Nga Kosovare KRASNIQI
(Shefkije Islamaj –“Mos më thuaj se më ke parë ëndërr”)
Në letërsinë shqipe, si në poezi ashtu edhe në gjinitë e tjera letrare, jo rrallë, gruaja është personazhi që zë vendin kryesor. Në të shumtën e rasteve në letërsinë tonë, ajo është personazh i viktimizuar nga rrethanat nëpër të cilat ka kaluar populli shqiptar gjatë historisë së tij. Gruaja, qysh në letërsinë shqipe të traditës herë del viktimë e kanunit e herë viktimë e rrethanave dhe e kushteve të vështira të jetës, si rrjedhojë e zakoneve patriarkale, kurse në letërsinë më të re shqipe del edhe si viktimë e luftës.
Momentet më të rënda nëpër të cilat kaloi femra shqiptare e Kosovës, kur sekondat u ngjanin minutave, minutat orëve, e orët ditëve ishin ato gjatë luftës së fundit në Kosovë. Lufta e e fundit 1998-1999 përveç vrasjes së njerëzve, pastrimit etnik, shkatërrimeve të mëdha materiale, përndjekjeve, la pas vetes edhe pasoja të mëdha shpirtërore. Dhunimet e përdhunimet janë pjesë e pandashme e kësaj lufte, të cilat dëshmojnë se edhe gruaja shqiptare luftën e vuajti me të këqijat e saj. Barbaria serbe nuk kurseu asgjë dhe pas gjithçkaje të keqe që bëri, ajo, cenoi rëndë jetën edhe moralin e njeriut shqiptar, cenoi rëndë edhe moralin e gruas shqiptare.
Për tmerret e shumë grave të dhunuara gjatë luftës në Kosovë, kanë shkruar, pos të tjerësh, edhe Elvira Dones me romanin e saj “Luftë e vogël e përkorë”, ndërkaq libri që sjell dëshmi të gjalla të grave të dhunuara shqiptare gjatë periudhës së luftës në Kosovë është ai i Naxhije Doçit “Krimi dhe përdhunimi serb kundër femrës shqiptare në Kosovë 1997-1999”. Temën e përdhunimit e trajtoi edhe Shefkije Islamaj në romanin që po e trajtojmë këtu “Mos më thuaj se më ke parë ëndërr”.
Shefkije Islamajn e njohim më shumë si studiuese në fushën e gjuhës, por ajo nuk u mjaftua vetëm në botën e gjuhësisë, ku ka krijuar emër të dalluar, po i dha hapësirë vetes të kalojë përtej asaj e të qenët vetëm gjuhëtare, sfidoi me sukses veten në fushën e prozës. Ç’është e vërteta, ajo në rininë e hershme ka botuar një numër tregimesh të shkurtra në shtypin e kohës, për t’iu rikthyer shumë vjet pas prozës – me roman, për të cilin nuk ka heshtur kritika e Kosovës dhe me gjerë.
Si duket shtysa kryesore për të shkruar roman për autoren ishte pësimi i gruas në luftën e fundit të Kosovës, në të vërtetë autoren e romanit e preokupon fort fati i gruas shqiptare në luftën e fundit, ndaj në romanin e saj “Mos më thuaj se më ke parë ëndërr” gruan shqiptare e vënë përballë ferrit të luftës, jo vetëm sa për të treguar të bëmat e pushtuesve të fortë, por për të dëshmuar për pësimet dhe vuajtjet jo vetëm fizike por dhe shpirtërore të saj.
Që në fillim të romanit shpaloset konteksti në të cilën vendoset ngjarja e romanit, kontekst i njohur pothuajse për të gjithë shqiptarët e Kosovës dhe përtej tyre, si bashkëvuajtës e si dëshmitarë të një kohe që do të mbahen në mend sa të ekzistojë kujtesa.
Romani nis me kthimin e personazhit kryesor në Prishtinën e pasluftës, një qytet i mbetur në udhëkryq, midis qytetit rural dhe atij urban. Doktoresha e maternitetit, Zoja, kryepersonazhja dhe rrëfimtarja, rrëfen për jetën e saj të pasluftës dhe, njëkohësisht, paraqet historinë e trishtë të një vajze shqiptare të dhunuar mizorisht nga forcat paramilitare serbe gjatë luftës, pranë së cilës ajo jeton dhe ka “detyrën” morale e profesionale ta shërojë. Por ankthi i saj përvijohet në gjithë romanin – a do t’ia dalë mbanë Zoja e a do t’ia dalë Butja ta mundë vetveten?
