Quantcast
Channel: Kulturë – Tirana Observer
Viewing all articles
Browse latest Browse all 1468

Shën Valentini apo “valentini im”?

$
0
0

Nga Miron Çako*

Kur afrohet muaji shkurt, shumica e njerëzve në glob në përgjithësi të rinjve por edhe jo vetëm, iu shkon mendja dhe mezi presin 14 Shkurtin, ditën e shën Valentinit apo ditën e të dashuruarve. Duke jetuar në një kohë “lirie”, pa kufizime morale, sipas parimit “gjithçka më lejohet” dhe më konkretisht në lidhje me erosin (epshin) që shprehet në marrëdhëniet seksuale, me mentalitetin e turmës këtë ditë apo festë, shumica e marrin si mundësi që nuk duhet humbur, për të dashuruar, flirtuar, ose të bashkohen seksualisht, duke i dhënë kësaj marrëdhënieje karakter “sakral” (të shenjtë). Të gjithë thonë se sot është shën Valentini dhe nga padija, e mbajnë atë si një “perëndi” apo ndërmjetës të perëndive, që frymëzojnë dashurinë tek njerëzit e shprehur me erosin. Të gjithë këtë frymë erotike e tregon performanca e festës me të gjithë aksesorët e saj, dhurata, kartolina me dixhiturën “Bëhu valentini im” bashkë me simbolin e një engjëlli tundues, që shigjeton zemrat. Ky engjëll në mitologjinë klasike quhet Kupid që latinisht Cupido, do të thotë “dëshirë”, është “zot” i dëshirës, i tërheqjes në dashurinë erotike. Ai është portretizuar shpesh si i biri i dashurisë perëndeshës Venus dhe zotit të luftës, Marsit. Ai është i njohur edhe në latinisht si Amor (“Dashuria”). Në mitologjinë greke është Erosi.

Pavarësisht se kjo ditë e të dashuruarve mban emrin e shën Valentinit, në qoftë se jemi të vërtetë me veten dhe me shenjtorin do të shikojmë se mënyra e të kuptuarit dhe të festuarit të kësaj dite nuk ka lidhje me shën Valentinin martir i krishter. Ka shumë shenjtorë me emrin Valentin që festohen në ditë të ndryshme të vitit, por ndoshta kjo ditë lidhet me shën Valentini, një prift në vitin 270 ps. Kr. i cili kryente ritet fetare fshehtas, për të krishterët e fshehtë të cilët shërbenin si ushtarë në ushtrinë e perandorit Klaudio II. Ky perandor kishte shpallur një urdhër që ndalonte martesën e ushtarëve, gjatë kohës së shërbimit ushtarak. Por shën Valentini e theu këtë urdhër duke bekuar martesat e ushtarëve të krishterë të cilët donin të krijonin një familje sipas Zotit. Shën Valentini për këtë shkelje ligji u arrestua nga autoritetet romake dhe u dënua me vdekje dhe iu bashkua resë së martirëve, të cilët persekutoheshin egërsisht dhe mizorisht nga pushteti romak dhe bota pagane e cila shikonin të krishterët e virtutshëm, si akuzë për jetën e tyre argëtuese të shthurur në orgji dhe dhunë fizike. Emërtimi i Valentinit si shenjt mbrojtës i të dashuruarve nuk e ka origjinën as nga Kisha Orthodhokse e Lindjes as nga ajo Romano-Katolike në Perëndim, por nga komuniteti Anglikan në Britani, në kohën e romanticizmit mesjetar të shek. XV.

