Fatmira Nikolli
“Unë nuk e besoj që ‘Motra Tone’ nuk është vepër e Kolë Idromenos. Ç’arsye do kish Kola? Ajo vepër as nuk u ekspozua(prej tij). Qëndronte në shtëpinë e Idromenos, deri më 1954 që u ekspozua për herë të parë”. Piktori, studiuesi e ish-drejtori i Galerisë Kombëtare të Arteve, Abaz Hado, kundërshton idenë që “Motra Tone” nuk është vepër e Kolë Idromenos. Ai jep kundërargumente sa i takon teorisë së re që është hedhur mbi të e autorësinë e veprës.
Në një rrëfim për “Gazeta Shqiptare”, ai tregon se nuk pajtohet me idenë e hedhur nga Mustafa Arapi, sipas të cilit kjo vepër, më e njohura pikturë shqiptare, nuk është e autorit shkodran. Arapi, shprehej dje për “GSh” se “Motra Tone” dallon shumë nga “Dasma Shkodrane” e “Dy rrugët”- dy vepra të tjera shumë të njohura të Idromenos. “Ka vite që unë kam dalë në këtë konkluzion, më ka rënë në sy menjëherë që ‘Motra Tone’ nuk ka lidhje fare me autorësinë e Kolë Idromenos. ‘Dasma’ dhe ‘Dy rrugët’ duket se janë dy punë të një dore jomjeshtërore, është pak si naiv, pa vizatim, dhe ka një monotoni po t’i vësh re, sidomos gratë në plan të parë te ‘Dasma’ janë shumë të përsëritura. Edhe ‘Dy rrugët’ është një vepër disi naive. Ndërsa, ‘Motra Tone’ është një pikturë, e cila i ka të gjithë elementët që i duhen një pikture, që nga kompozimi, silueta, kolori e teknika. Ajo ka një teknikë të jashtëzakonshme, teknikën e velaturës, e njeh mirë velaturën, thellësinë e ngjyrës, ka një transparencë te rrobat e saj dhe shumë delikatesë, ndërsa gratë që janë te ‘Dasma shkodrane’ nuk e kanë atë elegancë”, – shprehej dje Arapi.
ABAZ HADO PËR RININË E IDROMENOS
Krejt ndryshe qëndron e vërteta, sipas Abaz Hados. “Nëse Idromeno ka vënë një firmë, diçka do të thotë që e ka bërë. E ka realizuar atë vepër, fiks në kohën kur ka ardhur nga studimet(në Itali). Dhe pas 31 vitesh ka bërë veprën tjetër, ‘Dasmën shkodrane’. Me kalimin e kohës, atij i ra tempi, sepse Idromeno u mor me shumë gjëra. Kur sapo vjen nga shkolla, nga studimet, me mësimet e freskëta je ende nën ndikimin e stilit- kohë më vonë, bie, e kjo ka ndodhur me shumë artistë shqiptarë”, – thotë Abaz Hado, sa i takon dallimit që ka mes “Dasmës shkodrane” e “Motrës Tone”, dhënë si argument që i heq Idromenos autorësinë e “Motrës Tone”.
Sipas ish-drejtorit të GKA-së, nga pikëpamja teknike, Idromeno ka në këtë periudhë edhe disa vepra të tjera që janë të përafërta. “‘Motra Tone’ është vepër që e realizoi në kohën që ishte 23 vjeç, fill sapo erdhi”.
Hado nuk mendon se motra Tone, ka shkuar në Itali me kostum kombëtar. “Ajo ka pozuar aty. Nuk ka asnjë të dhënë që thotë të kundërtën. Unë nuk di të ketë ndonjë të dhënë që tregon se vepra nuk është e Kolë Idromenos. Apo që motra Tone, ka shkuar në Itali ka takuar të vëllanë, i është bërë një portret dhe e ka marrë. Fakti që nuk është ekspozuar në moment, do të thotë që ka qenë portret familjar”.
Hado vë në dukje në vijim, se në studimet e tij për veprat e para të artit realist shqiptar, tregon edhe se këto vepra luajtën një rol edhe pse nuk u krijuan për të qenë të tilla.