Në roman rrëfehet hollësisht historia e asaj nate të tmerrshme, kur pas fillimit të bombardimeve të NATO-s në Kosovë, ushtria serbe bashkë me forcat paramilitare ushtruan jo vetëm masakra mbi popullsinë civile shqiptare, por edhe kryen dhunime e përdhunime të grave dhe vajzave shqiptare. Nga rrëfimet që bën protagonistja vërehet që romani është ndërtuar e thurur mbi bazën e së vërtetës, mbi fakte e dëshmi për dhunimet e kryera gjatë kësaj kohe. Ngjarjet në roman janë paraqitur ashtu siç vërtet ka ndodhur në Prishtinën e luftës e të pasluftës, ashtu siç i dinë mirë të gjithë ata që e kanë përjetuar në çfarëdo mënyre Prishtinën, përkatësisht Kosovën e luftës 19981999. Asgjë nuk është ngjyrosur nga ana e rrëfimtarit, përkundrazi realiteti është më së i prekshëm: spitalet pa barna e plot pacientë, hapja e varrezave për të varrosurit, era e rëndë e kufomave, mbishkrimet “ruajuni nga minat” që shtriheshin gjithandej, përpjekja për të nisur jetën aty ku e kishte këputur lufta.
Shefkije Islamaj me romanin “Mos më thuaj se më ke parë ëndërr” ka arritur të na bindë se ajo me mjaft sukses mund të lëvrojë në të dyja fushat – gjuhësi dhe letërsi. Ajo pos që dëshmohet si gjuhëtare, dëshmohet edhe si shkrimtare me vizion të gjerë krijues. Këtë mendim timin e plotëson edhe më shumë historiani i letërsisë shqipe Rexhep Qosja, i cili thotë se tani “lexuesi do të takojë krijuesen me imagjinatë të pasur, mjeshtren e rrëfimit të natyrshëm, mjeshtren e gjuhës, e cila me pak fjalë mund të krijojë situata tronditëse e të portretizojë karaktere të paharruara, mjeshtren e vërtetë të gjuhës artistike.”
A ishte e vetmja rrugëdalje vetëvrasja?
Personazhi femër që ka “robëruar” rrëfimtaren e veprës Mos më thuaj se më ke parë ëndërr është Butja. Duke shpalosur historinë e trishtë të saj, kuptojmë që lufta nuk është shkatërruese vetëm sa kohë zgjat ajo, por rrjedhojat e saj janë në të shumtën e herës jo vetëm të paharrueshme, por edhe të patejkalueshme. Në botën e mendësinë shqiptare gruaja konsiderohet e pacenueshme fizikisht dhe shpirtërisht. Lufta e kishte cenuar rëndë gruan shqiptare, por ajo kishte sfiduar fort edhe burrin shqiptar, për pafuqinë e tij për ta mbrojtur atë. Në subjektin e romanit të Shefkije Islamajt trajtohet pikërisht kjo – pësimi i saj dhe pafuqia e tij. Në këtë anë lufta përjetohet dyfish më rëndë. Romani ndjek një rrëfim i cili përshkohet nga filli që ka për moto mendimin se në luftë nuk janë viktima vetëm ata që pësojnë por edhe ata që janë të detyruar të jetojnë pranë viktimave. Romani “Mos më thuaj se më ke parë ëndërr” paraqet vetëm një pjesë të asaj historie të dhembshur, që e përjetuan shumë gra e vajza shqiptare në Kosovë. Ngjarja zhvillohet në Prishtinën e ditëve të para të pasluftës, por luftën e fundit në Kosovë autorja na e sjell përmes kujtesës e rikujtesës së saj duke krijuar imazhe të papërsëritshme që mbahen gjatë në mend.