Në këtë kohë u shfaq rryma e Rilindjes në të gjithë Europën, që literalisht do të thotë lindje sërish, një term për të përshkruar revolucionin kulturor dhe social që ndodhi në atë kohë dhe më pas,me efektet të cilët mbeten bashkëkohore. Ajo që pësoi rilindje ishte kultura klasike që lulëzoi gjatë “Epokës së Artë” të filozofisë greke, por që ishte zhytur nën sipërfaqe për shkak të kulturës dhe moralit të krishterë i cili dominoi në Europë deri në epokën e Mesjetës. Ndryshime të dukshme pësoi, kultura në përgjithësi, si në letërsi, në muzikë, në filozofi, arti figurativ në skulpturë, pikturë, arkitekturë etj. I gjithë ky “revolucion” kulturor ndikoi në standardin e jetës morale të njerëzve deri në atë kohë të kushtëzuar nga morali i krishterë. Gjatë rilindjes u krijua fjala “humanizëm”. Në fillim ajo nënkuptonte kujdesin për njeriun, mire-qenien, kënaqësinë dhe lirinë për të kuptuar, eksploruar dhe zhvilluar potencialin e tij të plotë brenda botës natyrore dhe sidomos në kënaqësinë e trupit, një rikthim në antikitet, në kulturën dhe filozofinë e botën pagane.

Perënditë e popujve pagane, ishin “zotat e dashurisë”, si burra dhe gra, që kryenin akte seksuale të shumë formësh, të dehur nga vera dhe nektari, madje edhe me njerëz duke lindur kështu gjysmë perënditë. Më të spikatur janë 12 “zotat” e Olimpit që morën emra të ndryshëm në popujt paganë. Kryetari i tyre ishte Zeusi. Aventurat e dashurisë të Zeusit kanë qenë të panumërta. Nga këto marrëdhënie, Zeusi ka lindur shumë fëmijë zota, gjysmë zota, heronj.

Këtyre “perëndive” që ishin produkt i fantazisë dhe instiktit njerëzor, por dhe i frymërave demoniake, iu ndërtuan tempuj, iu ngritën statuja duke shfaqur hapur organet e tyre seksuale dhe aktet e tyre erotike dhe kështu njerëzit duke i parë frymëzoheshin për t’i imituar, në akte seksuale “sakrale”, në ditë festash pagane ose me prostitutat priftëresha siç përmenden ato të tempullit e famshëm të Artemisës në Efes ose siç ishte festa e Luperkalias, një festë pagane në Romë, e cila niste të kremtohej në 13 shkurt herët në mëngjes dhe përfundonte në 15 shkurt. Kjo ishte një festë në Perandorine Romake, një ditë pushimi për të gjithë. Në ceremonitë festive veçohen sakrifikimi i cjepeve dhe qenëve. Burra që zhvishen lakuriq dhe me kamxhik u gjëmojnë vajzave nga mbrapa. Cilado vajzë që fshikullohej, cilësohej me fat në dashuri. Një tjetër traditë e turpshme e kësaj feste ishte hedhja e shortit, ku emrat e vajzave të futur në një qyp, nxirreshin nga meshkujt dhe më pas ata bashkoheshin duke kryer marrëdhënie seksuale.

Në shek. XV në Angli filluan të shkruheshin poezitë e para ndaj grave dhe të dashurave me shprehjen simbolike: “valentini im”. Kjo shprehje përmendet edhe nga dramaturgu i njohur Uilliam Shekspir në veprën Hamleti 1600-1601, ku tek akti 6, skena 5 Ofelia me trishtim thotë: “nesër është dita e shën Valentinit, shumë herët në mëngjes do të vijë në dritaren tënde të më bësh valentinin tënd”.

Rryma humanste u zhvillua më tepër kur në Angli në shek. XIX, 1858 u shfaq nga natyralisti Çarls Darvin, “Teoria e Evolucionit” siç njihet: “Origjina e specieve me anë të seleksionimit natyror”. Kjo teori tregon me hipotezë se jo vetëm speciet, por dhe vetë njeriu në krye të zinxhirit të evolucionit, është produkt i rastësisë ,jo i Perëndisë, me prejardhje shtazore, i nënshtruar instikteve trupore, si dhe atij të epshit.