“Idromeno i ka bërë edhe një portret tjetër të motrës, që ngjan me këtë, por është me rroba civile. Është një portret ku ajo është më e ngurtë sepse është bërë më vonë. Po t’i shohësh disa detaje mes veprave, ato përputhen. Edhe te ‘Motra Tone’ për të cilën flasim, ka disa ngurtësime te sytë, nuk është pra se është një vepër aq mjeshtërore sa përshkruhet”, – thotë Hado, duke nënvizuar se askush nuk pretendon që ata piktorë të brezit të parë janë më të mirë se piktorët e sotëm.
Veçse të parët, janë të parët.
NDIKIMI ITALIAN
“Kola sa vjen e ‘thahet’”. Hado e thotë këtë disa herë, për të bërë dallimin mes kohëve: Kola i ri, i sapokthyer nga studimet- e mandej Kola i pjekur, që merret me shumëçka, që disi e lë pas dore pikturën, për t’ua kushtuar veten e tij, arteve të tjera.
“Veprat e tjera të Idromenos, janë bërë 30 vite pas ‘Motrës Tone’. Edhe kritika, edhe analizat, edhe studimet, e kanë pranuar që Kolë Idromeno fillon e thahet më vonë, sepse merrej me shumë zanate, filmi, muzika, arkitektura, fotografia; këto ndikuan”.
“Detyrimisht, – shton ai, – pas shumë vitesh, shumë piktorë shqiptarë që kishin bërë gjëra të bukura kur erdhën nga studimet, me kalimin e kohës u ‘thanë’, sepse u izoluan, nuk kishin më takime me kulturën e teknikat. Merita e shumë prej tyre është se e kthyen pikturën në laike e realiste nga ikonografike, pavarësisht elementëve që mbeten”.
A e shpjegon rinia e ndikimi ende i fortë i kohës së studimeve, imazhin e ‘Motrës Tone’ me hijezime rilindjeje italiane?
“Ai vjen nga ajo shkollë, nga shkolla e Venecias. Të rrish pranë një piktori qoftë edhe 6 muaj, do e marrësh stilin e tij. Sigurisht që Kola do e kishte ndikimin. E ka pasur edhe Paskali, e kanë pasur edhe të tjerë, kanë pasur ndikime, domosdo”, – thotë Hado.
Nuk është dakord fare me idenë se vepra mund të jetë bërë nga një italian. “Nëse ka dokument, a një fotografi që një italian e punon, dakord. Unë nuk di të ketë të tillë. Sa i takon Sofia Papadhimitrit, ne e marrim të mirëqenë kur artistja vë firmën. Sigurisht, ka raste edhe për të kundërtën. Rembrand a Rubens e kanë vënë firmën për të shitur, por në rastin e ‘Motrës Tone’, nuk kemi pse ta mendojmë, sepse ajo nuk ishte destinuar të shitej, ajo ishte veçse një portret familjar, nuk kishte pse ta bënte. Vepra ka qëndruar te shtëpia e motrës, dhe më pas e ka marrë Kola e ka mbajtur në shtëpinë e tij”, – thotë Hado.
Në këtë pikë, ndan me ne edhe një këndvështrim tjetër mbi restaurimin. Ai nuk mendon se “Motra Tone” në restaurimin që iu bë në Luvër, u dëmtua, sikundër shprehej dje piktori e restauratori Mustafa Arapi.
“Mendoj se nuk ka qenë i dëmshëm. Ndërhyrja e ka shpëtuar, është bërë në Luvër nga 3 specialistët më të mirë të muzeut francez. Është ‘ngrënë’ bezja e vjetër nga e cila shkëputej piktura dhe është vënë një e re, sepse ndryshe do dëmtohej. Restaurimi është bërë në Luvër, në laboratorin e tij, atje nuk bëhet shaka. Kanë qenë tre restauratorët kryesorë të Luvrit dhe vetë drejtori që merrej me të. Unë vetë kam shkuar dhe e kam parë atje”, – thotë Hado.