Vaid HYZOTI
Në një bisedë të lirshme të nobelistit latin Markes, teksa flet për të njohurën Shakira, nënvizon: “Kurrë nuk duhet të frenohemi të shprehemi për të bukurën. Pa meskinitet e zili. Sikur flasim me vete, kur shohim një vajze si shtojzovalle: ”Sa e bukur!”. Edhe për një tregim a poezi, pavarësisht nga autori (i njohur apo i panjohur), të shprehemi e vlerësojmë kur na ngjall kënaqësi estetike…”. E nisa me këtë citim të shkrimtarit të njohur, të atij që si rrallëkush ka depërtuar dhe ka jetësuar në vepra shpirtin njerëzor, sepse këtë lloj befasie pata dhe une pasi mbarova së lexuari vëllimin “Kur vetëtin çiftelia, të Silvana Berkit. Në shumë krijime e ndala gjatë e ngazëllyeshem pëshpërita: bukur!
Qe një befasi, së pari për titullin e librit. Mendova se ishte një libër me rapsodi, nga një vargëzuese thjesht internetike. Mendova një botim me krijime me frymë popullore, me një vargëzim rimor, me betime e stërbetime atdhedashurie. Thjesht si ca parulla letrare në klisheizmin internetik, me përfundimin folkloresk: “O sa mire me kenë shqiptar!”. Por nuk duhet nisur me paramendime. Çiftelia këtu vetëtin si një simbol kombëtar, që flet me tingujt e poetes aq bukur. Sepse tematika e gjere e poezive, lirizmi i “fsheur” pas vargjeve të lira, mendimi i shtrirë me limitet e hapësirës së mendimit, përbëjnë një botim të veçantë.
Ka një “biografi” të poetes që ravijëzohet në padukshmëri, një qytet lindjeje, një peizazh lëvizës, një familje dashurie, një baba që, ndonëse i larguar, nuk pranohet kurrë nga poetja, një vend i ftohtë që hap “konak” për të ikurën dhe një mall që ikën dhe vjen pareshtur. E të gjitha këto janë në shikim të parë normale, të kuptueshme, por nga ana tjetër, për forcën poetike, për përgjithësimet ideoartistike, metaforat origjinale, që shpesh krijohen nga përngjasimi fizik dhe shpesh nga asoicimet e përjetimet e ndjera të nënvetëdijes, përbëjnë një të papritur tjetër të këndshme për Silvana Berkin dhe poezinë e saj. Boshti tematik i tërë librit, që ndryshe nga sa ndeshim çdo ditë, me qindra vargëzime për dashurinë “fizike”, me thirrje e klithma “emocionuese” në shumë vëllime, tek Berki vjen me përjetime e impulse shpirtërore, me figuracion të matur e bukuri artistike.
“Zbres nga prehri i perëndive të cilat më vështrojnë me qetësi / Mbledh telin e shqyer, Copat e drunjve të çiftelisë, / Dhe nis të këndoj përsëri… këngën e pranverës. … sikur asgjë të mos kishte ndodhur! …”, shkruan ajo ne poezinë mbartëse te titullit te vëllimit.
Poetja nuk ka thirrje patetike, nuk ka deklaratapoetike. Ajo është tërësisht larg klisheve. E fsheh lirizmin pas vargut modern. Di të qëndisë me filigram fjalën në më të shumtën e krijimeve, ku të përziej imazhin (oh, imazhet janë aq të shumta!), lirizzmin, si një push i ngrohtë në “lëkurën” e krijimeve, figuracionin, kryesisht metaforën, si një sy magjik i tërësisë krijuese. Që të mos duken si komplimente të zakonshme po sjell vetem një poezi të shkurtër ndër dhjetra që mund të sillnim:
Nuk është Bethoven që qan të tijen Elise,
As Wagner në të tijin funeber nuk është… Jo,
Janë shpirtërat shqiptarë që “klithin për Atdhe”.
Pak qetësi, të lutem…shëëttt! Dëgjo!
Po qëndisin një re!