Këtë teori e zhvilloi më tepër edhe rryma ateiste me përfaqësuesit e saj ku më i spikaturi Zigmund Froid 1856-1939. Ai e quan fenë neurozën më të fiksuar universale të njerëzimit dhe standardet morale të fesë së krishterë i shikon si shkaqe neurozash, që dëmton shëndetin mendor të njeriut. Frojdi pa një lidhje të ngushtë mes seksit dhe fesë ku sipas tij ndrydhjet seksuale ndikojnë në haluçinacione psikotike. Ai shikonte edhe tek thithja e gjirit të nënës nga fëmija një prirje seksuale, dhe përcaktonte libidon si “energjia seskuale promotore” tek njeriu. Por po të shikojmë jetën morale të Frojdit, i cili nxjerr gruan e tij nga shtëpia për të pasur lidhje incesti me motrën e tij, kuptohet se këto nuk ishin fakte shkencore por fiksime neurotike të vetë Frojdit. Historia dhe vetë shkenca ka vërtetuar se kur vrulli seksual lihet i lirë dhe pa ligje, gjendja e njeriut dhe e njerëzimit shkon drejt një sëmundjeje dhe dekadence pa kthim, me shifra alarmante përdhunimesh, incestesh apo devijime seksuale të ligjëruara. Këtë lloj sëmundjeje të këtij brezi imoral dhe i pabesë, mund ta quajmë “neuroza erotike globale”.

Njerirëzit edhe sotë, në vetvete duke qenë një qenie psikosomatike dhe metafizike nuk kënaqen me idenë se nuk ka Perëndi dhe për të qetësuar ndërgjegjen (zërin e Zotit), që i akuzon si shkelës të porosisë; “Mos thyej kurorën, mos kurvëro” ( Levitiku 20;14) me tendenca gnostike krijojnë perënditë e tyre sipas kohës dhe orekseve të tyre për të përligjur dhe justifikuar mëkatin, për shkak të egos dhe epshit, njësoj si paganët që shpikën “perëndi” festa edhe rite amorale dhe perverse. Prandaj edhe kësaj dite, të ashtuquajtur dita e të dashuruarve, i duhej një perëndi ose përfaqësues perëndie, kështu që u krijua edhe miti i shën Valentinit si mbrojtës i të dashuruarve, i cili si prift i shejnt i krishterë nuk ka lidhje aspak me ata që e festojnë këtë ditë, duke i dhënë karakter erotik, pa standard dhe besnikëri morale.

Por, duhet të sqarojmë, se seksualiteti nuk është profan dhe sakrilegj në krishtërim. Sipas Biblës, karakteri seksual i personave njerëzorë është krijuar nga Perëndia i dashurisë dhe i është dhënë njeriut për të luajtur një rol pozitiv në spiritualitetin njerëzor, i krijuar në shëmbëlltyrën e Perëndisë. Ashtu siç na thuhet te libri i Zanafillës: “kështu Perëndia krijoi njeriun, sipas shëmbëlltyrës së vet, sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë, ai krijoi mashkullin dhe femrën” (Zanafilla. 1:27)Ndryshimi seksual i burrit dhe gruas me marrëdhënien e tyre heteroseksuale u bë i tillë, që njeriu të shtohet dhe të shumohet: “Dhe Perëndia i bekoi; dhe Perëndia u tha atyre: Të jeni të frytshëm dhe shumëzohuni, mbushni tokën, e nënshtrojeni” (Zanafilla. 1:28)