Personazhja në roman, pra, është një vajzë e re, pa i mbushur të tetëmbëdhjetat, e brishtë dhe e pambrojtur, Butja, e cila kishte pasur fatin edhe të shumë moshatareve të saj të përdhunohet nga forcat paramilitare serbe. Pas dhunimit ajo nuk po arrinte të zinte rrjedhën e jetës, në të vërtetë ajo nuk po bënte as më të voglën përpjekje ta bënte këtë – ajo ishte shkëputur nga gjithçka që e rrethonte. “Apatia në të cilën ka rënë ajo është tepër shqetësuese. Duket e shkëputur nga bota. Sytë e saj të mençur kanë humbur shikimin domethënës” (f. 37). Atë që ajo kishte ngurruar aq herë t’ia falte të dashurit të zemrës, ia kishin rrëmbyer pamëshirshëm bishat me fytyra të fshehura e ajo nuk kishte arritur ta mbronte veten dhe këtë s’kishin arritur ta bënin as të tjerët. Ishte lufta ajo që ia ndryshoi jetën e saj kurse të gjithë ne, pa përjashtim, ishim të pafuqishëm ndaj fatit të saj e të shumë vajzave të tjera,, andaj jeta e saj mori një drejtim tjetër nga ai që kishte ëndërruar ajo. Prandaj, tani në heshtje, e pafuqishme të kapet pas jetës siç bënë shoqet e tjera të saj, i bluan në ndërgjegje plagët e shpirtit. Jeta e re në paqe, për të është e pakuptimtë, ajo qëndron ndërmjet dy situatave kundërshtuese: mbijetoi luftën, por si ta shërojë plagën që ia ngarkoi lufta? E keqja shpesh nuk vjen përnjëherë, me një goditje. Deri në ç’masë vazhdon e keqja, këtë e kuptojmë faqe pas faqesh, kur rrëfimtarja shpalos edhe më tej historinë e saj.
Ajo dhunohet dhe, shkurt, bota shpirtërore e saj vritet. Por, e keqja nuk mbaron këtu. Në trupin e saj është ngjizur një fryt i padëshiruar, por plotësisht i pafajshëm. Është kjo “vrasja” e dytë e saj pas përdhunimit. Midis mëdyshjes, që mban pezull gjithë romanin, të njerëzve të saj të dashur për t’i gjetur, bashkë me mjeken, zgjidhje kësaj të keqeje ajo, fatkeqja, zgjedh rrugën më të vështirë – vetëvrasjen. Me vetëvrasjen ajo ia shkurton vetes vuajtjet, por edhe mëdyshjet e njerëzve përreth.
Nëse nga ana e jashtme, ana objektive, kjo shtatzënësi e Butes shihet si dhunim, nga ana e brendshme e saj, ai fëmijë ishte i dëshiruar. Motivet psikologjike të sjelljes së saj, në pyetjen nëse do të dëshironte të mbante fëmijën, nuk u kuptuan. Në trupin e saj zhvillohej betejë midis zemrës dhe trurit. Frika dhe paragjykimet e të tjerëve në shoqërinë tonë ishin të njohura për të, andaj ajo zgjodhi të mos fliste. Ajo nuk ka zë në roman. Zëri i saj është vetëvrasja. Ajo nuk ishte vetëm viktimë e luftës, por edhe viktimë e paqes, prandaj zgjodhi heshtjen dhe jeta saj u bë varr.
Përveç dhembjes nëpër të cilën kalon Butja, lexuesi ndien edhe pafuqinë e padëshirën e saj për t’u përballur me realitetin, prandaj del gati si i pritshëm përfundimi – ajo zgjodhi më “të lehtën”. Me vetëvrasjen e saj, ajo sikur na bën të kuptojmë se në shoqërinë shqiptare mundësitë për të zgjedhur midis jetës e vdekjes shpesh janë tepër të vogla për të mos thënë se nuk ekzistojnë. Dilemat që shtron shkrimtarja në këtë pikë të ndjeshme të mendësisë sonë, ende në çapitje për të kuptuar jetën në përmasën e saj jo vetëm fizike, i ndiejmë përgjatë gjithë romanit. Në këtë kontekst fati i Butes është i parashkruar. Gjykimet për të dobëtit, të pambrojturit, të dhunuarit e të përdhunuarit zhvillohen përmes fajësimit, përkatësisht njëjtësimit të viktimës dhe dhunuesit. Në një shoqëri të tillë vdekja është, për fat të keq, shpëtim. E dhunuara është fajtore pse është e dhunuar, si rrjedhim edhe foshnja është fajtore pse ka gjetur të ngjizet në kohë të gabuar, në vend të gabuar dhe nga njerëz të gabuar. Fatkeqësia sjell fatkeqësinë prandaj vdekja del shpëtim si për viktimë, si për frytin e viktimës, si për njerëzit përreth.
