Nga Kosovare Krasniqi
(Milazim Bajraj – Shprese e vrarë)
Pasi poezia hyn në fushën e ndjenjave, poetët nuk mund t’i ikin subjektivizmit të tyre pa marrë parasysh sa përpiqen të gjykojnë me arsye. Njeriu bëhet poet atëherë kur është në gjendje ta thotë atë që do dhe që duhet ta thotë – thotë Stendali. I tillë është edhe Milazim Bajraj, i cili në poezitë e tij shqipton të vërtetën ashtu siç e sheh, andaj edhe është formuar në përpjekjet për ta shqiptuar këtë të vërtetë.
“Shpresë e vrarë” është vëllimi i radhës i Bajrajt, i cili përmes vargjeve të këtij vëllimi paraqet momentet e lumtura, por edhe ato më të hidhurat, që ia ofron jeta.
Poeti përmes vargjeve të këtij vëllimi eksploron gjendjen dhe situatën aktuale që e zotëron Kosovën e pasluftës. Realitetin e zymtë që shpaloset pothuajse çdo ditë në hapësirën e Kosovës, ai e transmeton përmes vargjeve të tij.
Nga vetë titulli i librit “Shpresë e vrarë” kuptojmë se shpresat e njerëzve po fillojnë të zbehen. Dramën që po e përjeton populli kosovar, edhe pse tashmë Kosova është shtet i pavarur, poeti e vuan në heshtje, po si poet me shpirt kryengritës, prapë ndez luftën në shpirtin e tij, çfarë pastaj reflektohet në vargje. Poeti gjen frymëzim në çdo kohë dhe në çdo vend, sepse shumë nga poezitë e tij janë shkruar nëpër vende të ndryshme si: në Prishtinë, Prizren, Rahovec, e në shumë vende të tjera. Dhe për këtë mund të themi se në shumë poezi të tij vërehet frymëzimi i çastit.
Ky vëllim më i ri poetik i Bajrajt është një mozaik motivesh të ndryshme, mirëpo të cilat i lidh motivi i përbashkët – përditshmëria në Kosovë.
Sipas Bajrajt, poeti është ai i cili mund të japë idenë e asaj çfarë ndodh në realitet. Atij i duhet një laps dhe një letër ku mund t’i shprehë idetë dhe ndjenjat e tij. Dhe heroi lirik i poezisë së tij “Poeti” bën luftë, por lufta e tij është luftë me shkronja:
Ai bën luftë
Më shkronja,
Herë më të vogla,
Herë më të mëdha.
Shpirti i tij i shqetësuar shtegton nëpër atmosferën që e zotëronte Kosovën, në kohën e pasluftës, andaj pulsojnë ndjenjat e tij prej poeti. Mjegullat gri që po përfshinin qiellin e Kosovës çdo ditë e më shumë dhe rrethanat e krijuara të pasluftës, poeti i shprehte përmes vargjeve. Goditjen kryesore në vargje, poeti ia drejton aparatit qeverisës në Kosovë. Te kjo qeverisje poeti nuk sheh një të ardhme të mirë për popullin e Kosovës, aty ai sheh vetëm elementin negativ, njeriun e korruptuar.
Të gjitha këto shqetësime poetike ngërthehen në poezinë “Mosni more burra”, ku subjekti lirik me nota të thella revolte shpërthen me zemërim të drejtpërdrejt kundër aparatit të pushtetit të kohës.
Subjekti lirik i poezisë vret mendjen për situatën e krijuar, kush ka të drejtë dhe kush jo. Populli i cili për shekuj ka qenë nën sundime të huajsh, nënat gjakovare, veteranët, familjet e të zhdukurve apo kryeministri, zv.kryeministri, policia e qeveria? Ai shtron një pyetje, një dilemë ekzistenciale, që vështirë t’i jepet një përgjigje:
Po Ata, Ata, që s’janë
N’mesin tonë, Ata, a
Patën të drejtë?
