Ishte një performacë që ndezi skenën e Eurovisionit, por megjithatë nuk shkoi dot në finale. Me gjithë vlerësimet për zërin, për seriozitetin dhe sidomos për notat e larta që Linda i arriti pa vështirësi, Europa tregoi edhe një herë tjetër se jo të gjithë ata që këndojnë mirë e kanë një performancë të shkëlqyer mund të jetë finalistë apo edhe të pretendojnë për të fituar. Edhe Lindita Halimi, megjithëse shpresonte të ishte pjesë e finales së Kievit, u nda mbreme me këtë aventurë që, për hir të së vërtetës, e kishte kërkuar gati me ngulm. Por nuk është koha për të kërkuar Pse-të. Në fund, ne të gjithë jemi krenarë dhe, me të drejtë, themi se më shumë rëndësi ka pjesëmarrja. Edhe pse, çdo vit e më shumë, kërkojmë një pjesëmarrje të denjë që të na largojë disi nga brengat e këngët e vajit.
Pak pas shpalljes së 10 finalistëve, përfaqësuesja jonë në Eurosong, shkroi një mesazh falënderimi për të gjithë ata që e votuan dhe që e mbështetën. E rëndësishme është që Linda do ta kujtojë si një prej eksperiencave më të bukura të saj… Të tjerat nuk kanë më pikë rëndësie.