A dështoi Butja në zgjedhjen e saj? A dështuan njerëzit rreth saj për t’i dhënë zgjidhje jetës së saj dhe jetës së frytit të saj, apo dështuam si shoqëri për t’i dhënë gjasa jete dy qenieve të pafajshme – viktima lufte? Këto janë çështjet që ngre në roman autorja Shefkije Islamaj për të trokitur në ndërgjegjen e lexuesit sepse Kosova ka plot Bute.
Dështimi e shoqërisë në këtë pikë e shoh në zgjedhjen midis një fëmije të pafajshëm dhe moralit. Në të shumtën e herës zgjedhja bie në të dytën – në moralin, në moralin e rrejshëm, sepse kështu bëjmë fajtorë viktimat, të pambrojturit, edhe atëherë kur kemi dështuar t’i mbrojmë jo vetëm në luftë, por edhe në paqe.
Butja e donte foshnjën e rritur në barkun e saj, edhe në gjendjen e rëndë që ishte. A është faj ta duash trupin tënd dhe atë që rritet në trupin tënd, pavarësisht rrethanat që kanë sjellë një gjendje të këtillë. A mund të japë kush përgjigje të drejtë e njerëzore për këtë? S’besoj. Foshnja ishte fryt i saj pavarësisht se fara që u mboll në të ishte e dhunshme dhe e përdhunuesit. Ndoshta pikërisht ai fëmijë do të ndryshonte jetën e Butes, pavarësisht gjykimeve dhe pavarësisht jetës së ardhshme të atij fryti. Por, me moskuptimin tonë, ne sikur ia sollëm vdekjen e parakohshme asaj, këtë e vërteton edhe nëna e saj kur konfirmon vetëvrasjen. Ajo duket sikur për një çast është çliruar, sa psherëtin “ajo ia pushoi vetes dhe neve brengat e barrës së saj” (f. 269).
Është e vërtetë se jeta për të tjerët vazhdon, por mbetet pyetja, si vazhdon? Po ndërgjegjja ku mbetet në këtë vazhdim jete?
Vështruar nga ky aspekt ajo me veprimin e saj sikur na lë të kuptojmë se për një fillim të ri të jetës nuk na duhen urrejtja dhe mllefi, dy “këshilltarë të këqija” për jetën. Ajo e flijon vetveten për të na ndërgjegjësuar, duke na thënë se jo gjithnjë duhet të shkojmë nga vrasja në vrasje. E thotë mirë studiuesi Bedri Zyberaj në shkrimin e tij për këtë roman: “Shefkije Islamaj, jo vetëm qe përcakton një diagnozë morale të shoqërisë sonë, por në të njëjtën kohë përpiqet të trokasë në ndërgjegjen e kësaj shoqërie që të dalë nga llumi ku është katandisur”.
E keqja vazhdon nga Kosova e djeshme në të sotmen
Romani siç u pa trajton një temë që lidhet drejtpërsëdrejti jo vetëm me nderin e femrës, por më shumë me moralin e shoqërisë shqiptare në përgjithësi.
Shefkije Islamaj në romanin e saj paraqet gruan dhe mendësinë e kohës përballë saj. Zemra e saj prej gruaje mund të ndiejë më lehtë psikologjinë e gruas, dhe mund t’i kuptojë më lehtë ndjenjat e saj. E të njëjtit mendim është edhe Mira Meksi në romanin e saj “Priftëreshat e Ilirisë”, ku merr si personazh kryesor një figurë femër të çmuar të historisë shqiptare, Mbretëreshën Teuta: “Përveçse i përkisnim racës njerëzore dhe ishim gra, Teuta dhe unë, kishim jo vetëm zemër, dashuri, urrejtje, frikë e plot ndjenja të tjera njerëzore, por edhe një gjuhë, apo një shëmbëlltyrë gjuhe që na bashkonte”. Edhe Shefkije Islamajn të gjitha këto e bashkojnë me personazhet e veta.