Pyetja kush kishte të drejtë përsëritet pothuajse në të gjitha strofat e poezisë.
Të gjitha këto të dhëna si ngjarje të ndodhura në poezi shprehin zemërimin dhe revoltën përmes evokimit të ngjarjeve të ndodhura në Kosovë pak kohë më parë. Nga vargjet që lexojmë shihet qartë se poeti vihet në anën e popullit dhe nuk pajtohet me ata që i vihen mbi, kinse në emër të popullit. Veçohen vargjet e fundit me të cilat edhe e mbyll poezinë:
Rruga Kosovë-Hungari,
Trazira,varfëri,
Korrupsion, anarki,
-protesta-protesta
Tërë natën s’futa gjumë
Në sy!
Vdiq shpresa!
Realiteti nëpër të cilën po kalon Kosova, shprehet në çdo varg të këtij vëllimi. Është një situatë e cila te subjekti lirik reflektohet me nervozë e dhembje.
Dy poezi të tjera të vëllimit “Shpresë e vrarë”, tejet goditëse për gjendjen e krijuar në Kosovë, janë poezitë “Shteti im është” dhe “Nuk është shteti im”. Në poezinë e parë “Shteti im është” subjekti lirik i poezisë flet për Kosovën e tij, shtetin e tij, ku ka shtëpinë, gjuhën e tokën, ku prehen të parët e tij; tokë e mbjellë me gjakun e dëshmorëve, tokë e martireve të rënë, tokë e nënave shamizeza e tokë e jetimeve. Pra, me një fjalë, paraqitet e kaluara e rëndë e popullit shqiptar të Kosovës:
Motrat e dhunuara
Dhe nënat shamizeza,
E gratë e veja e
Shumë fëmijë jetimë,
Mirëpo krahasuar me poezinë e parë, subjekti lirik i poezisë së dytë “Nuk është shteti im” shpreh indinjatën e tij, duke u shprehur se do që të jetë pjesëtar i një shteti, që vazhdon të gjendet në një situatë absurde. Edhe pse ka kaluar një hark kohorë prej 17 vjetësh nga liria e tij, Kosovën, këtë shtet të vogël, vazhdojnë ta mbajnë kriminelet, hajnat e pseudopatriotët :
Shteti im nuk është
Shteti i hajnave,
Shteti im nuk është
Ai i kriminelëve,
Jo, as ai pseudopatriotëve
Me dëshirën e subjektit lirik që kjo situatë absurde të ndryshojë dhe në Kosova të frymojë me lirshëm, poeti përmes vargjeve të tij mundohet të arrijë dhe të ndikojë në ndërgjegjen e politikës kosovare. Vargjet nuk janë të shkruara me gjuhën e urrejtjes siç mund të mendojmë shumë nga ne, por ndjesia e të qenit i shtypur nga kjo situatë, e shtyn poetin përmes vargjeve të tij të shpreh dëshirën për demaskimin e pushtetit të korruptuar. Poeti nuk beson se ditë të mira do të vijnë edhe për popullin e tij, andaj ai poezinë e përmbyll pa ndonjë shpresë për një të ardhme më të mirë për Kosovën, me një realitet që dhemb.
Si çdo poet tjetër edhe Bajrajn e tërheq poezia intime, andaj në këtë vëllim zë vend edhe motivi erotik. Megjithëse në vëllim janë shumë pak poezi, përsëri duket sikur dashuria si ndjenje i jep një kahje pak më të ëmbël vëllimit. Kjo ndoshta ndodh për arsye se poeti së paku do që ndonjëherë t’iu shmanget poezive me motiv të përditshmërisë. I gjithë vëllimi përfshinë vetëm dy poezi intime.