Por ajo që e përligj ndryshimin seksual është nevoja e njeriut për të jetuar në shoqëri:”Nuk është mirë që burri të rrijë vetëm, duhet t’i japim një ndihmë që t’i përshtatet” (Zanafilla. 2:18). Në këtë gjendje dhe me këto dhurata njeriu u vendos në kushte ideale, në kopshtin e Edenit, dhe takimi i tyre si një qenie e pastër me personalitete të ndryshëm, bëhej në thjeshtësi dhe pa komplekse. Edhe pse lakuriq Adami dhe Eva nuk kishin turp nga njëri-tjetri sepse marrëdhënia e tyre ishte një marrëdhënie dashurie. Por fatkeqësisht mëkati i parë, në kopshtin e Edenit që erdhi nga zilia dhe mashtrimi i djallit për të ngrënë frutin e ndaluar, që ishte i mirë për t’u ngrënë (epshi), i këndshëm për sytë (lakmia), i dëshirueshëm për të bërë të zgjuar dikë (krenaria) ndau njeriun nga Zoti dhe nga njëri-tjetri, duke u futur në mes epshi, këtej e tutje marrëdhëniet seksuele bëhen të turbullta. Ato nuk pushojnë së qeni në thelb të mira por kanë rënë nën sundimin e forcës së të ligut që ka pushtetin tek mëkati, që vjen për shkak të krenarisë, lakmisë dhe epshit. Përballë ndryshimit të pashmangshëm dhe të pazgjidhshëm të tjetrit, nga ana seksuale, të bashkuar në dashuri, në vend të gëzimit që duhej të kishin, mbas mëkatit tek partnerët shfaqet dëshira e zotërimit egoist, kështu që shtytja seksuale në vend që të drejtohet tek tjetri për ta gëzuar dhe kënaqur atë, ajo tashmë ndrydhet në vetvete duke u parë si kënaqësi egoiste për të përfituar nga tjetri, dhe kjo i jep hidhërim partnerve egoistë.

Por pavarësisht të gjithë këtij çrregullimi në natyrën njerëzore dhe mardhënjet në çiftë,për shkak të mëkatit të pare dhe çdo mëkati trupor, mirësia dhe vlera e marrëdhënieve seksuale nuk janë vënë kurrë në dyshim dhe përbuzur në Bibël si diçka e keqe. Ashtu siç thuhet edhe te Fjalët e Urta: “Gjej pra gëzimin në gruan e rinisë sate” (Fjalët Urta 5:18). Gëzohu në jetë me gruan që e do, në të gjitha ditët e jetës sate…” (Kishtari 9:9)

Zoti Perëndi si Krijues i institucionit të martesës, e ka mbikqyrur atë gjatë gjithë historisë së njerëzimit dhe shkelësit e porosisë “mos thyej kurorën”(Lev 20; 14) i ka qortuar: “Sepse Zoti është dëshmitar midis teje dhe bashkëshortes së rinisë sate, ndaj së cilës je sjellë me pabesi, ndonëse është shoqja jote dhe bashkëshorte e besëlidhjes sate” (Malakia 2:14), por jo vetëm ndaj bashkëshortëve por edhe ndaj atyre që bëjnë marrëdhënie jashtëmartesore përsëri kjo porosi i akuzon si shkelës: “vajzat tuaja bëjnë kurvëri ndërsa gratë tuaja bëjnë kurorëshkelje” (Osea 4:13).

Vetë Zoti Krisht, Biri i Perëndisë, i cili erdhi në tokë si përmbushja e ligjit dhe Shkrimeve të Shenjta, mrekullinë e tij të parë e bëri në një dasmë në Galile,(Joani 2) duke kthyer ujin në verë për të treguar se martesa nuk është vetëm si uji, për të dhuruar jetë, por si vera që gëzon zemrën e njeriut dhe një mister që e lidh çiftin me Zotin, i cili bekon dhe shenjtëron çdo çift, që vjen në botë dhe kërkon të martohet para Perëndisë, si çiftin e parë Adami dhe Eva. Prandaj dhe Zoti Krisht në lidhje me martesën tha po ato fjalë që u thanë për njeriun në kopshtin e Edenit: “Për këtë arsye njeriu do të lërë atin dhe nënën e vet dhe do të bashkohet me gruan e vet dhe të dy do të jenë një mish i vetëm. Kështu që nuk janë më dy, por një mish i vetëm; atë pra që Perëndia e ka bashkuar njeriu të mos e ndajë” (Math. 18:5-6)

Dhe apostull Pavli nxënës i Krishtit këshillon kombet: “…le të ketë secili gruan e vet dhe secila grua burrin e vet. Burri le të kryejë detyrat martesore ndaj gruas, po ashtu edhe gruaja ndaj burrit. Gruaja nuk ka pushtet mbi trupin e vet por burri; gjithashtu burri nuk ka pushtet mbi trupin e vet por gruaja” (I Kor. 7:2-4)

