Ermal Meta rrëmben trofeun e parë në Sanremo. Këngëtari shqiptar ka fituar mbrëmjen Cover me “Amara terra mia” me motive arbëreshe të kantautorit të famshëm Domenico Mudugno.
Një interpretim emocionues dhe unik që shpërtheu sallën në duartrokitje me këngën që vijon të mbetet aktuale pavarësisht viteve.
“Amara terra mia”, shqip “Toka ime e hidhur” trajton temën e emigracionit, atdheun e largët dhe dëshirën për t’u kthyer sërish.
Siç citoi edhe prezantuesi i festivalit Carlo Conti : “Në fund të fundit trishtimi ka kuptim vetëm nga ekzistenca e lumturisë”.
Domenico Modugno ka fituar 4 herë Sanremon (në vitin 1958, 1959, 1962 dhe 1966), ndërsa kënga e tij më e njohur është “Volare”.
“Faleminderit”, ka shkruar Ermal Meta në Facebook pasi mori trofeun, ndërsa ka postuar edhe një fotografi të këtij momenti.
Artisti shqiptar, u prezantua në këtë edicion me këngën “Vietato Morire” e cila është pritur mjaft mirë nga kritika. 35-vjeçari tregon historinë e një djali që ka parë të ëmën të keqtrajtohej në familje dhe që sërish beson te dashuria si e vetmja rrugë për të rritur fëmijët.