Poezia “Me Ty (Sh)” shpalos botën emocionale të poetit Bajraj. Subjekti lirik i poezisë duket sikur bën një bisedë me zë të ulët, intime, delikate dhe tejet të sinqertë me të adhuruarën e tij:
Sfidova veten
Të bëhesha Ti:
Dy trupa – një
Shpirt.
Struktura e vëllimit
Vëllimi poetik “Shpresë e vrarë” nuk është i ndarë në cikle, poezitë, disa janë më të gjatë, e disa më të shkurtra, po të gjitha janë të ndërtuara kryesisht në vetën e parë. Vargu i lirë është vargu i cili pothuajse te të gjitha poezitë është dominant. Kështu si shembull mund të marrim poezinë “Unë”: Shoh shumëçka/, Dëgjoj shumëçka/, Ndjej shumëçka/, Përjetoj shumëçka/, pra, poezi e cila komplet ndërtohet mbi rrëfimin lirik në vetën e parë.
Lirizmi e karakterizon vargun e poezisë së Milazim Bajrajt, shumë poezi të tij burimin e kanë nga përvoja e poetit. Madje, disa poezi duket sikur kanë formën e një monologu lirik.
Poezitë e vëllimit janë të ngarkuara me mjaft figura, mirëpo figura e cila e shquhet në poezitë e këtij vëllimi metafora. Poezitë të cilat “shpirtëzohen” që në titujt me këtë figurë janë: Buzëqeshje e ngrirë, Loti i Kosovës dhe Shqip dua të vdes.
Titujt e mësipërm shpalosin fatin e keq dhe të dhembshëm të shqiptarit të Kosovës.
Subjekti lirik i poezisë së parë paraqet ikjet e shumë kosovareve në shtetet e huaja, andaj ai me zë lutës u thotë të larguarve: Ruani atdheun tuaj/, Mos e lëshoni Kosovën/, Truallin e të parëve/,, Mos e lëshoni. Në poezinë e dytë “Loti i Kosovës”, dhembja e heroit lirik bëhet një me dhembjen e Kosovës, dhembje kjo që gjen burimin në dënesjen dhe lotin e një fëmije, ndërsa në poezinë e tretë, poeti trajton historinë e ndarjes së Kosovës nga trungu kombëtar dhe tragjedinë që përjetuan shqiptarët nga pushtues të ndryshëm, andaj poeti këto dy shtete të ndara dhunshëm mjaft bukur i metaforizon me sintagmën “vëllezër siamezë”.
Pra, janë poezi të ndërtuara me një gjuhë të thjeshtë, por me një mesazh shumë të qartë për lexuesin: ta duan dhe ta mbrojnë atdheun e tyre në çfarëdo mënyre qoftë.
Përfundim
Dhe, çfarë mund të themi për fund? Tema e atdheut rikthehet përsëri në poezinë e poetit edhe pas gjitha atyre vuajtjeve që përjetoi populli i Kosovës, dhe që shumë poetë i shfaqen në poezitë e tyre.
Bajraj poetizon përditshmërinë. Ndonjëherë është vetë jeta ajo e cila nuk na lejon të dalim nga vargjet dhe me “copëzat” e jetës autori krijon poezinë e tij. Imazhet e zymta që po pllakosin Kosovën përsëri, poeti Bajraj i rikthen në poezitë e tij. Poezi në të cilat nuk trillohet, por që shpalosin tablo të gjalla të ngjarjeve, që dëshmojnë për një kohë dhe njerëzit e saj.
Vargjet e vëllimit tingëllojnë tamam vargje të natyrës realiste, herë-herë të qeta e herë-herë edhe të rrepta, por që tema kryesore ku fokusohet poeti është aktualja e ndodhive në Kosovë, të cilat i shoqëron një atmosferë e trishtë.
Megjithatë, jetojmë me besimin që nuk do na përcjellin përgjithnjë zhgënjimet, dhe me besimin që do të fryjë një erë e re e cila do të sjellë ndryshime për së mbari edhe në vendin tonë.