Kaq është poezia. Ti lexues, komentues, kritik dhe eseist, kushdo qofsh dhe unë bashkë me to, ç’mund të themi. Le të flasim për ide, për figura, për “patriotizëm”, apo për befasimin poetik përmbyllës: Po qëndisin një re! Dhe të vjen keq të besh koment tjetër, se të duket se prish bukurinë e imazhit, të duket se e zbeh forcën artistike të kësaj poezie. Poezitë e këtij vëllimi kanë thurje të çrregullt. Ato kanë vargje “kilometrike”, kanë imazhe pyjesh e liqenesh, kanë dhimbje nënë dhe bijë, kanë lëvizje dhe kalime nga një gjendje shpirtërore tek tjetra, sepse kanë një frymë tejet njerëzore. Bota e brendshme e njeriut, me të gjithë format e shfaqjes së saj, hidhet lirshëm në vargje dhe ti hutohesh e befasohesh nga ngjyrat e përftuara. Por ndërsa e lexon dy-tri herë një apo më shumë krijime, përsërit bukur për idetë, për gjetjet, tematikën dhe frymën njerëzore. Mbase dhe për origjinalitetin e thellë, për zërin e veçantë që rrallë e hasim në qindra botime të kësaj radhe të pafundme autorësh ose vargjebërësish, poezia e Berkit përbën një të papritur tejet të këndshme për mua. Edhe në poezitë e dashurisë, edhe atje ku ajo “vjedh” diçka në shprehi tejet shqiptare, ajo vjen origjinale. Bie fjala tek poezia “Pash nderin”-një betim lutje për sinqeritet tepër i njohur sidomos në Veri: “Eja brenda zërit tim, të flasesh me mua…”, e më tej brenda sekondave që kanë djegur bashkë…Pash nderin e nderit!..E të gjitha pas rreptësisë së ndjerë të një ritmi poetik.
Një poet shkruan se në një vëllim me poezi, në ke qoftë pesë poezi të bukura, ke libër të bukur. Në librin në fjalë janë rreth tridhjetë poezi, ku dhe me skrupulozi kritik, nuk do të mund të arrinte të ndryshonte një presje të vetme. Madje në disa përfundime poetike do të mbetej i mekur për forcën e figurës, përfytyrimit, metaforës shprehëse dhe ndjesisë poetike tejet njerëzore. Në poezinë për babain, autorja pohon se kurrë nuk do të pranojë se ai ka vdekur, “ Kurrë nuk i thash babit t`im të mirë se Ai ka vdekur” duke e mbyllur me vargun aq poetikofilozofik, se…”me vdekje kuptoj diçka tjetër”. Në një poezi malli, përmes një metafore të rrallë shpreh gjithçka: dua ta hedh më shumë kripë detit”. Një lot malli tërë kripë do shtonte e shprehte gjithë atë atdhedashuri. E vargje plot imazhe të përmasave të tilla figurative mund të numëronim me qindra nga ky botim i Silva Berkit!
Janë shkruar nga të gjithë poetët poezi për Atdheun. Autorja nuk eshte e klisheve dhe fjalëve të përgjithshme. Tema politike dhe sociale (mbase dhe për profesionin e përditshmërisë së saj), vjen në mënyrë origjinale, me “analizë” poetike, me dashuri e dhimbje, por dhe duke peshuar me art të vërtetat. Vargjet: “… e ngatërrova keq demokracinë me lirinë, / i bëra përshesh mendimesh. /I hëngra, gati sa kam vjellë, e damari në kokë u fry si baticë lumenjsh, /Madje një ditë, iu ula në atë prehrin e çjerrë nga mundimet, / Dhe prapë iu largova si e mjerë. …”, apo: “E quajta demokracinë fallxhore, dhe prisja mrekullitë, /Ia grisa dhe shkronjat e të gjitha gjuhëve, të mos kishte më emër… / se më dha shumë të drejta, të këqija dhe të mira / Ndaj prangat ia vura përsëri në zemër. “, ose nje tjeter: “… Eh, vendit tim ia kanë vjedhur ajrin! / Ia kanë mbyllur hundën, gojën, mushkëritë, me “heronjtë e ditës”, / Me një aparat ventilimi ia mbajnë akoma shpirtin gjallë Sanatoriumit…”. Mund të sillnim sa e sa shembuj të tillë nga vëllimi për të ilustruar mëndimin që shfaqë në vargun e S.Berkit, jo vetëm për forcën përgjithsuese dhe metaforat, por shpesh për atë ndjenjë të trishtë, atë lot të fshehur, atë brishtësi lirizmi dhe hera-herës me një humor e ironi të lehtë e të këndshme.
Këto janë përshtypje dhe impresione të para pas leximit të vëllimit të autores, për të cilën ndihem fatlum që e lexova. Unë solla ndërmend në hyrje shprehjen e Markesit të madh dhe solla keto shenime të shpejta vetëm për të thënë një “BUKUR” te madhe. Në analiza e studime më të shterura mund të flitet për poezinë e Berkit, për modernitetin e vargut të saj. Por këto shënime të miat janë për të gjithë të aposionuarit lexues të poezisë. Janë të tilla si poezia e mëposhtme e autores, që do vlente aq shumë në përmbyllje të këtyre shënimeve:
Vetëm unë me takimin e parë ua shoh ngjyrën,
…më duket se vetëm unë ngel tek sytë.
Flas për sytë,
Pa pasur nevojë për fytyrën!
Pasi e kalova disa herë në duar këtë vëllim, thashë Bukur! Ia vlen të jetë në bibliotekën e të apasionuarve të poezisë. Ia vlen të shkohet në libraritë e shtëpisë botuese “TOENA” e të blihen vëllimet e saj …