Gruaja në roman pos që paraqitet si viktimë e luftës, paraqitet edhe si viktimë e rrethanave shoqërore të traditës. Si gra që e vuajtën padrejtësinë, por në kohë të ndryshme, janë dy figurat e grave, Butja dhe nëna Pashe. Kështu romani nga pikëpamja kohore ndahet në dy pjesë të cilat korrespondojnë me kohë të shkuara dhe me të tashmen. Secila nga këto kohë tregon histori të ndryshme për gruan dhe kohën kur jetuan. Në roman zotëron kryesisht si personazh më me ndikim figura e Butes, porse edhe personazhi tjetër Nëna Pashe që na vjen si reminishencë nga e koha e fëmijërisë së Zojës, nuk mbetet prapa. Në personazhin e nënës Pashe paraqitet drama e gruas me probleme mendore dhe jeta e saj e vështirë në familjen patriarkale kurse në personazhin e Butes paraqitet tragjika e saj e dyfishtë. Është Zoja, kryepersonazhja, që na i sjell, përmes rrëfimit mbresëlënëse, dy fate tragjike në kohë të ndryshme. Numri i personazheve në roman është jo i vogël, ato i japin gjallëri e dramacitet të theksuar ngjarjeve të romanit.
Butja në roman nuk është personazh kryesor, por rreth saj sillet subjekti i romanit. Ajo thurte shpresa e ëndrra për jetën e saj, të cilat iu rrëmbyen mizorisht – ajo nuk bëri përpjekje për të kapur fillin e jetës, për dallim nga Zoja që bënte çmos të gjente fillin e jetës e për dallim nga gjyshja e Zojës që e gjente me lehtësi fillin e lëmshit kur i ngatërrohej. Simbolika është më se e qartë. Përdhunimi ia përcaktoi fatin tragjik Butes, kurse vdekja e saj e dhunshme, për fat të keq, prej të tjerëve u përjetua si lehtësim.
Në roman hasim edhe meditime e mendime të autores për çështje nga më të ndryshme, ndër to po shquajmë atë për gruan shqiptare. Kështu Shefkije Islamaj thënies të Oskar Uajldit se “gratë kanë një organizëm më të përshtatshëm për të duruar dhembjen, se ato jetojnë vetëm me emocione, se ato s’mendojnë për asgjë vetëm për emocione të reja” i kundërvihet me mjaft fakte e argumente të cilat i jep përmes vuajtjeve së gruas shqiptare gjatë luftës. “Mendimi i tij shpesh më sjell e risjell pamjet e grave, të reja e të moçme, shtatzëna e të sëmura, me fëmijë në grykë e në shpinë me plaçka në duar, zhveshur e zbathur, në shi, në diell e në borë, në mal e në rrugë, para pesë muajve. T’i kishe parë si gatuanin bukën midis fushës e në lug të malit me një grusht miell e me një lastër. Jo, nuk ka ndodhur kjo në mesjetë, por para pesë muajve. T’i kishe parë si i lanin fëmijët nëpër përrenjtë e luginat, ndërsa përreth binin granatat si breshër. T’i kishe parë si kujdeseshin për pleqtë e sëmure në pishë të diellit e në shiun rrëke. T’i kishe parë duke lindur pas drizash, pas gardheve, në përrenj e në zabele, në traktorë në qerre, rrugës për në Shqipëri, për Maqedoni e për Mal të zi. Zëri s’u ndihej. E si t’u ndihej? A mund të lindë fëmija në praninë e aq syve? A mund të lindë fëmija kur gryka e automatikut të rri mbi krye ? Pse duhej të fshihej? A ishte turp të lindje frytin tënd? Ç’faj kishte ajo e foshnjë e saj që kishin zgjedhur pikërisht atë moment për lindje. (f. 156)
Me stilin mjeshtëror të saj dhe me gjuhën e pasur e të figurshme, Shefkije Islamaj nuk na sjell më se bindshëm jo vetëm të vërtetën e madhe për luftën në Kosovës, por edhe shumë vërteta të jetës sonë shqiptare dhe, sidomos, të jetës së gruas shqiptare në historinë dhe përtashësinë e saj.