Kështu sipas zbulesës së Perëndisë lidhjet seksuale janë të shenjta dhe të pastra brenda bashkësisë së martesës së bekuar, me idealin që lidhja ndërmjet një burri dhe një gruaje të jetë e përjetshme d.m.th. jo vetëm në këtë jetë por dhe në përjetësi. Normalisht akti seksual në martesë sjell fryte, me lindjen e fëmijëve. Ceremonia e martesës së Kishës Orthodhokse lutet për dëlirësi, një shtrat të panjollë, lindjen e fëmijëve dhe për çdo bekim tokësor. Megjithatë akti seksual i dashurisë, nuk kufizohet vetëm në lindjen e fëmijëve, ai ekziston për bashkimin në dashuri dhe për ndërtimin dhe gëzimin e ndërsjelltë të atyre që janë martuar. Por edhe martesat pagane siç thotë shën Joan Gojarti; “janë të shenjta dhe të pastra kur dashuria e vërtetë është e pranishme dhe çiftet i janë dhënë njëri-tjetrit përjetësisht, me një besnikëri të pafundme dhe me një përkushtim të ndërsjelltë. Sepse atje ku është e pranishme një dashuri atje është i pranishëm Perëndia”.

Por sipas mësimit biblik ata që kanë marrëdhënie seksuale jashtë martese ose shkelin kurorën apo marrëdhënie jashtë natyre nuk kanë bekimin e Zotit, madje kanë mallkim në qoftë se nuk pendohen dhe nuk kërkojnë mëshirën e Perëndisë që t’i falë, dhe t’i ndihmojë për të rregulluar ato që ata prishën nga epshi i papërmbajtur deri në mëkat: “ Por trupi nuk është për kurvëri por për Zotin dhe Zoti për trupin. Larhohuni nga kurvëria Çdo mëkat që kryen njeriu është jashtë trupit, por ai që kurvëron mëkaton në trupin e tij” (1 kor 6 :13-18) “As kurvarët, as idhujtarët, as shkelësit e kurorës, as të zhburrëruarit, as homoseksualët nuk do të trashëgojnë Mbretërinë e Perëndisë” (I Kor. 6:10) “Sepse Perëndia do të gjykojë kurvarët dhe kurorëshkelësit” (Heb. 13:4)

Prandaj vetëm ata që mendojnë dhe veprojnë në këtë mënyrë siç na mëson Bibla dhe Kisha mund ta festojnë ditën e të dashuruarve duke pasur si mbrojtës shën Valentinin dhe çdo shenjtor tjetër, dhe t’i luten atij, të dashuruarit në fejesë (njohje) t’i mbrojë nga tundimi i epshit për ta ruajtur të pastër trupin (virgjërinë) deri në martesë të bekuar nga Zoti, dhe të dashuruarit në martesë ta kenë si mbrojtës të tyre dhe familjes që t’i qëndrojnë besnikë njëri-tjetrit deri në fund. Por edhe ata që kanë gabuar dhe u rrëzuan në mëkatin e kurvërisë dhe kurorëshkeljes, të kërkojnë që shenjtori t’i lutet Perëndisë për faljen e mëkatit sepse “Perëndia që është dashuri” (Joan 4;16) dhe: “Nuk e do vdekjen e mëkatarit por do të kthehet që të mbetet dhe të jetë gjallë” (Jezekiel 33:11)

Në të kundërtën ata që mendojnë dhe veprojnë ndryshe në ditën e të dashuruarve, kanë liri të veprojnë si të duan me të gjithë koston e veprimeve të tyre, mund ta quajnë si të duan këtë festë, edhe “valentini im”, por jo shën Valentini.

*Përgjegjësi i Zyrës katekizmit K.O.A.SH

 


Viewing all articles
Browse latest Browse all 1468


<script src="https://jsc.adskeeper.com/r/s/rssing.com.1596347.js" async> </script>