyen e vrasjes së zogut. Mbasi drejtori e pyeti për të mësuar rreth kësaj historie dhe David i tregoi se ishte gjithçka e improvizuar duke imituar edhe cicërimat e zogjëve në prezencë të tyre, të gjithë qeshën me të madhe.

Përgjatë bisedës me xha Maton e vështrorja sikur, pyetjet e mia nuk do të mbaronin ndonjëherë. Aty nga fundi, mbasi pyeta nipin e tij Mikelin për ecurinë e tij me mësimet, mësova se ishte një nxënës i shkëlqyer (sot studion për informatikë në Fakultetin e Shkencave të Natyrës në Tiranë), ndërsa nipi më i vogël Xhuljano edhe ai një nxënës i shkëlqyer (sot) i klasës së tetë.

Mbasi mbarova së pyeturi nipërit e tij, xha Matua më pyeti edhe një herë nëse kisha mbaruar së pyeturi. Nga fizionomia e tij, por edhe të djemve të tij, më sillnin ndërmend një shtetas meksikan që (ngjante më shumë si shqiptar) kisha takuar në hotelin “Aventura Palace” kur isha me pushime në “Riviera Maya”. Ai quhej Rahul Mata dhe ngjante pothuajse nga Matajt e Dhëmblanit. Ai ishte manager në këtë hotel dhe mbasi i pashe mbiemrin e tij që ishte mbi stemën që qendronte e karfosur mbi xhaketë, e pyes “Më pëlqen mbiemri juaj, por do doja të dija që sa i populluar është në Shtetet e Bashkuara të Meksikës?”. “Jemi shumë pak, pothuajse aspak, nëse do ta krahasojmë me popullsinë e Meksikës!” , u përgjigj ai. Pastaj i shpjegova se “Ky mbiemër është i njohur në Shqipëri dhe ndoshta të parët tuaj, kanë ardhur shumë herët në këto anë?”. “Më gëzon kjo që po më thua, pasi gjithmonë kam pyetur veten në heshtje për prejardhjen e mbiemrit tonë dhe kjo ma ka shtuar më shumë kureshtjen, ngaqë jemi shumë pak me këtë mbiemër. Do futem në kërkuesin Googël dhe do kërkoj për këtë mbiemër, por edhe për fshatin që po më rekomandoni?”  Gjithë këtë bisedë ja thashë edhe xha Matos, se mos mësoja diçka më shumë, por ai u përgjigjë se nuk ishte në dijeni për ndonjë të afërm të tij që të kishte shkuar për kurbet në këtë shtet, e ndoshta mund të ketë qenë më herët, ku as prindërit e tij nuk mund të dinin gjë.

16441362_10212652248526999_2004537908_n

Kujtimet me familjen Mata edhe pse xha Matua ruan kujtime në kohën kur ka punuar me baban tim Sherifin, unë kujtoj shpesh djemtë e tij Belulin, Çumanin, Artanin dhe Fredinantin, me të cilët nuk kemi ndonjë diferencë të madhe në moshë me njëri-tjerin. Djali i madh, ka luajtur futboll me pionierët krah futbollistëve Foto Strakosha, Ferdinant Goga, Sheme Lulo, etj, pastaj filluan klasat sportive, pjesë e shkollave të futbollit memaliot. Me djalin e dyte Çumanin, jemi bashkëmoshatarë dhe kemi qenë shokë klase në tetëvjeçare për katër vjet rresht dhe ishim pionierët e parë të klasës së parë sportive ku djemtë stërviteshin për sportin e futbollit, ndërsa vajzat për atë të volejbollit. Çumani edhe pse nuk ishte shumë shtatlartë, por i përshtatshëm për një sulmues, shquhej si futbollist për një fizik, një sprintier që e tregonte një sulmues shumë të shpejtë dhe të rrezikshëm, një triblues i talentuar që i nxirrte mbrojtësit shpesh herë jashtë kontrollit psikologjik, pasi ishte e vështirë t’i shpëtoje pa të kaluar topin ndër shalë. Mbaj mend kur luanim edhe pse i ruhesha për këtë taktikë të tij, nuk kam mundur që t’i shpëtoja dot (ishte e pamundur), pasi edhe unë e kam pësuar ngandonjëherë.

Çumani shquhej edhe si një ndër golëshënuesit e ekipit tonë. Përveç shok klase dhe që kam luajtur butboll, ka qënë edhe një koleg i mirë, pasi edhe ai qepte privatisht rroba dhe ishte një stilist shumë i mirë. Që të dy kemi filluar në një moshë shumë të re dhe nuk kishim ndjenjën e konkurencës me njëri-tjetrin apo edhe me të tjerët siç ndodhte zakonisht me të tjerët. Të gjithë vëllezërit Mata, shquheshin edhe si notarë të mirë që e njihnin shumë mirë rrjedhën e Vjosës, pasi gjuanin shumë edhe peshkun duke përdorur kallamat, fillot e dorës dhe pushkën e detit. Më shumë fat në këtë gjueti, ka patur Artani i cili edhe në shtetin grek ku ai ka emigruar me familjen e tij, nuk ka fundjavë që mos të shkojë për peshk dhe të kthehet me vargun plot. Duke kujtuar Artanin në këtë shkrim, ja vlen të përmendim edhe djalin e tij Kristo Mata, i cili shquhet për talentin e tij si basketbollist me brezat e rinj që luajnë me klubin e AEK-ut dhe shpresojmë një ditë ta shikojmë edhe me ekipin e parë të këtij klubi.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 1468


<script src="https://jsc.adskeeper.com/r/s/rssing.com.1596347.js" async> </script>