Arkitektura e rrëfimit është mjaft e ngjeshur, ngjarje vijnë njëra pas tjetrës. Autorja duke u bërë edhe vet subjekt i librit, ngjarjet i rrëfen në vetën e parë. Romani është përberë nga rrëfenjëzat apo tregimet që lidhen si me zinxhirë me njëra -tjetrën duke na dhënë një subjekt të veçantë me gjuhë të përdorur aq mjeshtërisht dhe rrëfenjëza të rrëfyera bukur. Rrëfenjëzat nuk janë të lidhura në mënyrë kronologjike sepse autorja në roman përdor tri linja rrëfimi. Por, që të tri linjat e veprës gërshetohen harmonishëm ndërmjet tyre, sa arrijnë të bëhen pjesë përbërëse të një rrëfimi. Personazhet paraqiten me botëkuptime të ndryshme, tradicionale dhe moderne, kurse ngjarjet përplotësohen me pamje e fshatit. me peizazhe piktoresk të natyrës, momente mbresëse nga jeta në fshat dhe nga jeta zakonore.
Në romanit gjejmë mjaft përshkrime etnografike, rrëfime proverbiale e anekdotike, të cilat e pasurojnë romanin dhe bëjnë që rrëfimi të ngrihet në shkallë të lartë artistike, gjuhësore e stilistike. Si e koncepton ajo romanin e shohim përmes linjës në të cilën Zoja shpalos përpjekjen e saj për të shkruar roman, një dëshirë e saj e parealizuar. Autorja shpjegon teknikën e rrëfimit që synon të shfrytëzojë për romanin e saj dhe shpalos dëshirën e saj për të shkruar një roman që nuk do të qëndrojë në raftet e pluhurosura të librarive, por që do të lexohet. Autorja ka arritur, me stilin mjeshtëror dhe gjuhën bindëse, jo vetëm të ndërtojë një histori artistike për luftën e fundit të Kosovës, por të shkruajë një roman që të dhuron kënaqësi estetike dhe që meriton të lexohet.
Përfundim
Për dramën që kaloi Kosova në vitet 98-99 dhe fatin e rëndë që përjetoi gruaja shqiptare, janë shkruara mijëra faqe, por edhe këto mijëra faqe janë pak për dramën e thellë psikologjike e tragjike që ka përjetuar gruaja shqiptare. Romani i Shefkije Islamajt është ndër romanet, për fat të keq, të paktë që ka trajtuar fatin e femrës si viktimë e luftës. Por, në romanin e saj, ajo, e sheh gruan jo vetëm si viktimë të luftës – Butja, por edhe si viktimë të zakoneve patriarkale – nëna Pashe, dy personazhe që i mbeten lexuesit gjatë në mendje. Dhe, “nëse nënën Pashe e “dhunon” katundi, në mënyrën e vet, Buten e dhunojnë ushtarët serbë. Edhe “dhunimi” i parë edhe dhunimi i dytë, i kanë pasojat tragjike”, thotë studiuesja Resmije Kryeziu.
Në romanin e saj autorja ngreh zërin kundër dhunës. Përmes personazheve të saj gra arrin të godasë në “kodin civil të kohës”, përpiqet të na ndërgjegjësojë si shoqëri. Përmes dy figurave të grave, të cilat e vuajnë padrejtësitë e kohës, përmes ngjarjeve në roman, demaskohet edhe lufta e egër e shoviniste serbe.
Hapësira gjeografike e vogël e quajtur Kosovë në vitin 1998-99 iu nënshtrua vrasjeve e masakrave dhe në masë jo të vogël edhe dhunimeve. Dhuna seksuale la pasoja të rënda te gratë e vajzat shqiptare. Kjo “vrasje” fizike e shpirtërore” sikur po heshtet ashtu siç po heshtet edhe fati i tyre pas luftës, trajtimi i tyre institucional. Romani është një zë i fuqishëm artistik për ta kthyer kokën kah këto viktima. Historia jonë, edhe kjo e reja, duhet të jetësohet edhe artistikisht. Ajo nuk duhet të mbetet vetëm brenda nesh.